Dikur Rugova 'kolaboracionist', e vajza e tij ‘peng’: Ndryshimi radikal i Kurtit për Ibrahim Rugovën - NACIONALE

Dikur Rugova 'kolaboracionist', e vajza e tij ‘peng’: Ndryshimi radikal i Kurtit për Ibrahim Rugovën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot vizitoi rezidencën e presidentit historik Ibrahim Rugova, duke takuar gjithashtu edhe familjen e tij.

Në rrjetin social facebook, Kurti tha se Rugova e bashkoi popullin kundër okupimit të Serbisë. “Duke bërë rezistencën humane e humanitetin rezistencë”, shkroi kryeministri i vendit.

Kryeministri i Kosovës me vizitën e sotme, vetëm konfirmoi ndryshimin radikal të qëndrimeve lidhur me presidentin historik Rugova.

Është e famshme komunikata e Vetëvendosjes me titullin “Gjaku i humbur”. Aty partia e Kurtit që sot është kryeministër, e quante Rugovën ‘kolaboracionist’. Aty akuzohej Thaçi pse kishte shkuar të bënte homazhe.

“Ti që shkele mbi gjakun e Adem Jasharit dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve tjerë, është turp që ta përmendësh emrin e tij. Është turp që ta keqpërdorësh fotografinë e tij. Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë. Ti që thirresh në emër të luftës dhe në emër të atyre që dhanë jetën për çlirim, pranove që në Rambuje të jetë edhe Ibrahim Rugova, njeriu që kurrë nuk e njohu UÇK–në.” – thuhej ndër tjerash.

Komunikata ishte e fshirë dhe as sot nuk mund të gjendet nëpër platformat e partisë në pushtet.

Në një tjetër deklaratë të tij kohë më parë, Kurti e pati quajtur Rugovën si bllokues të lëvizjeve çlirimtare.

“Ideja e Rugovës ka qenë të pengojë dhe të bllokojë çfarëdo dinamizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare, rezistence aktive”, pati thënë Kurti në një intervistë pas luftës.

Për të, Rugova ishte autoritar dhe i pasuksesshëm në politikë.

“Çfarë mendoj për Lidhjen Demokratike të Kosovës, mendoj atë çfarë kam menduar gjithmonë, duke qenë se Lidhja Demokratike e Kosovës në ndërkohë nuk ka ndryshuar. Unë nuk mendoj se ajo është lidhje demokratike. Ajo është një parti autoritare, e cila e ka në krye një njeri që 12 vite, Z. Rugova, i cili nuk është dëshmuar me suksese në politikë”, shprehej dikur kryeministri aktual.

LDK-ja, sipas Kurtit, ishte “peng i kryetarit të saj, Z. Rugova”. Ai thoshte se nevojitej një reformë në këtë parti dhe në vend të Rugovës, në krye të vinte dikush “i cili do të mund ta përparonte këtë parti”.

Në mesin e familjarëve të Rugovës që sot takoi Kurti, ishte edhe vajza e presidentit historik, dikur deputetja e LDK-së, Teuta Rugova. Këtë të fundit, Kurti e quante “peng të Hashim Thaçit”.

“Kosova është shtet i kapur, kurse Teutë Rugova është e marrë peng para syve të dy milionë qytetarëve”, shkruante Kurti.

E sot, fjalët e kryeministrit kanë ndërruar radikalisht.

Postimi i sotëm:

Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë.

Në nderim të figurës së tij dhe kontributit të madh për kombin dhe shtetin tonë, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministrin Çeku vizituam familjen Rugova: bashkëshorten Fanë, vajzën Teuta, djemtë Mendimin dhe Ukën me bashkëshortet e tyre Blerinën dhe Blertën.

Na pritën në Rezidencën e Presidentit Rugova, aty ku ai kishte pritur personalitete të mëdha botërore dhe ku janë marr vendime të rëndësishme e përcaktuese për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë shtëpi Dr. Rugova zhvilloi aktivitetin e tij nga viti 1993 e deri në ditën e fundit të jetës. Për shkak të vlerave që posedon, kjo ndërtesë është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot.

Lajme të ngjashme