As edhe një fjalë për “vetëmenaxhimin”, Asociacioni/Zajednica mbizotëron në kërkesat e ndërkombëtarëve - NACIONALE

As edhe një fjalë për “vetëmenaxhimin”, Asociacioni/Zajednica mbizotëron në kërkesat e ndërkombëtarëve

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Që nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar një term i ri ishte futur në diskursin publik në lidhje me një Marrëveshje Bazike për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi: “Vetëmenaxhim për komunitetin serb”. Pak kush e kishte të qartë se çfarë do të thoshte kjo, ndërsa eksponentë të pushtetit e paraqisnin si një term të zbutur dhe se si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia kishte dalur ta shmangte “Zajednicën”. Madje Kurti këtë e paraqiste si krejt tjetër gjë nga çfarë kishte qenë në tryezë më parë. “Nuk është vetëqeverisje e serbëve por është vetë-menaxhim”, shprehej ai ndonëse asnjëherë nuk tregonte se çfarë në thelb është ky koncept jugosllav; e që madje në gjuhën serbe përkthehej si “vetëqeverisje”. Vetë Përfaqësuesi Special i BE'së, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median serbe "KoSSeV" i ishte shmangur shënimit të një dallimi substancial mes "vetëmenaxhimit" dhe "vetëqeverisjes".

Megjithatë, ky term, del të jetë veçse për konsum të brendshëm si një eufemizëm më lehtë i gëlltitshëm në servimin e saj në publik. Termi “vetëmenaxhim” as që përdoret madje nga ndërkombëtarët e as ndërmjetësit kyç: Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Tashmë është veçse afër takimi i parë i Nivelit të Lartë pas Marrëveshjes së Ohrit dhe ndërkombëtarët (e madje edhe Këshilli i Sigurimit në tërësi) kanë një kërkesë të vetme: Themelojeni Asociacionin e Komunave [versioni shqip: të banuara me shumicë] Serbe.

Po të lexohen kërkesat amerikane, Asociacioni është në rend të parë. Ambasada amerikane në Prishtinë, ambasada amerikane në Beograd dhe Departamenti amerikan i Shtetit kryefjalë në çdo komunikatë e njoftim e kanë themelimin e Asociacionit. Ambasada në Kosovë i referohet si “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe (ASMM) ose në serbisht si Asocijaciji/Zajednici srpskom stanovistom na Kosovu (A/ZSO)”; Ambasada në Serbi si “Asociacioni i Komunave Serbe (ASM) ose në serbisht Zajednica Sprskih Obstina (ZSO)”; Ndërkaq Departamenti amerikan i Shtetit si “Asociacioni i Komunave Serbe (ASM)”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kaherë është shprehur se “nuk ka Komuna Serbe” në Kosovë por ka “Komuna me shumicë Serbe”. Një frazim i tillë ka gjetur kaherë kundërshtimin e tij. Megjithatë, siç lexohet nga gjuha e përdorur amerikane, ata i referohen si “Asociacion të Komunave Serbe”. Për më tepër, “vetëmenaxhimi” aq i trumbetuar nga Lëvizja Vetëvendosje si një gjë shumë më e butë dhe e një natyre më të lehtë e ushtrimit të të drejtave të pakicave, as që gjendet në fjalorin amerikan.

Gjithashtu, edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, Asociacionin e ka në në rend të parë të çdo thirrje të tij. Rohde i referohet si Asociacion i Komunave me shumicë serbe. Madje, ai edhe e bëri të qartë në një cicërimë në Twitter se vendimi përfundmtar për liberalizimin e vizave për kosovarët si dhe vendimi fillestar për kalimin në një fazë tjetër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kanë qenë krykëput të ndërlidhura me çështjen e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën veçon një gjë. “Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është kyçe për të vazhduar para”, shkroi a ditë më parë.

Ndërkaq vetëm ditën e kaluar, Këshilltari i Lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi me presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me, siç tha ai, “nevojën urgjente për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe” ndërsa një telefonat të tilë nuk e pati edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ditë më parë Nacionalja raportoi përmes burimeve të saj se në takimin e 2 majit ndërron hesapi sa i përket draftimit të Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Baskuara “do të qesin jashtë loje” Kurtin dhe Vuçiqit sa i përket një modeli për këtë Asociacion. Kjo për shkak të mosmarrëveshjes se si duhet të jetë një llojë aranzhimi i këtyre komunave.

Kurtit i janë dhënë 16 modele të autonomisë që ekzistojnë në praktikë në BE. Ai kishte afat deri më 18 mars për të zgjedhur njërin nga modelet. Ai nuk e zgjodhi asnjërin. Tash, BE-ja dhe ShBA-do të zgjedhin se cilin model ata e shohin si të duhurin dhe do ta rishkruajnë për Asociacionin...” – na ka thënë burimi. Nuk do të lejohen lojëra tjera mes Beogradit dhe Prishtinës sa i përket statutit të Asociacionit, ishte i bindur ai.

Neni i 7 Marrëveshjes Bazë flet për sigurimin “e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb të Kosovës”. Megjithatë, ky vetëmenaxhim del të jetë veçse për konsum të brendshëm./Nacionale/

Lajme të ngjashme