7 milionë euro më shumë për libra: Pse u cilësia ‘puç’ ajo që ndodhi dje në Kuvend [Shpjegojmë]
Një çudi që opozita po e vlerëson si ndodhi dje në Komisionin Hetimor parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore, ku në kundërshtim me Ligjin për Hetim Parlamentar, partia në pushtet ndërmorri veprime që nga opozita po quhen si ‘puç ndaj institucioneve’. Çka ndodhi dhe pse?
Për të sqaruar shkurtimisht, në krye të këtij artikulli, Komisioni Hetimor Parlamentar, është themeluar për të hetuar subvencionimin e teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit që udhëheq Arbërie Nagavci. Subvencionimi i teksteve shkollore, ishte planifikuar të kushtonte afro 4 milionë e e 300 mijë euro por me ndërrimin e formës së subvencionimit (që prindërit e kanë përjetuar në lëkurë vitin e kaluar), kjo shumë u rrit në 11 milionë euro.
Kryetari i Komisionit, deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, të premtën e kaluar (sipas deputetëve të opozitës), iu kishte dërguar e-mail anëtarëve të Komisionit se po shkonin në pushim dhe se Komisioni do të rikthehej në punë gjatë muajit shtator.
Por, e-maili do të shpërfillej nga deputetët e Vetëvendosjes, anëtarë në këtë Komision, të cilët, të hënën do të mblidheshin, do ta shkarkonin Shemsedin Dreshajn si kryetar të këtij Komisioni dhe në vend të tij, do të votohej Arjeta Fejza (VV) në krye të Komisionit – ku ishte vetëm pozita e pranishme.
Mes ish-ministrave të arsimit që ishin ftuar për të raportuar në këtë Komision hetimor, është edhe (aktualisht) deputetja e LDK-së, znj. Hykmete Bajrami, e cila nuk pranoi të raportonte në Komision, duke cituar Ligjin për Hetim Parlamentar që deputetët e Vetëvendosjes, sapo e kishin shkelur – duke votuar një deputete të mazhorancës për kryetare të Komisionit.
“Kryesuesi i Komisionit emërohet nga Kuvendi me rastin e themelimit te Komisionit. Kryesuesi zgjidhet nga radhët e njërit grup parlamentar i cili nuk është iniciator i Komisionit hetimor dhe nuk i përket parties së koalicionit qeverisës. Zëvendës kryesuesi emërohet nga Kuvendi me propozim te iniciatorit ose grupit iniciator te Komisionit”, thotë pika një, e nenit 10-të të Ligjit për Hetim Parlamentar.

Ish-ministrja e arsimit, aktualisht deputete e Kuvendit të Kosovës nga LDK, znj.Hykmete Bajrami, do të deklaronte veç tjerash para Komisionit si më poshtë:
“Para se të përgjigjem në funksionin e ish-ministres, jam edhe deputete e kësaj legjislature.
Para vetes e kam edhe Ligjin për hetim paralementar. Ligji, neni 10 thotë se kryesuesi i Komisionit emërohet nga Kuvendi me rastin e themelimit të komisionit, kryesuesi zgjidhet nga radhët e grupit parlamentar i cili nuk është iniciator i Komisiohit hetimor dhe nuk i përket partisë së koalicionit qeverisës.
Me sa po e shoh, këtu present nuk është as kryetari as zëvendëskryetari i Komisionit dhe po më vjen keq kolegë, por ju dëgjova që keni zgjedhë një kryesues tjetër dhe keni bë një shkelje të këtij ligji.
Jam shumë e hapur për këtë Komision. Por nuk dëshiroj të bëhem pjesë e shkeljes tuaj.
Pra, nëse kryesuesin dhe zëvendëskryesin e emëron seanca, ndryshimin e tyre ka të drejtë ta bëj vetëm seanca. Kërkoj mirëkuptimin tuaj, por nuk dëshiroj të bëhem pjesë e shkeljes tuaj.
Po e them me përgjegjësi të plotë, që kurdo që plotësohen kushtet ligjore, jam e gatshme të vij, të merrem në pyetje, të investigohem për cilëndo ministri ku kam qenë”.
Megjithëse znj.Bajrami refuzoi ta shkelte ligjin duke raportuar para një Komisioni me përbërje të tillë, kishte ministra të tjerë që – megjithatë – raportuan para Komisionit, si për shembull, Arsim Bajrami e Shyqiri Bytyqi si ish-ministra të arsimit.
Partitë opozitare, thonë se i kanë shkruar letër kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe nëse i njëjti nuk ndërmerr hapat e nevojshëm, do t’i drejtohen Prokurorisë Speciale.
“Teknikisht, do të thotë të premtën është dërgu emaili nga kryesuesi Shemsdein Dreshaj që po shkohet në pushim dhe kishte mungesë të kuorimit dhe vazhdon në shtator.
Këta, deputetët e VV-së, e kanë thirrë Duda Baljen që vec një herë ka qenë në këtë komision, e kanë shkarku Dreshajn, mu e tjertë dhe e kanë zgjedhë kryesuesen e re. kjo është e kundërligjshme.
