Afati i marrëveshjes, urgjenca, detyrat specifike - Ambasadori amerikan flet pas marrëveshjes së djeshme - NACIONALE

Afati i marrëveshjes, urgjenca, detyrat specifike - Ambasadori amerikan flet pas marrëveshjes së djeshme

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se është mirënjohës për arritjen e marrëveshjes së djeshme për targat, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Derisa çështja që mbetet tani për t’u diskutuar është propozimi franko-gjerman, ambasadori ka folur për afatet, urgjencën e arritjes së marrëveshjes së plotë dhe detyrat specifike të të dyja shteteve.

Në një intervistë për “Rubikon”, ambasadori Hovenier, ka thënë se një prej zotimeve të marrëveshjes së djeshme, është që të merret me urgjencë propozimi i përkrahur nga Franca dhe Gjermania.

"Zotimi i dytë ishte që me urgjencë të merret ky propozim për normalizim që është prezantuar nga BE-ja, është përkrahur nga Franca dhe Gjermania dhe të vazhdohet me këtë çështje të rëndësishme", tha ai.

Marrëveshja e plotë – A ka afate?

"Është sfiduese të vendosësh afate për negociata, sidomos kur nuk je pjesëmarrës", thotë ambasadori amerikan.

Sidoqoftë, siç ka theksuar ai tutje, kjo varet edhe nga palët, por se edhe pas marrëveshjes së djeshme, u zotuan që të “koncetrohen plotësisht me urgjencë në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve”.

“Kjo varet nga vetë palët, por një nga zotimet e rëndësishme që është bërë në marrëveshjen e djeshme është, citoj, “të fokusohemi që të koncentrohemi plotësisht me urgjencë në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ai.

Ambasadori amerikan tutje ka thënë se për “afatet” mund të flasë Bashkimi Evropian, por e potencoi qartë se kjo është “në rrugë të shpejtë”, ndërsa e përmendi edhe një herë urgjencën e situatës.

“Dokumenti në vetvete parashtron disa takime specifike të udhëhequra nga BE-ja, qëllimi i të cilave është që të punohet për të krijuar rezultate. BE-ja mund të flasë për këto afate, por kjo është në një rrugë të shpejtë. Kjo është në një afat kohor që tregon urgjencën e kësaj çështje”, ka thënë ai.

Çfarë ndodhë në muajt në vazhdim?

Serbia dhe Kosova do të diskutojnë për disa çështje në kontekstin e propozimit, dhe ambasadori, u bëri thirrje Kosovës e Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata.

Ai paralajmëroi se do të ketë përfshirje edhe më të madhe të ShBA-së në këtë proces, pasi siç theksoi më tutje, “ShBA-ja nuk është shikues objektiv”.

“Ky është një proces i lehtësuar nga BE-ja, është negocim mes Kosovës dhe Serbisë. Por ne nuk jemi shikues objektiv. ShBA-ja është shumë e interesuar ta shohë këtë process që të vazhdojë përpara, jemi të interesuar të punojmë me të dyja palët. Ka pasur indikacione edhe nga emisari Lajçak, që falenderon edhe Departamentin e Shtetit Amerikan për marrëveshjen e djeshme. Do të shihni përpjekje të fuqishme nga qeveria ime, unë, kolegët e mi, ambasadori Hill, emisari Escobar”, tha ai.

Detyrat specifike

Për palët e përfshira në negociata, ambasadori amerikan tha se do të ketë gjithmonë detyra specifike.

Sërish, “ia la fjalën” emisarit Lajçak që të flasë për hapat e ardhshëm rreth marrëveshjes së radhës.

“Ka gjithmonë detyra specifike për palët që janë të përfshira në negociata, por ndoshta më mirë ndërmjetësusi Lajçak të flasë për hapat e ardhshëm”, ka thënë ai.

Derisa është përfaqësues amerikan në shtetin e Kosovës, ai pati edhe një kërkesë.

“Ajo që ShBA-ja kërkon është që Kosova, të përfshihet në mënyrë konstruktive, me fleksibilitet dhe me urgjencë në këtë proces, e njëjta do t’i kërkohet edhe palës tjetër”, tha Hovenier në fund.

Çfarë ndodhi mbrëmë?

Në orët e mbrëmjes të së mërkurës, shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, konfirmoi se Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për targa.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do të ndalojë lëshimin e targave, kurse Kosova do t'i ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.

"Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t'i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur",
shtoi tutje ai.

Siç shkroi shefi i diplomacisë evropiane, ditëve të ardhme do të ketë edhe diskutime të tjera.

Megjithatë, detaje interesante janë parë në marrëveshjen e plotë të publikuar tashmë në media. Nga komunikata zyrtare e Brukselit bëhet e ditur se palët do t'i respektojnë në tërësi marrëveshjet e mëparshme.

Paragrafi i dytë i pikës së tretë thotë qartë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen.

"Palët pranojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme do të respektohen",
shkruan ndër të tjerash.

Veç kësaj, thuhet se evropianët do të vazhdojnë të lehtësojnë dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Lajme të ngjashme