Krasniqi i ashpër me Qeverinë Kurti: Afera e Martin Berishajt, më e madhja ndonjëherë - NACIONALE

Krasniqi i ashpër me Qeverinë Kurti: Afera e Martin Berishajt, më e madhja ndonjëherë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka dhënë një intervistë të gjatë sot në Kanal 10, ku ka folur për shumë çështje, përfshirë aferat korruptive të Qeverisë Kurti. Gjatë intervistës së tij, Krasniqi foli për situatën në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ku javë më parë u arrestuar kryeshefi ekzekutiv saj, Nagip Krasniqi.

Krasniqi foli edhe për një rast tjetër të korrupsionit që lidhet me energjetikë. Duke folur për aferat e pretenduara korruptive të Kurtit, Krasniqi vlerësoi se rasti i Martin Berisha, ambasador i Kosovës në Kroaci, që dyshohet të jetë përfshirë në një aferë të madhe financiare në Slloveni, është skandali më i madh në historinë e Kosovës.

“Skandalet më të mëdha korruptive kanë ekzistu jo në Kosovë, por në rajon, jo që janë të kohës së Qeverisë Kurti, janë të lidhura drejtpërdrejt me të. Nuk ka skandal më të madh në mbamendjen tonë, qe po e quajmë pasë përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi, se rasti Berisha” – deklaroi Krasniqi në Kanal 10.

Sigurisht, z. Krasniqi nuk e la pa e përmendur me emër e mbiemër Nagip Krasniqin, kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, që vazhdon të jetë i paraburgosur nën dyshimet për korrupsion.

“Bordin e parë qe e ka ndërru ka qenë bordi i KEK-ut, e ka mbushë me lojalistat e vet, njeriun e parë që e ka ndërru është drejtori i KEK-ut, e ka shti njeriun kryesor të Vetëvendosjes për energji, dhe po del që ky njeri sot që është ende në paraburgim.” - u shpreh Krasniqi.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, pra z. Krasniqi, foli edhe për një dënim prej 3 milionë euro të ZRrE-së ndaj KEK-ut, duke vlerësuar se kjo në një formë i konfirmon dyshimet për keqpërdorim në këtë korporatë.

“Të njëjtat institucione i ka nën kontroll Albin Kurti, edhe për rastin e OSHP i ka emëru në Qeveri kryeministri, na si kena emëru i ka emëru Vetëvendosje, sot del ankohet tek ta, ZRRE-ja një far forme i konfirmoi keqpërdorimet e KEK-ut, sepse e dënoi me 3 milionë euro, ato mjete janë të taksapaguesve të Kosovës, dhe Nagip Krasniqi i cili është në paraburgim është denuar me 3 milionë euro sepse ka tregtu energji me kompani të pa licensuara, nëse kjo nuk është korrupsion un nuk e di qa është.” - tha kryetari i PDK-së.

Z. Krasniqi foli edhe për ikjet e qytetarëve nga Kosova, të cilat ditë më parë z. Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Qeverisë Kurti, i vlerësoi si trend normal rajonal. Në deklarimin e tij, Krasniqi theksoi se nga Kosova në dy vitet e fundit kanë ikur mbi 120 mijë qytetarë.

“Nga të dhënat tashmë zyrtare të publikuara dhe në vitin e kaluar të mbledhura nga ASK-ja, janë mbi 120 mijë qytetarë që e kanë lëshu Kosovën. Dhe pyetja duhet me u shtru pse kaq shumë në këtë kohë?” - tha Krasniqi.

Gjithë këtë ikje, z. Krasniqi e lidhi me zhgënjimin e qytetarëve nga Qeveria Kurti II.

"Parimi i meritokracisë është ajo që i ka zhgenjyer më së shumti të rinjtë me qeverinë Kurti, pasiqë Kurti e bëri të kundërten. Njerëzit kanë besu që Kurti do të sjellë punë dhe drejtësi, që aktivistat e VV-së nuk kanë me ia zënë vendin, por ata e bënë të kundërten duke i mbushur ndermarrjet publike me militantë të tyre." - tha Krasniqi.

Tutje, Krasniqi e ka vlerësuar me notën njësh Qeverinë Kurti II.

Lajme të ngjashme