Abdixhiku ia ofron Kuvendit dorëheqjen: Çfarëdo vendimi që merrni do ta respektoj me qetësi - NACIONALE

Abdixhiku ia ofron Kuvendit dorëheqjen: Çfarëdo vendimi që merrni do ta respektoj me qetësi

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka ofruar dorëheqjen e tij pra Kuvendit të LDK-së.

Në fund të adresimit të tij, ai ka treguar pse e ka bërë këtë veprim.

Para qindra delegatëve të LDK-së, ai ka thënë se këtë po e bën për ta bashkua LDK-në.

“Me përgjegjësi të plotë morale dhe politike, ia ofroj për shqyrtim Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëheqjen time nga detyra e Kryetarit, për ta vendosur përballë këtij Kuvendi çështjen e votëbesimit. Nuk e bëj këtë për ta shmangur përgjegjësinë, por për ta përmbushur atë si detyrim moral. Nuk e bëj këtë për të krijuar krizë, por për ta sqaruar drejtimin që na duhet përpara. Nuk e bëj këtë për ta ndarë LDK-në, por për ta bashkuar rreth vendimit më të lartë të saj. Prandaj ju pyes, çfarë dëshironi të bëni me mua si Kryetar, dhe me të ardhmen e kësaj partie? Çfarëdo vendimi që merrni, unë do ta respektoj me qetësi, dinjitet dhe besim. Sepse besoj te kjo sallë. Besoj te ky Kuvend. Besoj te pjekuria politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës” ka thënë Abdixhiku.

Më pas, ai ka folur edhe për kritikat që i janë drejtuar nga bashkëpartiaket e tij.

Ai nuk përmendi emra konkret, por iu referohej deputetëve Avdullah Hoti dhe Hykmete Bajrami, të cilët ia kishin kërkuar dorëheqjen e parevokueshme.

Më duhet të them edhe këtë: që në natën e zgjedhjeve, kur paralajmërova thirrjen e Kuvendit të partisë për ta trajtuar këtë çështje me përgjegjësi institucionale, pati zëra brenda LDK-së që kërkuan dorëheqjen time. Zëra që më vonë shfaqën edhe ambicie të hapura politike. Dorëheqja më është kërkuar kur i kemi rritur 70 mijë vota e lëre më tash. Por kishte një evoluim të çuditshëm dhe jokonsistent në këtë kërkesë. Fillimisht, nuk u mjaftonte paralajmërimi për dorëheqje të ofruar në Kuvend, u artikulua kërkesa për dorëheqje të parevokueshme. Ik, lësho vend, mu tha”, ka thënë ai, duke shtuar se kërkesa erdhi duke u forcuar.

Më pas, ajo kërkesë u shndërrua në ultimatum. Po nuk u dha dorëheqja juaj, do të japim ne. Disa dhe dhanë, ndonëse e tëra çfarë kërkonim, unë dhe bashkëpunëtorët tanë, ishte trajtimi i brendshëm i secilës çështje që kishim. Këtu pra. Në këtë Kuvend. Dhe në fund, pas ultimatumit dhe natyrisht mospranimit të tij, u shpall ideja se akti i dorëheqjes qenka tashmë i kryer dhe Kuvendi i LDK-së s’ka çfarë të vendosë. Merreni me mend. Kuvendi i LDK-së nuk mund të vendosë më! E kush pra? Të ju them të drejtën, duke ndjerë dhe peshën e madhe të përgjegjësisë, jo në pak raste kam menduar të parevokueshmen”, ka thënë ai.

Më tëj, ai ka thënë se e ka menduar edhe dorëheqjen e parevokueshme.

Siç më njihni tashmë, nuk jam lidhur asnjëherë për pozitë e karrige. Fundja, ndonëse po ndiej peshën e përvojës politike, sidomos të kryesimit të Lidhjes Demokratike, me 42 vite jetë, kam një jetë tjetër para për të nisur gjithçka nga fillimi, këtu mes jush. Nuk do të ishte fundi. Por, sikurse kam dëgjuar këto pak zëra që kërkonin largim ultimativ për lëshim rendi, kam dëgjuar shumë më tepër zëra të anëtarësisë, të strukturave dhe të delegatëve që kërkonin përballje me të vërtetën dhe angazhim. Që kërkonin mbrojtjen e shtëpisë sonë politike sidomos nga praktika që nuk na kanë lënë asnjëherë të ngritemi mbarë”, ka thënë Abdixhiku.

