Aliu, Feraj, Ramabaja dhe Kërstiqi: Kush po e përkrah sot bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?
Bashkimi kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë është njëra nga temat më të përfolura, gati gjithnjë e pranishme në debatin publik. Natyrisht, me vëllime të ndryshme, në kohë festash kombëtare, diskutohet më ashpërisht. Madje, pikërisht në festën e 28 Nëntorit, Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës, e riktheu këtë debat, duke konkluduar se “shteti i Kosovës është projekt i përkohshëm”. Por kush po e përkrah aktualisht bashkimin kombëtar?
Janë tre emra, lehtësisht të qëllueshëm, që janë më të zëshmit në temën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Përveç Liburn Aliut, Hysamedin Feraj dhe Sadri Ramabaja janë njerëzit më të zëshëm në favor të bashkimit kombëtar, siç ndryshe njihet bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Nëse do të duhej të renditeshin në formë hierarkike bazuar në avokimin për këtë temë, atëherë në vendin e parë do të ishte Feraj, pastaj Ramabaja, e në fund Aliu. Megjithatë, gara për vendin e parë, mes Ferajt e Ramabajës, është e ashpër.
Feraj, aktualisht këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, është ndoshta njeriu që më së shumti e proklamon bashkimin kombëtar. Madje, Feraj avokon për këtë ide çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, çdo sekondë. Qysh? Përmes intros (hyrjes) në profilin e tij në "Facebook".
“Unë mendoj se bashkimi kombëtar duhet bërë sot!” – shkruhet në intron e Ferajt në Facebook.
Nuk dihet bash saktë se kur Feraj e ka shkruar këtë fjali, por tashmë kanë kaluar shumë “sot”-e, tepër shumë ditë, dhe bashkimi kombëtar nuk është bërë. Megjithatë, me Ferajn pajtohet Aliu, ministri i rrugëve në Qeverinë e Kosovës, i cili ditë më parë e shpalli shtetin e Kosovës “projekt të përkohshëm”.
“Unë mendoj që Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë Ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet” – deklaroi Aliu në emisionin “Zanat” në T7, i cili më pas e sqaroi edhe më tutje këtë deklaratë, duke theksuar se Kosova është projekt i përkohshëm drejt “bashkimit me Shqipërinë”.
Natyrisht, Ramabaja është veteran, jo i UÇK-së, por në përkrahjen e idesë së bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në shumë raste, ai e ka proklamuar federatën shqiptare. Për më shumë, kësaj ideje, pra federatës shqiptare, Ramabaja ia ka kushtuar edhe një libër të titulluar “Federata shqiptare - kohezioni i shtetit-komb në BE”.
Ramabaja këtë ide e ka shpalosur edhe në mediat në Shqipëri. Ndonëse ishte diku në mal, muaj më parë Ramabaja deklaronte për televizionin "Report TV" se shqiptarët duhet të mendojnë për themelimin e Federatës Shqiptare.
“Ne duhet të ecim tutje në sforcimin e Repulikës, funksionalizimin e saj, dhe, pse jo, në rishikimin e mundësive për ecjen drejt krijimit të Federatës Shqiptare” – deklaronte Ramabaja.
Së fundmi, treshes së lartpërmendur, pra Aliut, Ferajt dhe Ramabajës, i është bashkuar edhe një person tjetër, pra treshja është bërë katërshe. Gazetari serb, Branislav Kërstiq, ka përkrahur një ide interesante.
“Që do të bëhet sikur shtetet brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që do të thotë një konfederatë midis Kosovës dhe Shqipërisë, të dy shtetet janë të pavarura” – deklaroi Kërstiqi mbrëmë në televizionin "Kanal 10".
Sjellim ndër mend se Kurti, që nga ardhja në pushtet, nuk ka folur shumë e gjatë për bashkimin me Shqipërinë, temë që dikur e kishte të parapëlqyer. Madje, ai ka thënë që Kushtetuta e Kosovës e ndalon bashkimin me një shtet tjetër.
“Fatkeqësisht, Kushtetua e Kosovës e ka një kundërthënie, neni 1.1 thotë se Kosova është shtet i pavarur, ndërsa, neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër. Në këtë kuptim, pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur, por njëkohësisht paraqet pengesë për integrime siç është ai evropian. Në Kosovë nuk kemi ligj për referendum dhe nuk e ndryshojmë Kushtetutën, por pa dyshim se kjo është intenca historike dhe dëshira e shqiptarëve” - ka deklaruar Kurti në Lezhë të Shqipërisë kohë më parë.