“Asociacioni, afera e Martin Berishajt”: Çka folën dje Krasniqi, Haradinaj, Mustafa e Limaj në televizion? - NACIONALE

“Asociacioni, afera e Martin Berishajt”: Çka folën dje Krasniqi, Haradinaj, Mustafa e Limaj në televizion?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Memli Krasniqi, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa dhe Fatmir Limaj janë disa nga emrat e përveçëm të kampit opozitar në Kosovë. Të gjithë këta katër emra, dje ishin në katër televizione të ndryshme për të folur rreth qeverisjes në Kosovë dhe situatës politike në vend. Të gjithë, sigurisht jo njësoj, e kritikuan qeverisjen e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, dhe të VV-së. Çka thanë opozitarët?

Le të fillojmë nga Memli Krasniqi i PDK-së, që është kryetar i partisë më të madhe opozitare. Në Kanal 10, z. Krasniqi foli gjerë e gjatë në lidhje me aferat korruptive që sipas tij kanë ndodhur gjatë kohës së qeverisjes së Kurtit. Gjatë fjalës së tij, ai e cilësoi si skandalin më të madh ndonjëherë aferën e Martin Berishajt, ambasador i Kosovës në Kroaci.

“Skandalet më të mëdha korruptive kanë ekzistu jo në Kosovë, por në rajon, jo që janë të kohës së Qeverisë Kurti, janë të lidhura drejtpërdrejt me të. Nuk ka skandal më të madh në mbamendjen tonë, qe po e quajmë pasë përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, se rasti Berisha.” – deklaroi Krasniqi në Kanal 10.

Krasniqi e përmendi edhe rastin e Nagip Krasniqit, kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, i cili po vazhdon të jetë në paraburgim nën akuzën për korrupsion.

“Bordin e parë qe e ka ndërru ka qenë bordi i KEK-ut, e ka mbushë me lojalistat e vet, njeriun e parë që e ka ndërru është drejtori i KEK-ut, e ka shti njeriun kryesor të Vetëvendosjes për energji, dhe po del që ky njeri sot që është ende në paraburgim.” - u shpreh Krasniqi.

Ndërsa, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, foli rreth Asociacionit, duke theksuar se është një dhimbje e madhe.

“Kosova në momentin që delë nga orbita e aleatëve të vet, e Amerikës së pari dhe evropianëve ju e dini çfarë rrugë merrë. Ne nuk guxojmë sot me rreziku në asnjë mënyrë përkatësinë tonë me kë jemi. Asociacioni me pasë mujtë në atë kohë mos me ndodhë ish kanë ma mire.” – deklaroi Haradinaj në RTV 21.

Për Asociacionin, foli edhe Isa Mustafa, ish-kryeministër i Kosovës, por në një studio tjetër. Në RTK, Mustafa deklaroi se Asociacioni tashmë është ndryshuar me vetëmenaxhimin e serbëve, e cila parashihet sipas Marrëveshjes së Brukselit, që u nënshkrua në fundin e marsit të këtij viti.

“Zoti Kurti ka propozuar pikën 7, po them Zoti Kurti sepse s’mund të jem i sigurt që ai e ka definuar, por ai është shprehur për një vetë menaxhim të serbeve në Kosovë, ajo që është menduar te Asociacioni, është zëvendësuar me vetë menaxhimin, dhe për mua është e paqartë se çka nënkupton vetë menaxhimi i serbeve dhe pastaj është pika 10 e cila e përmban zotimin e dy palëve për implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, pa përjashtim dhe pa asnjë vërejtje." - vlerësoi Mustafa në RTK.

Sipas Fatmir Limajt, kryetar i Nisma-s, parti joparlamentare, Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive.

“Mos harroni, edhe njëherë po ju them, marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit është shumë më shumë se marrëveshja e 2015 Isa Mustafa me Mogherinin. Dhe siç kam thënë po them përsëri, ky djalë na ka ngarkuar, dhe do të keni një Asociacion me kompetenca full ekzekutive. Dhe do të jetë një autonomi politike territorale. Jemi këtu. Mos harroni, djalli është te pika 7. Kamuflimi është te pika 7.” - tha Limaj.

Lajme të ngjashme