Kurti tregon një propozim që e dha te Borrelli, nuk lëviz nga pozicionet e tij - NACIONALE

Kurti tregon një propozim që e dha te Borrelli, nuk lëviz nga pozicionet e tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po mban në këto momente konferencë për medie.

Kjo konferencë u paralajmërua vetëm mëngjesin e sotëm, pas takimit të tij rreth-2-orësh me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Ai e nisi fjalën e tij për mbledhjen e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë si dhe për marrëdhëniet mes dy shteteve.

Më pas ai foli pikërisht për takimin me ambasadorët e QUINT-it, ku njoftoi edhe për një telefonatë që ka pasur me kryediplomatin evropian Josep Borrell."

"I njoftova për propozimin e Qeverisë së Kosovës për deeskalim... Propozim që e kam ndarë paraprakisht me z. Josep Borrell." - u shpreh z. Kurti.

"Kam shprehur (te Borrelli dje dhe ambasadorët sot) përkushtimin dhe angazhimin e plotë të Qeverisë për depërshkallëzimin e situatës në veri dhe normalizimin e raporteve me Serbinë." - vazhdoi tutje ai.

Çfarë propozimi ka dhënë Kurti?

Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.

Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave nw veri.

Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.

Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.

A ka marrë përgjigje?

Kurti tregoi gjerë e gjatë se si BE-ja ishte po ashtu për sundim të ligjit, kur u pyet nëse Borrell i kishte dhënë përgjigje për propozimin e tij.

Megjithatë, Kurti tha se ende ishte në pritje të përgjigjes.

"Ende nuk kam marrë përgjigje nga z. Borrell. Kur folëm ai ishte në një aeroport..." - tha z. Kurti.

Kryeministri tha se kishte shprehur gatishmëri që të takohej këtë javë me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell.

Lajme të ngjashme