Mbi 1,500 të pagjetur 27 vjet pas luftës: Kosova kërkon presion të BE-së mbi Serbinë për hapjen e dosjeve
Njëzet e shtatë vjet pas përfundimit të luftës në qershor të vitit 1999 dhe tërheqjes së forcave serbe, fati i më shumë se 1,500 personave në Kosovë vazhdon të mbetet i pazbardhur.
Kjo plagë e hapur përkujtohet në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me Rezolutën 65/209 të vitit 2010 dhe të shënuar që prej vitit 2011.
Zhvillimi më i fundit në terren vjen nga komuna e Zubin Potokut. Më 24 gusht 2026, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur njoftoi se gërmimet katërjavore në Kalludër dhe Jabukë zbuluan mbetje mortore që u përkasin të paktën 23 individëve: 13 ndërmjet Kalludrës së Madhe e të Vogël, 4 në Jabukë dhe 6 në një lokacion tjetër në Kalludër.
Pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë , Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, që të ushtrojë presion ndaj Serbisë për hapjen e dosjeve që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Kurti foli pas homazheve te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
“Informacionet na vijnë jo të plota, pastaj na vijnë jo të sakta, dhe është shumë frustruese edhe për organet e shtetit që të bëjmë gjithë këto gërmime dhe të gjejmë megjithatë jo shumë trupa”, tha ai.
Sipas Kurtit, hapja e arkivave në Beograd do ta lehtësonte ndjeshëm procesin e kërkimit.
“Prandaj, hapja e dosjeve të fqinjit tonë verior është jetike për zbardhjen e së vërtetës, për varrimet dinjitoze të më të dashurve tanë e sidomos të familjeve të tyre që presin në ankth”, deklaroi Kurti.
Ndërkaq, Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, kujtoi se familjet e të zhdukurve vazhdojnë të presin përgjigje edhe pas afro tri dekadash:
“Për familjet, pritja vazhdon, ndërsa për Republikën e Kosovës ende vazhdon të jetë një kapitull i hapur”, tha ajo, duke shtuar se çështja nuk do të mbyllet “derisa të gjendet edhe personi i fundit”.