Taktika manipulative e ministrit Murati për "rënien e theksuar të çmimve" - NACIONALE

Taktika manipulative e ministrit Murati për "rënien e theksuar të çmimve"

11 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Në një postim të fundit në Facebook, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se shkalla e inflacionit për muajin prill ka shënuar një rënie të theksuar në raport me muajt e mëparshëm. Duke iu referuar të dhënave të ASK-së, Murati – në përputhje me logjikën e liderit të tij, kryeministrit Kurtipërdrodhi të dhënat duke relativizuar në kohë krahasimin për të arritur në përfundimin e dëshiruar. Por ku qëndron saktësisht problemi me postimin e Muratit?

Lufta e Rusisë në Ukrainë komplikoi më tej efektet e pandemisë duke rritur çmimet e mallrave në Evropë dhe në mënyrë të pashmangshme brenda vendit. Përgjatë vitit 2022, Kosova përjetoi një nivel të paprecedentë të inflacionit, me çmimet e produkteve që arritën kulmin në korrik, 14.2 për qind. Si rezultat, qeveria u përball me kritika të vazhdueshme nga opozita për mungesë veprimi.

Në shkrimin e ministrit Murati se çmimet kanë shënuar rënie, krahasimi u bë me “disa muaj më parë”. "Shkalla e inflacionit për muajin prill sipas ASK-së ishte 6.3%, që paraqet një rënie të theksuar krahasuar me nivelin që kishim disa muaj më parë."

Ministri i Financave evitoi krahasimin e indeksit me muajin paraprak apo muajin e njëjtë të vitit paraprak. Kjo për shkak se krahasuar me muajin mars, indeksi i çmimeve të konsumit ishte në fakt më i lartë për 0.3 pikë përqindje. Ndërsa norma vjetore e inflacionit e matur në muajin prill 2023 me muajin e njëjtë të vitit paraprak ishte 6.3 për qind më e lartë.

Mungesa e bashkëpunimit

Çmimet e energjisë, ushqimeve dhe metaleve, etj, përjetuan rritje eksponenicale përgjatë asaj kohe. Politikat ekonomike të Qeverisë që kryesisht fokusoheshin në disa pako sociale rezultuan të dështuara bazuar në konkluzionet e një raporti të Bankës Botërore të asaj kohe. Në anën tjetër, propozimet e masave kundërinflacioniste të opozitës po injoroheshin vazhdimisht nga shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Mungesa e bashkëpunimit të pushtetit me opozitën për hartimin e politikave ekonomike të nevojshme, në një kohë kur qytetarët ballafaqoheshin me çmime të larta, u kthye kundër qeverisë kur ata tentuan të miratojnë ligjin për çmimet tavan.

Lidhja Demokratike e Kosovës e dërgoi këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ai do të kufizonte veprimtarinë e tregut të lirë. Ky veprim i LDK-së irritoi qeverinë e Kurtit, të cilët akuzuan vazhdimisht partinë opozitare.

Murati në postimin e tij edhe një herë ka akuzuar LDN-në për çmime të larta, me arsyetimin se kjo nuk do të ndodhte nëse nuk parandalohej Ligji për Çmimet Tavan.

“Ka ende shumë produkte tjera të cilat vazhdojnë të kenë çmime përtej normales, kryesisht si rezultat i marzhave të larta të fitimit që po aplikojnë tregtarët. Kjo gjë do të rregullohej me Ligjin për Çmimet Tavan, por ja që LDK e ka dërguar në Kushtetuese për ta bllokuar. Me sa duket, për ta më e rëndësishme është rritja e fitimeve për tregtarët sesa mirëqenia e qytetarëve.” – shkroi Murati.

Megjithatë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Bajrami, i cili ka theksuar se LDK-ja gjithmonë ka mbrojtur kushtetutën dhe rënia e çmimeve ka ndodhur pikërisht si rezultat i tregut të lirë/konkurrencës.

"LDK-ja ka me qënë në mbrojtje të kushtetutës gjithmonë." - tha deputetja.

“Rënia e çmimit të derivateve dhe vajit ushqimor nuk është bërë me ligj, pikërisht tregu i lirë/konkurrenca e ka bërë këtë. Ju s’keni qënë në gjendje të ndermerrni asgjë, andaj edhe në atë që ke thënë brenda disa rreshtave je kundëthënës edhe me vetën.”– tha Bajrami mes tjerash.

Lajme të ngjashme