Asnjë vit burgim për norvegjezin që vrau pesë persona me shigjeta e thika - NACIONALE

Asnjë vit burgim për norvegjezin që vrau pesë persona me shigjeta e thika

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një burrë u shpall fajtor të premten për vrasjen e pesë personave dhe plagosjen e katër të tjerëve vitin e kaluar në jug të Norvegjisë, kur kishte sulmuar persona të panjohur me hark e thika.

Gjykata e Qarkut në Buskerud e dënoi Espen Andersen Brathen-in me kujdes të detyrueshëm mendor. Tre ekspertë të psikiatrisë forenzike, që e vlerësuan të akuzuarin, arritën në përfundim se ai vuante nga skizofrenia paranojake dhe ishte i sëmurë mendërisht në kohën e sulmit, më 13 tetor 2021. Edhe prokuroria, edhe mbrojtja kishin kërkuar kujdes të detyrueshëm mendor për të akuzuarin.

Andersen Brtahen u shpall fajtor për 11 akuza të vrasjes në tentativë për sulm me shigjeta në Kongsberg, qytezë me rreth 26.000 banorë. Në kohën e sulmit, ai ishte i armatosur me katër thika e 62 shigjeta.

Trupi gjykues, i përbërë nga tre gjykatës, thanë se i pandehuri u kishte thënë gjatë gjykimit se kishte vendosur që të vriste njerëz për ta arritur rilindjen. Ai tha se mendonte se do të verbohej, prandaj besoi se vrasja e njerëzve ishte urgjente.

Gjykata tha se i akuzuari kishte shikuar shumë video të rasteve ku njerëzit thereshin dhe ka thënë se i ka shikuar ato për të mësuar se si t’i përdorë armët në mënyrë që ato të jenë sa më vdekjeprurëse.

Avokati i sulmuesit, Fredrik Neumann, tha se klienti i tij kishte “iluzione me përmbajtje magjike e religjioze”.

“Kemi të bëjmë me një person të sëmurë, një person që nuk ka faj”, tha në fjalimin përfundimtar prokurori i rastit, Andreas Christiansen.

Sulmuesi ishte arrestuar pas më shumë se 30 minutave nga fillimi i sulmit me shigjeta në një dyqan ushqimor dhe pasi kishte nisur t’i sulmonte njerëzit në shtëpitë e tyre. Gjykata tha se ai e filloi sulmin me thika, pasi harku me shigjeta i ishte prishur./Nacionale

Lajme të ngjashme