"Amerika veç një herë të falë": Çka ndodh nëse Kosova refuzon planin franko-gjerman? - NACIONALE

"Amerika veç një herë të falë": Çka ndodh nëse Kosova refuzon planin franko-gjerman?

3 vjet më parë

nga Jetlir Buja

Kemi dëgjuar shpesh për presionin amerikan, por jo edhe për pasojat në rast se përfundimisht Kosova vendos të mos plotësojë kërkesat e tyre – qoftë për Asociacionin apo për Propozimin franko-gjerman. Ky shkrim, përmes katër analistëve dhe politologëve nga Kosova, do të provojë të sqarojë më shumë në lidhje me çështjen.

“Nëse Amerika kërkon të kërcejmë – ne nuk pyesim pse por sa!” – kishte thënë vitin e kaluar Albin Kurti. Kjo fjali nuk ishte e çuditshme në vete, por tingëllonte e çuditshme për shkak të autorit.

Albin Kurti kishte pasur përplasje të ndryshme me ambasadorët amerikanë, prej Christopher Dellit e këndej. Ai po ashtu nuk është pajtuar me politikat që këta ambsadorë mësynin t’i realizonin në Kosovë. Por, ardhja në pushtet u duk se e zbuti në një masë të konsiderueshme.

Ai ndërroi një numër shumë të madh qëndrimesh politike, por megjithatë ende jo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Paraprakisht, Kurti e kishte konsideruar si “hap në rrugë të duhur” propozimin franko-gjerman – që e mbante brenda Asociacionin, dhe që s’e jepte njohjen nga Serbia – duke e akuzuar Serbinë se nuk po e pranonte. Por, tash gjërat duket se kanë marrë një kthesë të beftë.

Cilat do të ishin pasojat në rast se Kosova paraqitet si palë destruktive në dialog përfundimisht?

Për të informuar sa më mirë lexuesit e Nacionales, bisedova politologët Shkodran Ramadani e Ognjen Gogiq, profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Avdi Smajljajn dhe gazetarin me përvojë Halil Matoshin.

Shkodran Ramadani

Ramadani beson që pasojat e para do të ndiheshin në veri të Kosovës, aty ku tensionet nuk u shuan gati krejt vjeshtën e vitit të kaluar.

“Pasojat e para më të ashpra do të vëreheshin në veriun e vendit, atje ku tensionet janë duke vluar që sa kohë. Në rast se ndërkombëtarët për kolapsin e procesit e fajësojnë Kosovën, situata në veri do të përshkallëzohej. Rrjedhimisht, edhe pakënaqësia e serbëve dhe çdo lloj rezistence ndaj autoriteteve të Kosovës, do të kishte mbështetjen e ShBA-së dhe BE-së.” – më tha fillimisht ai.

Sipas tij, një gjë e tillë do të çonte drejt humbjes së argumentit politik për Kosovën dhe përfundimisht drejt vuajtjes së pasojave.

“Përpjekjet e organeve të Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë do të lexohen si shtypje ndaj një komuniteti të cilit bashkësia ndërkombëtare ia ka pranuar kërkesat. Kështu, rebelimi i tyre në sytë e ndërkombëtarëve do të ishte legjitim. Sepse deri më tash bashkësia ndërkombëtare ka qenë neutrale, duke pasur respekt për kërkesat e dyja palëve. Por pala që fajësohet, do të humb argumentin politik dhe do t’i vuajë pasojat. Meqenëse fundin dhe rezultatin e përplasjeve mes Kosovës dhe Serbisë e përcakton bashkësia ndërkombëtare (kujto 1999), në këtë skenar Kosova humbjen do ta ketë të garantuar.” – argumentoi Ramadani duke shtuar se kjo do të çonte në një realitet të ri politik e diplomatik.

“Pasojat tjera do të jenë më pak të ndjeshme në terma afatshkurtër, por jo më pak të rëndësishme për kah interesi shtetëror. Ashtu-kështu, Kosova njëherë nuk ka gjasa që të anëtarësohet në BE e NATO. Mirëpo, pa mbështetje ndërkombëtare, stagnimi i njohjeve do të vazhdojë për më shumë kohë. Çnjohjet do të shtohen dhe Kosova do të refuzohet në çdo aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Këtë e paralajmëroi edhe vetë Albin Kurti që tha se “Kosova rrezikon të mbetet pa mbështetje ndërkombëtare,” – vazhdoi ai.

Ognjen Gogiq

Politologu dhe analisti i ri serb nga Kosova u mor konkretisht me propozimin franko-gjerman, duke më thënë që vendi ynë ishte në një pozitë shumë të vështirë dhe se Serbia fatkeqësisht ishte në pozicion më të favorshëm.

“Mendoj që propozimi franko-gjerman e vë Kosovën në situatën humbje-humbje. Hip se të vrava, zbrit se të vrava. Propozimi në thelb do të ngrijë bisedimet për statusin. Unë personalisht nuk shoh kurrfarë poente që të ndiqet kjo marrëveshje pasi qartazi parasheh vazhdimin e negociatave. Cili është qëllimi, atëherë?

