Kurti nuk kishte reaguar për sulmin e tetorit në Norvegji, siç reagoi për sulmin e sotëm - NACIONALE

Kurti nuk kishte reaguar për sulmin e tetorit në Norvegji, siç reagoi për sulmin e sotëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Në orët e para të së shtunës, në Oslo të Norvegjisë ndodhi një sulm me armë zjarri. Dy persona u vranë dhe 14 u plagosën në një klub për komunitetin LGBT dhe përreth tij. Pas disa orëve, erdhën ngushëllimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Sidoqoftë, ai s’i ishte gjendur për ngushëllime vendit mik në tetor të vitit të kaluar, kur atje kishte ndodhur një sulm edhe më i rëndë.

“Zemërthyer ta shohësh masakrën në Oslo. Urimet tona më të mira për të lënduarit dhe ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe miqtë e të vrarëve. Lufta kundër urrejtjes dhe për kohezion social është përgjegjësi që e ndajmë të gjithë – ne qëndrojmë me Norvegjinë”, shkroi kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Twitter.

Megjithatë, ai nuk kishte qenë kaq ngushëllues në tetor të vitit të kaluar, kur Norvegjia u trondit nga një sulm masiv. Norvegjezi Espen Andersen Brathen, i armatosur me katër thika e 62 shigjeta, kishte hyrë në një dyqan ushqimor dhe kishte nisur t’i sulmonte me hark e shigjeta njerëzit që ndodheshin brenda objektit. Një gjykatë norvegjeze, që e ka gjykuar këtë person, tha se, pasi i ishte prishur harku, ai e kishte nisur sulmimin me thika. Norvegjezi vrau pesë persona dhe u akuzua për vrasjen në tentativë të 11 të tjerëve.

Të premten, një gjykatë norvegjeze e dënoi sulmuesin me pranim të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor mendor dhe jo me burgim të zakonshëm. Prokurori i rastit, Andreas Christiansen, tha se sulmuesi është i sëmurë mendërisht.

Lexoni edhe: Asnjë vit burgim për norvegjezin që vrau pesë persona me shigjeta e thika

Kryeministri Kurti nuk kishte reaguar për këtë sulm. As nuk e kishte quajtur masakër, as nuk i kishte shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave. Të paktën, në llogaritë e tij në “Facebook”, “Twitter” dhe “Instagram” nuk gjendet asnjë reagim, ndonëse mund ta ketë përmendur rastin në ndonjë bisedë private.

Edhe presidentja Osmani me standarde të dyfishta për sulmet në botë

Kryeministri Kurti nuk është udhëheqësi i vetëm i shtetit që përdor standarde të dyfishta, kur bën reagime për sulmet në botë.

Në pranverën e vitit të kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte gjetur kohë që të shprehte ngushëllime për një sulm në Afganistan, kur nga një shpërthim raportohej të jenë vrarë 68 persona.

Vetëm dy ditë pas atij rasti, vëmendja e tërë botës ishte te lufta mes palestinezëve dhe Izraelit. Në konfliktin 11-ditor, u raportua për vrasjen e të paktën 260 personave, në mesin e tyre 68 fëmijë, 66 në anën palestineze, dy në anën izraelite.

Rastësisht, numri i viktimave në sulmin e Afganistanit, për të cilin kishte shprehur ngushëllime presidentja jonë, ishte i njëjtë me numrin e fëmijëve të vrarë në Gaza e Izrael. Presidentja Osmani nuk kishte reaguar për këtë rast./Nacionale

Lajme të ngjashme