Kurti "mes dy zjarresh": ShBA-ja ia kërkon Asociacionin, qytetarët kundër koncesioneve me Serbinë
Puna për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është intensifikuar. Disa takime janë mbajtur në Bruksel, ku delegacionet e Kosovës dhe asaj të Serbisë kanë diskutuar në lidhje me statutin e Asociacionit, teksa një draft tashmë është paraqitur, i cilu u refuzua nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Ndërsa kërkesat ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit po vazhdojnë të ritheksohen, shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër një koncesioni të ri për njohjen e Serbisë. Pra aktualisht duket se Kurti është mes dy zjarresh: të themelojë Asociacionin sipas kërkesës së ndërkombëtare, duke e ditur se kjo nismë është pak popullore sipas sondazhit të IRI-së.
Çka tregoi sondazhi i IRI-së?
Në një sondazh ndërkombëtar të kryer nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI), u vërejt një gjë absolutisht interesante. Të pyetur nëse duhet të bëhet ndonjë koncesion për njohjen e Serbisë, shumica dërmuese e qytetarëve janë shprehur negativisht. Në fakt, kjo ishte pyetja:
“Çfarë koncesione duhet të jetë e gatshme të japë Kosova për njohjen serbe?”
Përgjigjet ishin edhe më interesante se vetë pyetja.
79 për qind e qytetarëve deklaruan se asnjë koncesion nuk duhet të bëhet në mënyrë që të arrihet njohja nga Serbia.
Ndërsa vetëm pesë për qind e qytetarëve janë shprehur se themelimi i Asociacionit një etnik serb mund të jetë një koncesion që mund të bëhet karshi njohjes nga Serbia.
Por kërkesa e ndërkombëtarëve për themelimin e Asociacionit tashmë vetëm se është intensifikuar. Pra Kurti po përballet me kërkesën për të themeluar Asociacionin, i cili sipas sondazhit të IRI-së ka pak përkrahje.
Ditë më parë, Samantha Power, administratore USAID-it, gjatë vizitës së saj në Kosovë, foli rreth urgjencës për themelimin e Asociacionit.
“Marrëveshja është aty, ka urgjencë për shembull për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shpresojmë që tani më në fund dialogu ka një rrugë se si do të duket. Edhe pse palët ende nuk kanë qëndrime të përbashkëta se cili do të jetë modaliteti, kjo është hera e parë që po ndodh ky lloj i angazhimit thelbësor.” – deklaroi zonja Power.
Ndërkohë, sot Gabriel Escobar, i dërguar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, foli rreth Asociacionit në paraqitjen e tij para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan. Escobar vlerësoi se Kosova e Serbia kanë filluar diskutimet rreth Asociacionit.
“Vendet e BE-së duhet të implementojmë reformat, po i ndihmojmë ta luftojnë korrupsionin dhe dezinformatat në rajon. Në puënn tonë në Ballkanin Perëndimor…Një pengesë e madhe për paqe dhe stabilitet në Ballkan, është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet e arritura së fundi kanë qenë hapa të mëdhenj. Implementimi është në rrugë. Presidenti serb dhe kryeministri kosovar kanë nisur diskutimet për Asociacionin dhe kanë treguar qëndrimin e tyre për të pagjeturit. ShBA-të janë të përkushtuar për Kosovën, Serbinë që të nxisin përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve.” – deklaroi Escobar.
Së fundmi, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, është deklaruar sërish në lidhje me kërkesën për t’u themeluar Asociacioni.
“Ne kemi thënë disa herë që duhet të vendosen idetë në tavolinë, ta dimë se çfarë vizioni ka. Ne duam që ky proces të ecë përpara. Ne shumë shpesh kemi thënë gjëra të cilat i ka thënë edhe kryeministri Kurti. Ne nuk duam që Asociacioni të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne e kemi bërë versionin tonë të qartë. Por është e rëndësishme që edhe Kosova t’i vë idetë e saja në tavolinë.” - ka thënë Hovenier.