Është e qartë se BE-ja nuk mundet në këtë pikë, bile as me ndihmën e amerikanëve, që ta detyrojë Serbinë që ta pranojë Kosovën qoftë edhe në mënyrë të nënkuptueshme. Porpozimi nuk parasheh as njohje eksplicite e as implicite. Prandaj, Kosova nuk ka incentivën për ta pranuar propozimin. Sidoqoftë, Kosova nuk mund ta përballojë që të pajtohet me të edhe nëse shihet si renegate dhe humbet mbështetja e BE-së dhe ShBA-së. Serbia tashmë ka njoftuar për gatishmërinë e saj që të angazhohet në bisedime për propozimin, prandaj po e paraqet veten si palë konstruktive.” – argumentoi z. Gogiq.

Ai u shpreh se nuk sheh ndonjë arsye që ndonjë qeveri në Prishtinë të pajtohej me formimin e Asociacionit, sidomos duke qenë se plani franko-gjerman nuk e jep njohjen nga Serbia.

“Nuk arrij ta shoh se qysh ndonjë qeveri në Prishtinë do të pajtohej me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kurti është kundër Asociacionit në vetvete. Partitë tjera, si LDK-ja dhe PDK-ja janë më pragmatike. Ato doin ta mbanin Asociacionin si monedhë për ta këmbyer me njohjen nga Serbia kur të vinte koha. Prandaj, mendoj që asnjë parti nuk do të donte ta krijonte Asociacionin në momentin e tanishëm, nuk do të donin ta luanin atë kartë kaq herët.”

Por, cilat mund të ishin situatat që do të luheshin në vijim e që në bazë të aktualitetit dramatik duken mjaft të zorshme:

“Një mundësi për Kosovën do të ishte që të bëhej sikur po e formonte Asociacionin por më pas ta pengonte dhe zvarriste procesin. Disa parti tjera mund të bënin ashtu, por nuk mendoj se Kurti e bën. Ai do ta refuzojë menjëherë. Po ashtu nuk dihet nëse pala serbe do ta bënte të lehtë për Kosovën. Edhe nëse Kosova e nis procesin, Beogradi do të kërkonte për ndonjë formë që ta pengonte duke u ankuar rreth modelit të propozuar të Asociacionit, pushtetit dhe roleve etj. Kjo është situatë shumë e favorshme për Beogradin pasi topi është te Prishtina.” – pohoi ai.

Avdi Smajljaj

Sipas profesorit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, plani franko-gjerman për shkak të rrethanave gjeopolitike nuk është më interes vetëm i Kosovës dhe Serbisë dhe kjo e komplikon punën edhe sa i përket pasojave.

“Sikur pranimi i planit të ishte vetëm interes i dy palëve (Kosovës dhe Serbisë), mospranimi i tij, më së paku do të nënkuptonte status quo-në, e cila edhe ashtu është e paqëndrueshme, përderisa ne nuk jemi i vetmi faktor që ndikon në krijimin, ruajtjen ose ndryshimin e status quo-së. Më së shumti, nënkupton mungesën e mbështetjes ndërkombëtare nga ShBA dhe BE, që për Kosovën është jetike, në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës, anëtarësimin në BE, NATO, KiE, etj. Gjithashtu, nuk pritet se mund të ketë njohje të reja, apo edhe ndoshta mund të ketë edhe ndonjë çnjohje.” – u shpreh z. Smajljaj.

Halil Matoshi

Matoshi ishte edhe më i ashpër e edhe më i drejtpërdrejtë sa i përket temës në fjalë.

“Do t’u them troç: Keni kërkuar - shikoni! Me refuzim, Kosova humbë momentumin për liberalizim vizash dhe nuk anëtarësohet në KiE. Serbia për herë të parë në histori do të dalë bashkëpunuese me Perëndimin duke marrë shumë investime dhe dinamikë të përshpejtuar anëtarësimi në BE. Kurti në rast se përfundimisht refuzon Perëndimin, (ShBA) do të izolohet nga aleatët e Kosovës dhe i mbushur mllef, do ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme me idenë e kthimit. Por ai nuk do të ngritet për herë të dytë. Amerika vetëm një herë të falë!” – tha gazetari dhe analisti i mirënjohur kosovar.

Duhet të kujtojmë se kryeministri Albin Kurti javëve të fundit ka kritikuar BE-në për mos-organizimin e takimeve mujore me presidentin serb Vuçiq ashtu siç thotë të jenë marrë vesh në takimin e 18 gushtit në Bruksel.

Në anën tjetër, ambasada e ShBA-ve në Prishtinë ka organizuar një takim për datën 31 janar ku do të diskutohet për modalitetet e Asociacionit.

Lajme të ngjashme