“Adem Jashari; milioner i korruptuar”: Shkrimi i Parim Ollurit, që tronditi opinionin 6 vite më parë - NACIONALE

“Adem Jashari; milioner i korruptuar”: Shkrimi i Parim Ollurit, që tronditi opinionin 6 vite më parë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Parim Olluri është gazetar dhe analist i njohur për qëndrime interesante. Bashkë me Vehbi Kajtazin, Olluri ishte një nga zbuluesit e aferës “Pronto”, ku përfshiheshin zyrtarët më të lartë të PDK-së në afera të dyshuara korruptive, të cilat gjykata i ka hedhur poshtë.

Megjithatë, Olluri mbahet mend edhe për një shkrim jashtëzakonisht provokativ. 6 vite më parë, z. Olluri e kishte shkruar një shkrim me titull “Nëse Adem Jashari do të ishte gjallë dhe do të ishte milioner i korruptuar”, ku shkruante rreth cinizmit të imagjinuar të një bashkëbiseduesi për figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në shkrimin e tij, z. Olluri pyeste se si do të ndiheshit, nëse dikush do t’iu thoshte se sikur të ishte gjallë Adem Jashari, komandanti legjendar i UÇK-së, ai do të ishte një biznesmen i fuqishëm i pasluftës.

“E keni menduar ndonjëherë se si do të ndiheshit nëse dikush do t’iu thoshte se, nëse Adem Jashari do të ishte gjallë, do të ishte një biznesmen i fuqishëm i pasluftës. Do të thoshte se komandanti legjendar do të ishte edhe pronar i Z-Mobile, kompanisë që u përfol shumë për përfshirje në afera korruptive. Ose edhe më keq – nëse sarkazma e bashkëbiseduesit tuaj nuk do të përfundonte me kaq, por do të përfshinte edhe heronjtë tjerë të UÇK-së.” – theksonte z. Olluri.

Tutje, drejtori i Insajderit përmendte në shkrim edhe disa figura të tjera, përfshrië Hamëz Jasharin, Zahir Pajazitin, Fehmi Lladrovcin e Luan Haradinajn, që të gjithë dëshmorë të luftës së fundit në Kosovë.

“Do të thoshte se Hamëz Jashari do të ishte një nga pronarët më të mëdhenj të fabrikave të privatizuara nëpërmjet aferave korruptive. Apo do të thoshte se, nëse Zahir Pajaziti do të mbetej gjallë, do të ishte pronar i Hotel Grand-it.

Bashkëbiseduesi juaj do të vazhdonte me cinizëm duke thënë se, nëse Fehmi Lladrovci, një prej komandantëve të rrallë që fliste në gjuhën angleze kur intervistohej nga mediet e huaja, do të ishte një prej abuzuesve më të mëdhenj të donacioneve ndërkombëtare.” – shkruante Ollur 6 vite më parë.

E të gjitha këto biseda imagjinare me bashkëbiseduesin cinik, Olluri i kishte bërë për të dalë te shënjestra e tij, e që ishin ish-komandantët e gjallë të UÇK-së, të cilët ai i akuzonte për korrupsion.

“Nëse tingëllon fyese për UÇK-në ndërlidhja e heronjve të vdekur me biznese, është ende me fyese që “heronjtë” e gjallë e kanë bërë realitet këtë ironi. Ata e kanë fyer UÇK-në, duke qenë pronar të bizneseve të ngritura nëpërmjet kriminalitetit.

Kjo është arsyeja se ju nuk duhet t’i mbroni verbërisht ish-komandantët e korruptuar të UÇK-së. Ata, komandantët e korruptuar, e kanë fyer UÇK-në duke u përfshirë në biznese e përfitime të mëdha të dyshimta. Janë bërë shumëfish më të pasur sesa ne dhe nuk mërziten që bashkëluftëtarët e tyre të dikurshëm nuk kanë para për t’i mbajtur me bukë fëmijët e tyre.” – shkruante z. Olluri.

Madje, z. Olluri, që tash është analist më shumë se gazetar, përmendte me emër edhe disa ish-komandant të UÇK-së, të cilët pas lufte u shndërruan në politikan.

“Është fyese për UÇK-në kur e sheh që Sami Lushtaku akuzohet se i ka bërë presion drejtorit të një ndërmarrjeje publike që të vendoste në favor të kompanisë “Security Code”. Është fyese për UÇK-në kur e sheh që familja e komandant Rexhep Selimit ka krijuar një perandori biznesi. Është fyese për UÇK-në kur e sheh që familja e drejtorit politik të UÇK-së, Hashim Thaçit, ka krijuar një perandori të pafundme biznesi.

Është fyese për UÇK-në kur e sheh se familjarët e komandat Sylejman Selimit janë përfshirë në një privatizim të dyshimtë. Është fyese për UÇK-në kur e sheh se ish-drejtori i Shërbimit Informativ të UÇK-së, Kadri Veseli dhe familjarët e tij menaxhojnë një kompani private që ka përfituar në mënyrë të dyshimtë tenderë nga zyra e Hashim Thaçit.” – vazhdonte z. Olluri.

Ndryshe, pas këtij shkrimit, Olluri ishte sulmuar, ndërsa në një prononcim për Periskopin, ai e ndërlidhte sulmin ndaj tij me këtë shkrim, pjesë të së cilit i lexuat më lartë.

“Po dyshoj se sulmi ndodhi për shkak të shkrimit të fundit. Mendoj se sulmuesit janë dërguar nga dikush. Pas publikimit të shkrimit ka pasur komente kërcënuese, edhe në Insajder.” - theksonte Olluri.

Lajme të ngjashme