Asamblistja e VV-së në Podujevë "fiton" konkursin për t'u bërë sekretare, jashtëligjshëm ushtron të dy postet
Një nga premtimet parësore të Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kohës së opozitës, ishte lufta kundër nepotizmit, punësimi jopartiak dhe familjar në institucionet e Kosovës.
Ka kaluar një dekadë që nga koha kur Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës, bërtiste më të madhe “kundër nepotizmit”. Premtimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për luftimin e kësaj dukurie u shpërfillën në kohën kur përfaqësuesit e kësaj partieu ulën në karriget e institucioneve shtetërore.
Një rast i tillë u regjistrua së fundi në Podujevë. Në këtë komunë, me datën 10.10.2022 u hap një konkurs për sekretarë në dy shkolla. I njëjti konkurs përfundoi me datën 30 dhjetor.
Në përfundim të gjithë procesit, dy kandidatet më të suksesshme dolën, Afrora Emini – Syla dhe Qëndresë Hajrizi.
Por kush është Qëndresë Hajrizi, e cila u vendos në pozitën e dytë si më e suksesshme në këtë konkurs?
Qëndresë Hajrizi në zgjedhjet lokale të vitit 2021 arriti që të sigurojë një ulëse për asamble komuna nga Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë.
Sot e asaj dite, Hajrizi ushtron detyrën e asamblistes.
Por, së fundmi Hajrizi ka "fituar" të drejtën për të gëzuar edhe një pozitë tjetër. Ajo është pranuar si sekretare në shkollë, konkurs ky i hapur muaj më parë nga Komuna e Podujevës, gjegjësisht Drejtoria e Arsimit.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me Komunën e Podujevës, me këta të fundit që treguan se dy kandidatët e pranuara kanë filluar punën si sekretare.
Veç kësaj, nga e njëjta komunë kanë konfirmuar se Hajrizi vazhdon ta ushtrojë detyrën e asamblistes.
“Konkursi ka qenë i hapur edhe kanë filluar punën dy kandidatet e pranuara. Tash ka fillu e skam ndonjë informata nëse largohet nga asambleja a jo. Dërgoja Qëndresës këto pyetje se asaj i takon me u përgjigj a jep dorëheqje apo jo.” – ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës për media në Komunën e Podujevës.
Nacionale gjithashtu i është drejtuar znj.Hajrizi për të marrë më shumë informacione, por për disa ditë të tëra ajo nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e redaksisë.
Çka thotë ligji?
Personi që ushtron shërbime në administratë publike për qytetarët në fushën e arsimit konsiderohet zyrtar publik.
Kjo sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë, neni 2.
Ndërsa sipas këtij Ligji për Zyrtarët Publiëk, nuk e lejon që një asamblist të ushtroj edhe një punë tjetër zyrtare.
Kjo thuhet në nenin 22, paragrafi i 5-të.
“Zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhje qendrore apo lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë (7) ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës. Pezullimi përfundon pesë (5) ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës.” – thuhet në Ligj.

Ndërsa, paragrafi 7-të i këtij neni thotë se nëpunësi civil i komunës pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit.
“Në rast të zgjedhjes në organet komunale, nëpunësi civil i kommunës, ku ai punon dhe i cili pranon mandatin, pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes së kandidatit deri në përfundim të mandatit përkatës.” – thuhet në Ligj.
Megjithatë ky ligj bën përjashtim te profesorët e universitet. Kuvendi i Kosovës është dëshmia më e mirë e këtij ligji, pasi një numër i konsiderushëm i tyre ushtrojnë edhe detyrën e profesorit.

