6 orët e fundit të (mos)zgjedhjes së Presidentit: Osmani me një “Eureka” për ndryshime kushtetuese, VV “e përkhrahë” - NACIONALE

6 orët e fundit të (mos)zgjedhjes së Presidentit: Osmani me një “Eureka” për ndryshime kushtetuese, VV “e përkhrahë”

5 muaj më parë

nga Xhezair Dashi

Gjashtë orë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, u paraqit iniciativë për ndryshim të Kushtetutës.

Presidentja në largim, Vjosa Osmani, dërgoi në Kuvend amendamente që parashohin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.

Kjo, është tepër e mirë për të qenë e vërtetë. Për ndryshime kushtetuese duhet përveç dy të tretave të deputetëve, edhe dy të tretat e pakicave, përkatësisht edhe votat e Listës Serbe.

“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT!”, shkroi Osmani në reagimin e saj eurekist.

“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es”, deklaroi ajo.

Sipas Osmanit, amendamentet bazohen në draftin e hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.

“Tash e tutje, le të flasë populli!”, shkroi presidentja, duke u bërë thirrje partive që të votojnë ndryshimet kushtetuese.

Propozimi erdhi vetëm disa orë para mesnatës, afati i fundit për zgjedhjen e presidentit në Kuvend.

Sipas Kushtetutës, nëse presidenti nuk zgjidhet deri në afatin e përcaktuar, përkatësisht sonte deri në ora 00:00, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, konfirmoi se amendamentet janë pranuar dhe do të procedohen për shqyrtim.

“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu”, shkroi Haxhiu.

Ajo shtoi se amendamentet “parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”.

“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, deklaroi Haxhiu.

“I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shtoi ajo.

Ndërkohë, Komisioni për Legjislacion është ngarkuar me shqyrtimin e amendamenteve të propozuara.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se komisioni tashmë ka marrë detyrën për analizimin e tyre.

“Sapo u ngarkuam si Komision për Legjislacion nga Kryetarja e Kuvendit për shqyrtimin e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu”, shkroi ai.

Sipas Rrustemit, amendamentet “parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”.

“Në përkrahje të këtyre amendamenteve, me këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve”, deklaroi ai.

Mbështetje për iniciativën shprehu edhe shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.

“Shprehim mbështetjen e plotë për amendamentet kushtetuese të përcjella sot nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu”, deklaroi Nagavci.

Ajo shtoi se amendamentet “parashohin që Presidenti/Presidentja e vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”.

“Votimi i këtyre amendamenteve do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të Presidentit”, tha ajo.

“Ftoj të gjithë deputetët që të mbështesin dhe të votojnë këto amendamente kushtetuese”, shtoi Nagavci.

Ndërkohë, opozita e ka kritikuar iniciativën e presidentes.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se situata aktuale është pasojë e mungesës së pjekurisë politike.

“Gjendja e krijuar është pasojë e mungesës së pjekurisë politike”, deklaroi Gashi.

“Ajo po shoqërohet me inate, emocione negative personale dhe mungesë të ndjeshmërisë institucionale”, shtoi ai.

Gashi paralajmëroi se nëse presidenti nuk zgjidhet deri në mesnatë, vendi shkon në zgjedhje.

“Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet Presidenti, rruga e vetme që mbetet janë zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha ai.

Ai kritikoi edhe iniciativën për ndryshime kushtetuese në këtë fazë.

“Idetë për amendamente kushtetuese janë manovra politike për simpati momentale”, deklaroi Gashi.

Sipas tij, amendamentet kërkojnë procedura të gjata institucionale.

“Ato duhet të kalojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Kuvend me shumicë të dyfishtë dy të tretash”, tha Gashi.

Ai shtoi se ndryshime të tilla “janë një lojë e lodhur dhe aspak produktive”.

“Bllokada institucionale dhe krizat artificiale janë të dëmshme për interesin shtetëror të Kosovës”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme