Pas raportimit të Nacionales Avokati i Popullit nxjerr raport, ATK ta ndryshojë rregulloren diskriminuese
Një shkrim i Gazetës Nacionale, me titull: “Paguaj 50 % më lirë, por s’ke të drejtë ankese – a po e shkel ATK-ja kushtetutën?” u bë shkas që institucioni i Avokatit të Popullit të niste hetimet ndaj ATK-së.
Siç, kishte paralajmëruar Nacionale, ATK-ja kishte nxjerrur rregullore me anë të së cilës, ua mohonte qytetarëve të drejtën e ankesës, në ato raste kur ata gjobiteshin nga ky institucion, e të cilët e kryenin pagesën brenda afatit të caktuar, për të përfituar 50 % zbritje.
Avokati i Popullit me datë 21 dhjetor, ka publikuar raportin, me anë të së cilit i ka dhënë epilog kësaj çështje.
ATK-ja rekomandohet ta ndryshojë këtë rregullore.
Në raport thuhet: “Avokati i Popullit, në bazë të nenit 16, paragrafi 4, të Ligjit nr.02/L-019 për Avokatin e Popullit, ka hapur rast sipas detyrës zyrtare, në bazë të artikullit të gazetës “Nacionale” i datës 15 korrik.
Tutje aty përshkruhet edhe epilogu i kësaj çështje e që duhet të jetë ndryshimi i rregullores diskriminuese.
“Avokati i Popullit rekomandon Administratën Tatimore të Kosovës, ta ndryshojë rregulloren mbi Përcaktimin e Procedurave për Funksionimin e Njësive Organizative për Gjoba dhe Ndëshkime, përkatësisht nenin 12, paragrafi 3, ra riformulojë në atë mënyrë që të mos humbet e drejta për ankesë.”
Tutje në raport, ceken faktet se nuk mund të mohohet një e drejtë kushtetuese e ligjore, me anë të një rregulloreje.
Çka kishte raportuar Nacionale?
Faik Bajrami nga Prishtina, tash e 10 vjet e ka nën udhëheqje një kafeteri. Ditë më parë, Faikut iu shqiptua një gjobë nga shteti me 500 euro.
Administrata Tatimore e Kosovës e dënoi pronarin e kësaj kafeterie me arsyetimin se biznesi i tij, nuk lëshonte kupona fiskalë.
Atë e dënoi Zgjona – që është një njësit i veçantë brenda Administratës Tatimore të Kosovës e cila merret me gjobat dhe ndëshkimet kryesisht të kundërvajtjeve që kanë të bëjnë me fushën e tatimeve.
Duke synuar që ta paguajë dënimin 50% më lirë brenda afatit të përcaktuar, Bajrami u detyrua ta paguante gjobën. Kjo edhe pse ishte i bindur që dënimi iu shqiptua pa të drejtë.
“E pagova gjobën për çdo rast. Thash më mirë 250 se sa 500, ama nijet e pata të ankohem, se s’ish problemi që unë nuk lëshoj kupona fiskalë. Veç atë ditë, e kam lënë kafiqin vet dhe kjo më ndodhi.” thotë Faik Bajrami për gazetën Nacionale.
Se a kishte të drejtë Faiku apo jo, nuk dihet, pa u vërtetuar rrethanat faktike.
Por për të zbardhur një rast të tillë, eksizton një mjet juridik i garantuar me Kushtetutë dhe me Ligj, i cili quhet “ankesë”.
E kjo e drejtë e ankesës z.Faikut, e të gjithë qytetarëve të tjerë, është duke iu mohuar nga Administrata Tatimore e Kosovës, qysh nga 27 janar i këtij viti.
Avokati Florin Lata, ka “denoncuar” publikisht këtë problematikë, duke e quajtur shkelje kushtetuese e ligjore, mos-lejimin e ankesave nga ATK, për gjobat që paguhen 50% më lirë.
“ATK përmes një njoftimi publik të datës 27.01.2022 me titull “Njoftim për tatimpagues – Gjobat mund të paguhen vetëm 50%, nëse paguhen brenda 15 ditëve” kishte vendosur që pas 5 vitesh të fillonte me zbatimin e nenit 30 par. 3 të Ligjit për Kundërvajtje edhe pse këtë ligj nuk e citon fare në njoftimin publik dhe e ka pasur obligim zbatimin e tij nga data 01.01.2017. Si duket, ATK ka nxjerr edhe një rregullore për Gjoba të cilën nuk e ka publikuar ende”, ka shkruar Lata.

“ATK pa asnjë bazë ligjore është duke i hedhur poshtë të gjitha ankesat ndaj gjobave të cilat tatimpaguesi i paguan me 50 % të shumës me arsyetimin se në rastet e tilla nuk është e lejuar ankesa. Pra, sipas ATK nëse tatimpaguesi e paguan gjobën me 50 % i humbet e drejta e ankesës me arsyetimin se kështu është përcaktuar me njoftimin publik dhe me rregulloren e brendshme të pa publikuar”, ka thënë më tutje ai.
E në një prononcim për gazetën Nacionale, avokati Lata ka sqaruar pse kjo është një shkelje kushtetuese.
“Asnjë ligj nuk e parasheh që nëse e paguan denimin nuk ke të drejt ankese. As ATK nuk thirret në ligj por në rregulloret e veta. Rregulloren e kanë nxjerrë në kundërshtim me ligjin. Nëse dikush paguan gjobën 50 % më lirë, ky nuk është mjet juridik. Mjet juridik është ankesa, dhe e drejta e ankesës nuk mund t’i mirret askujt. Jam i bindur se ATK-ja po e shkelë kushtetutën, po e shkelin ligjin.” thotë avokati Lata.
Njoftimi “diskriminues” i ATK-së
ATK në një njoftim publik me titull “Gjobat mund të paguhën vetëm 50% nëse paguen brenda 15 ditëve”, që mbanë datën 27 janar të vitit 2022 në rreshtat e parë të tij përmbanë informacione mbi lehtësimin e pagesës së gjobave.
“Bazuar në këtë Rregullore, tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba fikse për shkelje të legjislacioit tatimor, kanë mundësinë që të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës” thuhet aty.
Rreshtat problematik e anti-kushtetues, siç i quajti avokati Lata, vijnë menjëherë pas këtij lajmi të mirë.
“Në rast se tatim paguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit nga ZgjoNA, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur”
Pjesa problematike, ka të bëjë me fjalinë: “dhe në këtë rast procedura e ankimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur”
Pra, Administrata Tatimore e Kosovës e suprimon të drejtën e ankesës, me një rregullore të brendshme.
Rregullore e cila hyri në fuqi, nga data 1 shkurt e vitit 2022.
Gazeta Nacionale do ta monitorojë këtë çështje për të parë nëse Administrata e Kosovës, do ta ndryshojë rregulloren diskriminuese.


