Arifi: Liburn Aliu po pengon transferin e 2 milionë eurove të Qeverisë për Luginë të Preshevës
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se qëllimisht nuk po i alokon mjetet financiare që i ka ndarë për Luginë të Preshevës. Në një bisedë për gazetën Nacionale, ai ka akuzuar Ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Ali, se ka ndërhyrë në këtë çështje.
Më poshtë keni tekstin dhe podcastin e intervistës së realizuar me të:
Arifi ka thënë se kjo neglizhencë për transferimin e këtyre mjeteve po bëhet për shkak të zgjedhjes së tij në krye të komunës së Preshevës.
Sipas tij, Aliu po e bën këtë për shkak të lidhjeve miqësore që ka me ish-kryetaren e kësaj komune, Ardita Sinani.
“Mua nuk me ka kundërshtuar LV-ja, mua me ka kundërshtuar Liburn Aliu , i cili e ka instrumentalizuar komplet Qeverinë e Kosovës në drejtim të kundërshtimit të vendosjes se pushtetit te ri lokal në Preshevë, pra të vendosjes time si kryetar i komunës. Këtë e ka bërë Liburn Aliu, nuk e ka bërë as Albin Kurti, as LV”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka fakte që dëshmojnë se Aliu po e pengon transferimin e mjeteve.
“Nuk kam fakte për këtë, por siç e kuptoj psikologjinë këtu, qysh i kuptoj njerëzit këtu Liburn Aliu është ai person, i cili për momentin është, duke i stopuar mjetet për tu dërguar në Luginë të Preshevës. Kjo për mua është skandal”, është shprehur ai.
Ai ka shprehur dyshimet se 2 milionë eurot që Qeveria e Kosovës i ka ndarë për Luginë të Preshevës, po përdoren për çështje tjera.
“Kurse skandali i tret është ajo që ka ndodhur para një muaj e gjysmë, ku Qeveria e Kosovës në vend se me i aloku mjetet për qytetarët e Luginës së Preshevës, që janë dy milionë euro, këta kanë marrë vendim në qeveri që të jepen 50 mijë euro, besoj se janë nga këto 2 milionë euro, për lobim të lidershipit të Luginës së Preshevës në Amerikë. Pra, i janë dhënë 50 mijë euro katër personave me shku me u shtetit nëpër Amerikë katër ditë me marrë pjesë në një forum të ish-kongresmeneve”, ka thënë i pari i Preshevës.
I pari i komunës së Preshevës ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë për mos angazhim rreth pasivizimit të adresave të shqiptarëve të Luginës.
Arifi, ka bëre me dije se interesimi i dy qeverive shqiptare për këtë çështje është zero.
Qeveria e Kosovës në Ligjin për buxhetin e vitit 2022 ka ndarë 2 milionë euro për komunat Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Rreth një milion eurove janë ndarë vetëm për komunën e Preshevës. Me këto mjete është paraparë ndërtimi një parku qendrorë në këtë komunë, rinovimi i shkollës në fshatin Rahovicë, dhe ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Norçë.
