Argatë dhe ‘partnerë në krim’ për VV-në
Një zëvendëskryeministër, një kryekuvendar dhe një deputet nga Maqedonia e Veriut janë përfshirë në bizneset e ndyra të Vetëvendosjes me joshje, ofrim pozitash e favore të tjera në këmbim të votave. Pavarësisht se ata morën mandatin për t’iu shërbyer shqiptarëve në shtetin fqinj, kjo nuk i ka penguar të bëjnë aktivisht argatin për Vetëvendosjen. Në fillim të këtij viti, partitë shqiptare nga koalicioni VLEN ‘eksportonin’ militantë që t’i mbushnin sallat dhe mitingjet zgjedhore të Vetëvendosjes. Më e zellshmja del të jetë Lëvizja Besa e Bilall Kasamit…
Col Mehmeti
23 maj 2025 – Para pesë vitesh, Lëvizja Vetëvendosje i citonte dhe stërcitonte lëvdatat e gazetarit të Spiegel-it, Keno Verseck.
Ndonëse nuk përkonte me realitetin e pazarave të fshehta paszgjedhore, ai ia kishte rrahur shpatullat VV-së se qeveria e saj “nuk u krijua në pazaret e bodrumeve apo nën përkrahjen e shteteve që e mbrojnë Kosovën” (sie wurde nicht in Hinterzimmerdeals oder auf Druck der kosovarischen Schutzmächte gebildet).
Por, dashamiri gjerman i ra ‘mësysh’ VV-së: një vit më vonë, kjo parti u përfshi gjer në fyt në pazare me familjarë të ish-deputetes së PDK-së, Adelina Grainca.
Artin e rryer të joshjeve, Vetëvendosja e ka vënë në përdorim edhe sivjet.
Ish-konsulli i Kosovës në Toronto, Donat Syla, të enjten paralajmëroi se politikanë të caktuar në Maqedoninë e Veriut po përpiqen t’ia bëjnë votat Vetëvendosjes.
Në shkrimin e tij, Syla bëri me gisht zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, se i ka dhënë premtime deputetes boshnjake, Duda Balje, për ta bërë ligjëruese në Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup nëse ajo voton për kandidaturën e Albulena Haxhiut.
Në këto joshje, sipas ish-diplomatit Syla, është përfshirë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, i cili është përpjekur ta sigurojë votën e deputetit goran, Adem Hoxha.
Vetë deputetja minoritare sot e pranoi që ka marrë oferta për t’u bërë profesoreshë në Shkup.
“Po është e vërtetë”, ka thënë Balje e cila ka shpjeguar se tash i është thënë se mund të punësohet si profesoreshë për të cilën kishte aplikuar vite më parë.
Eksport-importi i militantëve
Kjo nuk është hera e parë që politikanë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut janë ‘inkriminuar’ në mbështetje të hapur ndaj partisë në pushtet në Kosovë.
Zyrtarët e lartë të Lëvizjes Besa dalin të jenë më aktivët e më zellshmit për t’ia bërë argatin Vetëvendosjes.
Pos Afrim Gashit, sekretari organizativ i Besës, Adnan Azizi, del të jetë më entuziasti për t’i kryer shërbime Kurtit dhe partisë së tij.
Në fushatën e sivjetme për zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosja ishte në gazep të madh për t’i mbushur sallat me njerëz.
Këtë problem ajo e arnoi disi duke ‘importuar’ njerëz nga Maqedonia e Veriut.
Siç qe zbardhur një komunikim i brendshëm i Lëvizjes Besa në Viber, kjo parti u bënte thirrje të gjithë militantëve të saj të organizoheshin me vetura për të marrë pjesë në tubimin e Vetëvendosjes në palestrën ‘Bill Clinton’ në Ferizaj.
Në kushtrimin që ‘Besa’ iu lëshonte militantëve të saj, bëhej me dije se Adnan Azizi e Besar Durmishi do të ishin të pranishëm më tubimin e Vetëvendosjes. Me t'i parë në sallë, ish-kryeministri Albin Kurti i kishte përqafuar me dashuri.
Dy tetovarët nuk ishin thjesht zyrtarë të lartë të një partie.
51-vjeçari Azizi në vitin 2020 ishte emëruar si Drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, kurse 34-vjeçari Durmishi sot mban postin e ministrit të Ekonomisë dhe Punës në Qeverinë e Mickoskit.
"Për popullin shqiptar"
Përndryshe, Lëvizja Besa vijoi t’ia bënte argatin VV-së gjer në mbarim të fushatës së sivjetme zgjedhore.
Sekretari i saj, Adnan Azizi, iu bënte thirrje tetovarëve të tij që të bënin hyxhym drejt Prishtinës për të marrë pjesë në tubimin përmbyllës të Vetëvendosjes.
“Neve na bashkon populli, ata i bashkon paraja, interesi! Neve na bashkon ideali, kombi, ata i bashkojnë iniciativat antikombëtare! E derisa ata mendojnë sit ë fshihen nga krimi, ne jemi të pranishëm CEP më CEP me popullin shqiptar”, kishte dhënë kushtrimin Azizi./NACIONALE/