A pritet të ketë marrëveshje në takimin e sotëm Kurti – Jasharaj? - NACIONALE

A pritet të ketë marrëveshje në takimin e sotëm Kurti – Jasharaj?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Në një situatë tjetër, do të ishte takim i zakonshëm dhe normal. Megjithatë, përplasjet në distancë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe kreut të SBAShK-ut Rrahman Jasharaj e kanë krijuar një “meç” politik mes tyre gjë që ka ‘detyruar’ opinionin ta pres me kërshëri të theksuar takimin e nesërm.

Madje, paralajmërimi për një gjë të tillë erdhi krejt papritmas, ose thënë më mirë, një ditë pas kritikave të radhës të njërës palë dhe tjetrës.

Fillimisht ka qenë Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu që përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” konfirmoi afër 30 takime mes ekzekutivit dhe sindikatave.

“Gjithsej janë zhvilluar mbi 30 takime ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave. Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”, ka shkruar Kryeziu mes tjerash.

Në anën tjetër, SBAShK-u, respektivisht anëtarët e institucionit në fjalë mbajtën një takim me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykolli.

Përmes një komunikate, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se janë pajtuar që greva të vazhdojë.

"Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë. Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje", shkruhej ndër të tjerash në komunikatë.

Mesatarja

Ka qenë Ramiz Kelmendi, që ka propozuar një mesatare për të gjetur zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje. Ai shkroi se po të bëhej një pagesë prej 85 euro për mësimdhënësit, sipas Kelmendit do të ishte e mjaftueshme që situata të kthehej në normalitet.

“Duke e parë këtë dramë, nevoja e çunit dhe tëe tjerëve që të shkojnë në shkollë është e domosdoshme, por, duke parë se edhe kostoja jetësore e mësuesit është rrite, mendoj se te dy palët me kërkesa të drejta, të arsyetuara, duhet të gjejnë një mesatare në mes të 50 eurove të përkohshme dhe 100 eurove të përhershme. Një mes i artë prej 85.oo eurosh duhet të hapte rrugën e bashkëbisedimit të mëpastajm mes palëve dhe arsyetimit të vlerave tjera”, shkroi veç tjerash Kelmendi.

Marrëveshja!

A janë palët gati për marrëveshje? Me siguri se po. Por, mbetet të shihet. Në një paraqitje televizive, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në Debat Plus tha se me gjasë në takim do të jetë e pranishme edhe ajo, bashkë me ministrin e financave, Hekuran Murati.

Në anën tjetër, Jasharaj pritet t’i paraqesë kërkesat e mësimdhënësve, pra atë të 100 eurove deri në miratim të ligjit të pagave.

Kujtojmë, vet Jasharaj ka thënë se greva do të ndërpritet nëse do të plotësohen kërkesat, ose nëse kjo gjë i kërkohet nga vet mësimdhënësit.

Nacionale do t'ju raportojë në kohë reale për çdo risi eventuale nga ky takim dhe jo vetëm.

Lajme të ngjashme