A po kthehet ‘ankthi i patronazhistëve’ në Shqipëri? Ja çka duhet të dini, me pak fjalë - NACIONALE

A po kthehet ‘ankthi i patronazhistëve’ në Shqipëri? Ja çka duhet të dini, me pak fjalë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tensionet e raportuara te ajo që njihet si ‘Rruga e kosovarëve’ afër shkollës ‘Petro Nini Luarasi’ në Tiranë, rikthejnë edhe një herë ‘ankthin’ ose akuzat për patronazhistët e Partisë Socialiste. Çka duhet të dini?

Me t’u mbyllur qendrat e votimit në Shqipëri, disa pamje shqetësuese me tensione erdhën nga një vend afër shkollës ‘Petro Nini Luarasi’ në Tiranë.

Sipas raportimit të mediave shqiptare, Partia Demokratike e Sali Berishës, ka akuzuar Partinë Socialiste të Edi Ramës, se kishte një ‘zyrë të fshehtë me patronazhistë’ në këtë vend dhe sipas Kodit zgjedhor, zyra të partive – të kësaj forme, nuk lejohen afër shkollave.

Raportet thonë se kishte tensione brenda zyrës dhe jashtë saj, derisa në ato zyre ndodhej deputeti socialist, Erion Braçe.

Këto tensione në këtë qendër në Tiranë, po ndodhin në prag të fillimit të publikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri.

Çka është ‘Skandali i patronazhistëve”?

Në prill të vitit 2021, u bë publik nga media shqiptare raportimi për publikimin e një databaze të madhe, që dyshohet se përmbante të dhëna personale të qytetarëve shqiptarë, të mbledhura dhe përpunuara nga Partia Socialiste.

Skandali që ka sjell edhe protesta në Shqipëri, ishte konsideruar si shkelje e privatësisë të qytetarëve shqiptarë dhe shqetësime për të, kishin shprehur shoqëria civile në shqipëri por edhe institucione ndërkombëtare.

Patronazhistë – quhen aktivistë politik të Partisë Socialiste, të cilët ishin të përfshitë në këtë ‘operacion elektoral’.

Një çështje shumë e diskutueshme rreth patronazhistëve, ishte dhe vazhdon të jetë burimi i të dhënave që kishin përdorur ata në vitin 2021, ku dyshohet, se një pjesë të informacionit për qytetarë, e merrnin nga institucionet publike.

Për Partinë Socialiste, sot e asaj dite kjo çështjet nuk llogaritet aq problematike, madje e quan si një ‘praktikë të zakonshme të partive politike në fushata elektorale’.

Përveç patronazhistëve, Sali Berisha ka akuzuar sonte Partinë Socialiste se ia ‘ka mësyer me bandat e saj qendrave ku numërohen votat’.

Ai ka thënë se ‘bandat e Partisë Socialiste – sidomos në qarkun e Durrësit, po ‘bëjnë presion ndaj KZAZ-ve’.

“Të dërgosh banda për të rrethuar KZAZ-të, është një përpjekje flagrante për të ndikuar rezultatin por kjo nuk do të ndodhë sepse komisionerët tonë kanë marrë udhëzime të qarta dhe të prera”, tha Berisha.

Lajme të ngjashme