“400 mijë vende pune aktive”, “sukses i politikave”: Interpretimet 'groteske' të shifrave nga Kurti e Murati
“Për herë të parë, ekonomia e vendit tonë ka tejkaluar shifrën prej 400 mijë vendeve aktive të punës”, kreu i Financave në Facebook e shefi i tij (kryeministri Kurti) në X – pa dhënë detaje më të hollësishme - proklamuan një arritje që në vështrim të parë të jep përshtyptjen e një arritjeje historike në historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Por... a janë këto shifra vetëm një konfigurim tjetër i dëshiruar në kohë, siç bëri Murati me inflacionin e investimet kapitale, dhe kreu i Qeverisë nga ana tjetër, me rritjen e të ardhurave dhe shkallën e varfërisë mes një "katrahure" të të dhënave në vazhdën e çalimit masiv të përditësimit të statistikave në vend?
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se “për herë të parë” në Kosovë janë 400 mijë vende aktive pune, ndërsa pasdite u mburr me këtë shifër edhe kryeministri kosovar, Albin Kurti.
Kurti pretendoi që fakti se në ekonominë tonë i kemi 400 mijë pozita pune aktive nënkupton për sukses të politikave të tij të punës dhe ekonomike që “kanë ndihmuar gratë, njerëzit me paaftësi, ndërmarrësit dhe të tjerët që të jenë pjesëmarrës të suksesshëm në tregun e punës.”
For the first time our economy has over 400,000 recorded active workforce positions. This is a strong indicator of the success of our labor and economic policies that have helped women, people w/ disabilities, entrepreneurs & others be successful participants in the workforce.
— Albin Kurti (@albinkurti) July 30, 2023
Manipulim i radhës?
Në një postim paraprak rreth inflacionit, ministri Murati do të evitonte krahasimin e indeksit të çmimeve me muajin paraprak apo muajin e njëjtë të vitit paraprak. Kjo për shkak se krahasuar me muajin mars, indeksi i çmimeve të konsumit ishte në fakt më i lartë për 0.3 pikë përqindje. Ndërsa norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2023 me muajin e njëjtë të vitit paraprak ishte 6.3 për qind më e lartë.
"Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë", - shkroi Murati.
Kurti në anën tjetër, në një cicërimë të datës 14 maj në Twitter, i dha një “përdredhje” një raporti të Bankës Botërore".
Në raportin e Bankës Botërore kjo frazohet krejt ndryshe. Nuk thotë “krahasuar me para 10 viteve” por “gjatë dekadës së shkuar”. Këto dy shprehje shënjojnë krejt tjetër gjë.
“Krahasuar me para 10 vite Kosova ka rritur për 50 për qind të ardhurat dhe ka zvogëluar me 35 përqind shkallën e varfërisë”, shkroi Kurti në Twitter.
Ministri Murati u përkujdes disi të mos përfshijë të dhënat e tre tremujorëve të parë të vitit 2023 edhe tek të dhënat për investimet kapitale në një postim të datës 8 korrik.
Në grafikën e paraqitur, ai do të evitonte nxjerrjen e totalit të tre mujorit të parë edhe tremujorit të dytë të vitit 2023. Kjo sepse shuma totale e vlerës së investimeve kapitale del të jetë 150 milionë euro që është vlerë më e ulët sesa në disa prej viteve paraprake.
Në vitin 2018, vlera e investimeve kapitale ishte 183 milionë euro, ndërsa në vitin 2017 ishte 160 milionë euro.
Diçka e ngjashme mund të vihet re edhe në postimin e Kurtit dhe Muratit rreth vendeve aktive të punës. Për këtë logjikë manipulative alarmoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami duke i quajtur Kurtin e Muratin si “manipulator të shifrave”.
Bajrami ka kujtuar shifrat e punësimit ku sipas ATK-së, më parë brenda një viti janë hapur 21 deri në 26 mijë vende pune, ndërsa tani për një vit e gjysmë janë regjistruar vetëm 26 mijë e 580 vende të reja pune.
Papunësi e lartë
Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha në tregun punës, e karakterizuar një shkallë të lartë të papunësisë. Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për "Klimën e Investimeve 2023" hedh dritë mbi shkallën e papunësisë në vend, sektorin informal, ligjet e punës dhe gjendjen e sindikatave.
Sipas raportit -i bazuar në të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës - gati dy të tretat e popullsisë së vendit bëjnë pjesë në grupin e moshës së punës (15-64 vjeç). Pavarësisht kësaj, Kosova vazhdon të përballet me një shkallë zyrtare shqetësuese të papunësisë prej 20.7 përqind.
Situata është edhe më e rëndë për të rinjtë, me një normë marramendëse të vlerësuar të papunësisë së të rinjve prej 38 përqind, që tregon një sfidë të konsiderueshme në angazhimin e të rinjve në fuqinë punëtore.
"Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, pothuajse dy të tretat e popullsisë prej 1.8 milionë banorësh të Kosovës janë në moshë pune (15-64). Shkalla zyrtare e papunësisë është 20.7 për qind. Papunësia e të rinjve vlerësohet në 38 për qind." - thuhet në raportin e DASh-it bazuar në shifrat e ASK-së.