Nesër dita e së vërtetës, konfirmohet takimi Kurti - Jasharaj
Nesër do të mbahet takimi i shumëpritur mes kryeministrit Kurti dhe Rrahman Jasharajt.
Këtë e ka konfirmuar tashmë edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.
Përparim Kryeziu ka thënë për Klan Kosovën se takimi është paraparë të mbahet në mëngjes.
SBAShK-u në veçanti dhe BSPK-ja në përgjithësi që nga 25 gushti kanë qenë në grevë.
Shkak për këtë ishte kërkesa e institucioneve të lartëcekura, e që ka të bëjë me tërheqjen e 100 eurove deri në miratim të ligjit të pagave.
Të dyja palët deri më tani kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës, ndërsa duket të kenë vendosur përfundimisht që ta zgjidhin këtë çështje.
Kujtojmë, hendeku mbetet po ai i njëjti: Qeveria u ka ofruar sindikalistëve nga 50 euro, ashtu si çdo punëtori tjetër publik nga pakoja për përballjen me inflacion, kurse grevistët po kërkojnë dialog dhe 100 euro.
Duhet përmendur faktin se takimi i nesërm u konfirmua pas përplasjes mes ekzekutivit dhe sindikalistëve përmes rrjeteve sociale.
Përderisa Përparim Kryezoi përmes "Facebook-ut" tha se Qeveria ka qenë në mbi 30 takime me grevistët aktualë, SBAShK-u konfirmoi se pas një takimi të kreut të BSPK-së dhe anëtarëve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës e Teknologjisë, palët janë dakorduar që e njëjta grevë të vazhdojë.
"Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë. Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje", shkroi ndër të tjerash SBAShK, komunikatë të cilën mund ta lexoni më poshtë.
Në anën tjetër, shefi i ekzekutivit e kishte bërë të qartë, kohë më parë, se nuk do të takohet me SBAShK-un e Jasharajn, nën arsyetimin se ai takohet vetëm me kryetarin e BSPK, Atdhe Hykolli.
Kurti kishte potencuar se shteti ka rregull, duke theksuar se ai nuk mund të kapërcejë Hykollin, e të takohet me liderë të degëve sindikale.
“Ne jemi me mësimdhënësit. Mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit. Ne kemi bërë shumë luftë për shkollë, që ta bojkotojmë me greva. Duhet të fillojë mësimi një orë e më parë. Ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve të hënën të jenë në mësim. Jemi me mësimdhënësit, e mësimdhënësi për nxënësit. Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi.”, foli Kurti në konferencë.”, theksoi z.Kurti javë më parë.
