Afati po skadon: Presidentja Osmani kundërshton kërkesën për shtyrjen e vendimit për targat - NACIONALE

Afati po skadon: Presidentja Osmani kundërshton kërkesën për shtyrjen e vendimit për targat

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanë mbetur edhe shtatë ditë nga kalimi i afatit për konvertimin e targave në “RKS”. Teksa kërkesat janë shtuar që ky vendim të shtyhet edhe për 10 muaj. Në anë tjetër Qeveria dhe Presidenca nuk kanë garantuar askënd që mund të shtyhet ky afat.

Kërkesa për shtyrjen e vendimit për konvertimit e targave u bë nga i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar gjatë vizitës në Kosovës, ka thënë se ka bërë kërkesë ndaj kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentes, Vjosa Osmani që të shtyhet edhe për 10 muaj afati për ndërrimin e taragve për serbët që posdojnë targa ilegale.

Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-së, por e gjithë vendeve të QUINT-it. Dhe kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë ai në Kanal 10.

Ai kishte thënë se nuk kanë marrë granci nëse ky vendim do të shtyhet.

Jo, nuk morëm. Prandaj, ende po e pres këtë.”, ka thënë Escobar.

E një përgjigje pozitive nuk duket se mund ta pres i dërguari i SHBA-ve, Gabriel Escobar, pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të dielën ka kërkuar që Qeveria të mos ‘lëkundet’ nga vendimi për targat.

Presidentja Osmani ka thënë se ka pasur afat të mjaftueshëm që serbët t’i konvertojnë targat e tyre në “RKS” dhe sipas saj, kjo temë është çështje e sundimit të ligjit.

Bile ajo theksoi që 90 për qind e serbëve kanë ndërruar targat. Kështu si presidentja, ka thënë edhe kryediplomatja, Donika Gërvalla.

Çështja e targave mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, sepse mbi 90% e serbëve që jetojnë në Kosovë tashmë i kanë konvertuar targat e së kaluarës në targa të ligjshme”, ka thënë fillimisht Osmani. “Pra, e kanë respektuar ligjin dhe njëkohësisht kanë kontribuar në sundim të ligjit dhe në trajtim të të gjithëve në mënyrë të barabartë para ligjit”, ka thënë Osmani.

Ka pasur afat të mjatueshëm që ky konvertim të bëhet për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”, shtoi tutje ajo.

Gjithashtu, edhe Qeveria e Kosovës ka thënë është obligim i tyre sundimi i ligjit dhe kushtetushmëria sa i përket çështjes së targave.

Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 31 e as 30 tetor sot. Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, ka thënë ditë më parë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Të shtyhet vendimi

Në anë tjetër, ish-kryediplomatë të Kosovës, kanë kërkuar që Qeveria Kurti të dëgjojë kërkesën e Escobar dhe të shtyjë vendimin për targat.

Ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni ka thënë se Kosova duhet të respektojë kërkesën e Escobar.

Pra, e them me bindje se qeveria e Kosovës duhet të respektojë kërkesën e Eskobar që duket se është kërkesë edhe e gjithë Quintit dhe të shtyjë implementimin e vendimit për targat, duke lënë hapur rrugën për marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila çështjen e targave dhe shumë problemeve tjera i zgjidhë me automatizëm

Nëse Kurti vazhdon të sillet me indiferencë dhe papërgjegjësi, pasojat për Kosovën dhe qytetarët e saj do të jenë tepër të mëdha”, ka thënë Hyseni.

Edhe ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka kërkuar që kryeministri Kurti të shtyjë vendim për targat në mirëbesim ndaj Amerikës.

Ajo ka thënë se ky vendim të shtyhet për 2 muaj e jo për 10 muaj sa është kërkuar.

Këtë herë, KM Kurti t’ia falë mirëbesimin aleatit tonë amerikan dhe të pranojë një shtyerje të fundit fare për konvertimin e targave... Qeveria të bëjë shtyerjen vetëm edhe për 2 muaj (jo 10 sa kërkohet) dhe poashtu të paralajmërojë se pas datës 31 dhjetor 2022 secila veturë me targa ilegale do të konfiskohet deri në konvertim në targa RKS!”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Kujtojmë se Qeveria Kurti kishte marrë vendim për konvertimin e targave për vetura e serbëve të Kosovës. Në këtë vendim, serbët janë të liruar nga tatimi doganor.

Deri më tani sipas raportimeve të mediave, një numër i vogël i qytetarëve kanë konvertuar targat nga ilegale në ato legale “RKS”.

Mbetet të shihet nëse Qeveria do të shtyjë vendimin pas kërkesës së SHBA-ve.

Lajme të ngjashme