Në adresimin e tij të gjatë, i pari i LDK-së ka thënë se ai e merr përgjegjësinë për rezultatin e 28 dhjetorit.

Përgjegjësia ka emër, ka funksion dhe ka adresë. Dhe sot, ajo adresë jam unë, si prijës i kësaj partie. Unë i marr mbi vete të gjitha përgjegjësitë. Jo pjesërisht. Jo me kusht. Jo duke i ndarë sipas rrethanave. Por plotësisht. Edhe kur nuk kemi arritur ta konsolidojmë lidershipin në nivelin që e kërkonte koha, përgjegjësia është e imja. Edhe kur ritmi i ndryshimit nuk ka qenë gjithmonë i balancuar si duhet, përgjegjësia është e imja. Edhe kur qëllimi ynë politik nuk është komunikuar me qartësinë që e meritonte, përgjegjësia është e imja. Edhe kur organizimi nuk ka funksionuar në nivelin optimal, përgjegjësia është e imja”, është shprehur ai, duke shtuar

Sepse ky është thelbi i udhëheqjes. Prijësi nuk është ai që del përpara vetëm kur gjërat shkojnë mirë. Prijësi është ai që del përpara pikërisht kur gjërat nuk kanë shkuar si duhet. Ai që nuk e shpërndan fajin poshtë për të mbrojtur veten lart. Ai që nuk fshihet pas strukturave, as pas rrethanave, as pas numrave. Një parti mund të ketë dhjetëra arsye për një rezultat. Por ajo ka vetëm një udhëheqje. Dhe pa marrë parasysh sa komplekse janë shpjegimet, përgjegjësia politike gjithmonë mblidhet në një pikë. Kjo nuk e përjashton askënd nga puna që duhet bërë. Nuk e amniston askënd nga detyrimet organizative. Por e vendos rendin e duhur të gjërave: së pari përgjegjësia, pastaj analiza; së pari udhëheqja, pastaj strukturat”, ka vlerësuar ai.

Para qindra delegatëve, ai ka kritikuar edhe organizimin e LDK-së.

Sipas tij, nuk është normale dallimi i votave të LDK-së në mes të zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale.

Nuk është normale, dhe nuk është e shpjegueshme lehtë, që LDK - e vetmja parti në vend - të humbasë vota në zgjedhjet nacionale krahasuar me zgjedhjet lokale. Kjo nuk është dukuri e zakonshme politike. As në Kosovë, as në ndonjë vend tjetër. Si është e mundur që LDK të fitojë zgjedhjet lokale, dhe pesë javë më pas të reduktohet aq shumë në zgjedhje nacionale? Është faji te prijësi? Tek ekipi? Tek mesazhi? Apo tek angazhimi i secilit veprimtar në secilin drejtim. Nëse është faji te prijësi i partisë, zgjidhja është krejt e lehtë. Ndërrohet. Bëhet tjetri. Por nëse struktura jonë nuk arrin ta mbajë të njëjtin intensitet, disiplinë dhe mobilizim në çdo cikël zgjedhor, atëherë kemi problem më të thellë; kemi problem organizativ”, ka thënë ai.

Dhe nuk e kam fjalën vetëm për performancën në qytetet ku fitojmë. LDK në secilën komunë, edhe aty ku nuk kemi fituar tash e dy dekada, ka më pak votë nacionale se sa lokale; apo ka shumë më shumë vota lokale se sa në nacionale. LDK nuk mund të funksionojë si konfederatë interesash lokale. Nuk mund të jetë e fortë lokalisht dhe e dobët kombëtarisht. Ose jemi parti e organizuar në çdo nivel, ose rrezikojmë të jemi të fragmentuar, të copëzuar, të reduktuar”, është shprehur Abdixhiku.

Lajme të ngjashme