Kësi lloj vendime si këta, janë bë vetem në mandatet në kohën e Rrahman Morinës, kur kanë fillu me i goditë mandatet e deputetëve të Kosovës. Është vjedhje e mandatit për shkak se neni 10 i Ligjit për hetime parlamentare, shumë qartë thotë se kryesuesi dhe zëvendëskryesi zgjedhen gjithmonë nëpërmjet Kuvendit.
Ne sic, e tha edhe shefi i grupit parlamentar do ta adresojmë te kryetari i Kuvendit, nëse ai nuk ndërmerr masa, atëherë do të adresohemi në Prokurorinë Speciale.
Ju e dini që vitin e kalumë, është shkaktu kaos i madh për prindërit në subvencionimin e tekstit.
Arbërie Nagavci nuk po ka mundësi me shpjegu se kah kanë shku milionat”, tha Ardian Kastrati, deputet i PDK-së dhe anëtar i këtij Komisioni për Klan Kosovën.
“Këta i kanë planifiku 4 milionë e 300 mijë euro për subvencione, e kur e kanë ndërru formën e subvencionimit e kanë rritë në 11 milionë e 600 mijë.
Arsyetimet e tyne janë se edhe ju në të kalumen keni planifiku 3 milionë e i keni harxhu 8 milionë, mirë në rregull jemi, por atëherë kanë qenë rreth 250 mijë nxënës kurse kësaj radhe këta nuk i kanë japë tekstet prej klasës të gjashtë deri në të nëntën. Kemi mijëra nxënës më pak e kemi 7 milionë euro më shumë.
Nuk ka shansa me i arsyetu këto miliona, këtu vjen era korrupsion. Këtu kemi një aferë korruptive dhe kam ftuar Prokurorinë Speciale ta hetojë.
E kanë bë një konstruksion me një lojë të ndytë, për me thanë që ja këta të opozitës që kanë inicuar këtë Komision dhe ne jemi burra të mirë e erdhëm.
Janë shtu 7 milionë vitin e kaluar dhe janë dhënë më pak tekste, sipas përllogaritjeve të mia. Ka nxënës që nuk i kanë marrë librat përgjatë tërë vitit shkollorë.
Sot ka koinicidu që kanë qenë ish-ministrat dh etendencat e tyne kanëë qenë, ja shifni ish ministrat nuk po vinë”, tha tutje ai, duke sqaruar shkurtimisht se çka në të vërtetë synon të hetojë Komisioni.
Ndër më të ashprit në reagim, ishte deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, njëherit, i shkarkuar nga detyra e kryetarit të Komisionit – që opozita po e cilëson si shkelje flagrante të Ligjit për Hetim Parlamentar.
Dhe si ‘puç institucional’ – për faktin që llogarisin se u bë prapa shpinës së tyre.
“Nuk fshihet dielli me shoshë o të mjerë!
Në përpjekje për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore, deputetët e Vetëvendosjes sot paskan vendosur të bëjnë puç në Komisionin Hetimor që e kryesoj unë.
Në kundërshtim me Ligjin e me rregullore, paskan vendosur që në Komision të zgjedhin kryesuesin e zëvendëskryesuesin e Komisionit Hetimor. Por këtë të drejtë e ka vetëm Seanca Plenare e Kuvendit, o të mjerë.
Kjo nuk është parë e nuk është dëgjuar ndonjëherë. Po Komisionet hetimore në praktikat parlamentare në gjithë botën i udhëheq Opozita. Dyshoj të jetë ndryshe edhe në Kore të Veriut. Madje, deputetët e VV-së kanë nxjerrur nga mbledhja edhe stafin teknik të Kuvendit që kanë tërhequr vërejtjen për shkeljen e Ligjit dhe të Rregullores për mbarëvajtjen e punës në komisionet hetimore parlamentare.
Për këtë maskarallëk, i kam shkruar edhe Kryetarit të Kuvendit, të shohë nëse ai ka gjë në dorë e ta ndalë këtë maskaradë të VV-së.
Deputetët e pozitës thirrën mbledhjen dhe zgjodhën kryesuesen e re. Komisioni hetimor për tekste shkollore, pozita mban mbledhjen.
“A mund të propozojmë me deputeten Arjeta Fejza që të kryesojë mbledhjen?”, do të shkruante z.Dreshaj në Facebook kur mori vesh se ai s’ishte më kryetar i këtij Komisioni dhe se – në kundërshtim me ligjin sipas tyre – ishte një deputete e partisë në pushtet.
Në përfundim të kësaj, opozita pret sqarime nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, në të kundërtën, paralajmëron se i drejtohet Prokurorisë.
“Për këtë vendim të paligjshëm e të turpshëm, do të kërkojmë sqarime edhe nga Kryetari i Kuvendit, para se ti drejtohemi Prokurorisë Speciale për të hetuar këtë aferë korruptive, që ka për kryeprotagoniste Ministren e Arsimit Arbërie Nagavci”, shkruajti shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri.
Katër muaj më parë, Kuvendi i Kosovës themeloi këtë Komision që do të hetojë procesin e subvenciomit të bleres së teksteve shkollore – proces i bujshëm që nisi vitin e kaluar.