Lajçak flet në Twitter për vizitën në Kosovë: Me Kurtin bisedova edhe për targat - NACIONALE

Lajçak flet në Twitter për vizitën në Kosovë: Me Kurtin bisedova edhe për targat

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka dhënë detaje për vizitën e tij të rregullt në Prishtinë.

Lajçak përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti, vazhdoi diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ai po ashtu, tha se kanë folur edhe rreth afatit të 31 tetorit për targat dhe zhvillimet e fundit në fushën e energjisë.

“Në vizitën time të rregullt në Kosovë, jam takuar me kryeministrin Albin Kurti për të vazhduar diskutimet tona shumë të dobishme për progresin vendimtar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, afrimin e afatit të 31 tetorit për riregjistrimin e targave dhe zhvillimet e fundit në fushën e energjisë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Lajçak foli edhe para mediave në Kosovë për takimin që e pati me Kurtin. Ai pranoi se vizitat po bëhen edhe për shkak të planit franko-gjerman, për të cilin para disa ditësh foli edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar.

Lajçaku nuk pranoi të ofrojë shumë detaje, pasi, sipas tij, kjo i dëmton bisedimet.

“Ne diskutuam edhe për këtë (planin franko-gjerman), kjo është arsyeja pse jam shpesh këtu. Nuk e ndihmon procesin, nëse jap detaje. Kemi pasur diskutime të mira dhe serioze, jam në kontakt të vazhdueshëm me Kurtin e Vuçiqin”, deklaroi emisari i BE-së për dialogun.

Lajme të ngjashme