Ferat Shala për humbjet e Trustit: ‘’A ka qeveri ky vend?’’
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se situata në Trust është alarmante. Vetëm vitin e fundit, sipas tij, janë humbur një shumë e madhe e parave në Trust. Ai thotë se trendi i rënies së aksioneve është një situatë shqetësuese.
‘’Gjatë vitit 2022, të gjithë kontribuesit e vendit kanë humbur hiq më pak se 118 milion euro mjete të tyre në Trust. Trendi i rënies së aksioneve është në situatë shqetësuese edhe këtë vit.Vetëm gjatë këtij muaji që jemi tani, konkretisht nga data 1 mars deri më sot, në Trust kemi humbur rreth 60 milion euro’’- shprehet Shala në rrjetin social ‘’Facebook’’.
Shala, ndër të tjera, thotë se Qeveria akoma nuk e ka vendosur bordin menaxhues dhe se rreth 3 miliardë euro po qëndrojnë nën mëshirë.
‘’Përkundër kësaj situate, Qeveria ende nuk e ka vendosur bordin menaxhues. Rreth 3 miliard euro të Trustit janë në mëshirën e rrethanave dhe kohës, nën mëshirën e tregjeve globale, praktikisht nën mëshirën e askujt!’- shkroi ai.
Shala tha Qeveria dhe mazhoranca kishin refuzuar që t’u kthehej një pjesë e mjeteve qytetarëve, kur kërkoi PDK-ja, me arsyetimin që të ruheshin skemat sociale për moshën e pensionimit.
‘’Jo shumë larg nga tash, kur Partia Demokratike kërkonte që një pjesë e mjeteve t’iu kthehej qytetarëve, atyre që kishin kontribuar, Qeveria dhe mazhoranca me këmbëngulje refuzuan dhe votuan kundër, në emër të ruajtjes së skemave sociale për moshën e penzionimit.’’
‘’A ka Qeveri ky vend?!’’ – u shpreh ai.