17 ditë vetmi: Pse është mbyllur Lulzim Hetemi në zyren e tij në Leposaviq?
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti kryetarin e Leposaviqit Lulzim Hetemin si “i vetëvendosuri i vetëngujuar”. Por, pse është vetëvendosur e vetëngujuar Lulzim Hetemi?
Sot është dita e 17 e vetëngujimit të Lulzim Hetemit në zyren e tij në ndërtesën komunale në Leposaviq.
Ai u rras aty në mëngjesin e hershëm të 29 majit, ditë e hënë, pas një mbledhjeje që e kishte mbajtur Vetëvendosja në Prishtinë mbrëmjen e 28 majit. Bashkë me Hetemin besohet që u fut edhe Salih Zyba, deputet, dhe i cili qëndroi nja dy ditë.
Por, prej atëherë Hetemi nuk ka lëvizur prej zyres duke i bërë kritikët e Kurtit që ta quajnë edhe peng të tij.
Pse?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka nënkuptuar qëndrimin e Hetemit në zyre si një çështje me interes të lartë kombëtar.
Ai e ka falenderuar atë publikisht për “qëndresën e tij shembullore për Republikën” por megjithatë duke mos u lëshuar në arsyetim të këtij veprimi.
Çështja nuk është pse z. Hetemi po shkon në zyrë, por pse nuk del prej saj si çdo kryetar tjetër për t’u kthyer pastaj prapë mëngjesin tjetër?
Arsyet përsëri duhet t’i kërkojmë te kryeministri i Kosovës dhe fjalët e tij.
Në statusin e 4 qershorit, ai kishte informuar popullin se z. Hetemi i merrte mesatarisht nga dhjetë kërkesa të ndryshme prej shumë anëve për të dalë prej zyres.
“Çka s’i thonë: disa e marrin me të mirë, disa jo me të mirë, e disa të dyja këto njëra pas tjetrës.”
Por, sërish nuk marrim përgjigje definitive në pyetjen se pse Lulzim Hetemi është ngujuar në zyren e tij qe 17 ditë!
Një gjë të tillë duhet ta kërkojmë po ashtu te propozimi pesëpikësh i kryeministrit për depërshkallëzim të situatës që e prezantoi dje edhe para vendeve të QUINT-it.
Në tri pikat e para flitej për sundim të ligjit.
Në të parën parashihej që të silleshin para drejtësisë të gjithë ata që kishin kryer dhunë ndaj KFOR-it, Policisë e gazetarëve.
Në të dytën që grupet e dhunshme të tërhiqeshin nga Kosova.
Ndërsa në të tretën që Policia, EULEX-i e KFOR-i të kryenin vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.
Lulzim Hetemi është vizituar deri tash nga të paktën dy ministra, Elbert Krasniqi e Liburn Aliu. Kjo nënkupton se z. Hetemi po ashtu do të mund të dilte, e pastaj të rifutej sërish në zyre të ndërtesës komunale.
Por, ajo që është e qartë është se z. Kurti e konsideron këtë çështje si çështje të sigurisë. Marrë parasysh raportimet se edhe z. Erden Atiq ka qëndruar mbyllur në zyre të ndërtesës komunale në Mitrovicë të Veriut, atëherë gjërat bëhen edhe më të paqarta.
Çka po kërkon të na thotë Albin Kurti përmes ngujimit të dy kryetarëve në zyret e tyre?
“Nuk është e drejtë të insistohet nga kushdo qoftë se në ndërtesat në komunat në veri të Kosovës kryetari të jetë veçse serbë. Dhe veçse serbët të hyjnë në ato ndërtesa.” – tha z. Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-s.
“Ndërtesat vetëm për një etni janë segregacion, janë apartheid.” – vazhdoi ai.
Të paktën publikisht, çështja e ngujimit të z. Hetemi ka të bëjë me luftën që ai të jetë brenda zyres. Me ligjshmërinë. Por, megjithatë në praktikë gjërat duken goxha absurde, ashtu siç i përshkroi dje edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.
“E thirra në telefon me e pyet mos është mërzitur në zyrë. Kur e hapi, ai ishte i brengosur mos isha mërzitur unë. Unë isha i shqetësuar mos po lëshon pe ai, ai ishte i shqetësuar mos po lëshoj pe unë.” – ishin fjalët e kryeministrit që u bënë virale së fundi, pasi paraqisnin gjithë komedinë dhe paqartësinë e asaj që po ndodh.
Por, shtrohet megjithatë pyetja: për çka po rezistojnë?


