AAK: Të ndalen mashtrimet, propozimi për faljen e tatimit për 100 euro është anti-ligjor
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria Kurti që t’i ndalojë mashtrimet dhe të shfuqizojë vendimin për rritjen e tatimit në pronë.
Përmes një reagimi në faqen zyrtarë në Facebook, AAK kanë thënë se vendimi i ministrit Hekuran Murati ka goditur xhepin e qytetarëve në kohën kur janë ngritur çmimet e produkteve.
AAK thekson se nisma për faljen e 100 eurove të tatimit në pronë është anti-ligjore.
“Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Reagimi i AAK-së:
Të ndalen mashtrimet, qeveria ta shfuqizojë vendimin për rritje të tatimit në pronë!
Vendimi i Ministrisë së Financave për rritjen e tatimit në pronë, ka goditur direkt xhepin e qytetarëve, në këtë kohë kur çmimet për secilin produkt janë dyfishuar.
Në mungesë të veprimeve serioze në shërbim të rritjes së mirëqenies socio-ekonomike, qeveria paska vendosur që përmes kuvendeve komunale të vazhdojë me mashtrim, me propozimin për faljen e tatimit në pronë për 100 euro. Kjo nismë është anti-ligjore, sepse Ligji për Tatimin në Pronë është i aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë ta ndryshojë ose të falë borxhet e tatimit në pronë.
Kjo qasje mashtruese duhet të ndalet! Të shfuqizohet aplikimi i rivlerësimit të fundit dhe faturat për vitin 2023 të llogariten sipas vlerësimeve të bëra para vitit 2022!
