Abdixhiku: Pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën - NACIONALE

Abdixhiku: Pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në përvjetorin e 33-të të kësaj partie ka thënë se Kosova sot po përballet me kriza të njëpasnjëshme.

Abdixhiku gjatë fjalimit të tij ka thënë se rëndesa ekonomike, rritja e çmimeve, kaosi energjetik, rrënimet shëndetësore, arsimore e shumë të tjera tashmë janë bërë të zakonshme.

Sipas tij të zakonshme janë bërë edhe përplasja me aleatët tanë.

“Sot, Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme. Rëndesa ekonomike, e rritjes së çmimeve, e kaosit energjetik, e rrënimit shëndetësor e arsimor, e polarizimeve të skajshme me sektorin privat, me media, me mësues, mjek e me gjithë spektrin politik është bërë krejtësisht e zakonshme; siç është bërë e zakonshme dhe përplasja me aleatët tanë”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së tutje ka thënë se përderisa familjet kosovare janë lënë në mëshirë të krizave globale, pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën.

Përderisa familjet kosovare janë lënë në mëshirë të krizave globale, pushteti popullist vazhdon të ndërtojë narracione fiktive mbi të shkuarën. Dhe përderisa të njëjtit mbesin peng të përbaltjes të së shkuarës, ata harrojnë të bëjnë punë të së tashmes – për çka dhe janë zgjedhur të prijnë. Prandaj sot e dy vite, në gjithë Kosovën nuk ke një vendpunishte ku shteti bën një punë. Rrugët kanë mbetur të njëjta, shkollat, çerdhet, spitalet e termocentralet e domosdoshme për vendin nuk kanë marrë asnjë vëmendje tash e dy vjet. Prandaj sot Kosova ka rritjen ekonomike më të ulët në gjithë dekadën e shkuar. Prandaj sot papërballueshmëria e qytetarëve tanë është e rëndë”, ka thënë Lumir Abdixhiku.

Tutje Abdixhiku ka përmendur edhe ikjen e punëtorëve, duke thënë se bizneset kosovare sot nuk kanë as punë, por për fat të keq nuk do të kenë as punëtorë.

“Prandaj sot bizneset kosovare nuk kanë as punë; e për fatin e keq nuk do të kenë as punëtorë sepse ikja vazhdon dhe atë në rritje të frikshme. Për më tepër, një pushtet i paaftë brenda është i paaftë edhe jashtë; prandaj sot e dy vjet Kosova nuk ka marrë as edhe një njohje, nuk ka bërë as edhe një anëtarësim, nuk ka bërë as edhe një shenjë të vetme në avancimin e çështjes së Kosovës nëpër botë. Mbi të gjitha, sot Kosova është bërë temë e deklarimeve zhgënjyese nga aleatët tanë që na qëndruan në përpjekjen tonë kolektive edhe për liri, edhe për pavarësi edhe për demokraci. Kjo nuk është Kosova që e kemi menduar ndonjëherë”, ka thënë i pari i LDK-së.

Lajme të ngjashme