‘Rugova ishte kolaboracionist’: Akuzat e VV-së ndaj Thaçit, pasi kishte marrë pjesë në varrimin e ish-presidentit
Zyrtarë të lartë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti e kryediplomaten Donika Gërvalla morën pjesë të shtunën në zbulimin e shtatores së ish-presidentit, Ibrahim Rugova në Podujevë. I pari i Qeverisë madje, më vonë shkroi edhe disa fjalë në rrjete sociale. Megjithatë, komunikatat e shkruara nga Vetëvendosje në opozitë, tregojnë qëndrime krejt të ndryshme sa i përket ish-presidentit.
Është e famshme komunikata e Vetëvendosjes me titullin “Gjaku i humbur”. Aty partia e Kurtit që sot është kryeministër, e quante Rugovën “kolaboracionist”.
Në komunikatën e njëjtë, kishte akuza ndaj ish-presidentit e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, madje me fjalët: “…ai nuk mund të na mashtrojë më, ti ke ende mundësi”.
“Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në.” – thuhej mes tjerash.
Çka tha Kurti sot?
Me fjalë krejt të ndryshme, kryeministri Kurti e kujtoi sot Rugovën, madje duke thënë se ai me politikat e tij “përfaqësontë Kosovën për liri, demokraci e pavarësi”.
“Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi.” – ka shkruar mes tjerash Kurti.
Në anën tjetër, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi të shtunën tha se Kurti e Gërvalla “nuk e kanë fshehur urrejtjen dhe mosrespektin ndaj Rugovës”.
“Luftë e pakompromis e Vjosës, Albinit dhe Donikës për elektoratin rugovist në Podujevë. Secili, në formën e vet të mashtrimit, pretendon se çmon vlerat e Presidentit Rugova. Përderisa Albini dhe Donika, për të gjallë të tij, nuk e kanë fshehur urrejtjen dhe mosrespektin ndaj tij, Vjosa, si më e reja, përveç retorikës së pasur pro-rugoviane, asgjë rugoviste nuk ka. Lirisht, njeriu mund të konkludojë se qasja e të treve ndaj politikëbërjes dhe vlerave për të cilat ka qëndruar Prof. Dr. Ibrahim Rugova, ka qenë aq e ultë sa që sa herë e përmendin Rugovën, atij i rrotullohen eshtrat në varr” – ka shkruar ai.