20% e qytetarëve duhet të nënshkruajnë: A mund të rrëzohen kryetarët e zgjedhur të komunave në veri në bazë të ligjit?
Komunat me shumicë serbe në veri do të kenë rezultatet, por legjitimiteti i tyre po kontestohet për shkak të numrit të paktë të votuesve. Sidoqoftë, a mund të rrëzohen këta kryetarë komunash?
Ligji për Vetëqeverisje Lokale ka disa fjalë për këtë çështje.
Në Nenin 72 shkruhet specifikisht për largimin e kryetarit. Ky nen në mënyrë eksplicite u jep lirinë qytetarëve që të ndërmarrin iniciativë ligjore për largimin e kryetrit të komunës.
Në pikën 2 të Nenit në fjalë thuhen këto fjalë:
“72.2 Kërkesa e tillë (për largim të kryetarit) duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) për qind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.”
Por, e gjithë kjo procedurë saktësohet në pikën 3 të këtij neni ku thuhet si vijon:
“72.3 Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet.”

Marrë parasysh disponimin e shprehur në zgjedhjet në këto katër komuna, ku dolëm vetëm 3.7 për qind e votuesve mund të thuhet se Lista Serbe vazhdon të gëzojë popullaritetin më të madh.
Kjo i mundëson kësaj partie dhe mbështetësve të saj që ta materializojnë vullnetin e tyre politik (potencialisht për të larguar kryetarët e komunave) në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, duket se një disponim i tillë deri tash nuk ekziston meqë kjo parti politike ashtu si Beogradi zyrtar po kërkojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, presidenti serb Vuçiq ka shprehur edhe retorikë luftënxitëse duke i cilësuar zgjedhjet dhe veprimet e institucioneve të Kosovës si “okupatore”. Ai pati akuza të rënda edhe për bashkësinë ndërkombëtare që kishte mundësuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Një okupim duhet të marrë fund, ne jemi të vetmit që zgjedhim kur. Ky është avantazhi i kësaj situate, nëse ka një avantazh. Ata vendosën të okuponin edhe popullin edhe territorin, një popull që s’i do e një territor ku nuk kanë qenë kurrë të pranishëm,” – u shpreh presidenti serb në deklarimet e tij. “Asnjë okupim nuk ka përfunduar asnjëherë mirë,” – u shpreh tutje ai.
Kujtojmë se këto zgjedhje ishin rrjedhojë e dorëheqjeve të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe, por edhe asamblistëve komunalë.

