10 vila rrafsh me tokë në të bukurin Theth: Çka duhet të dini për temën më të diskutueshme në Shqipëri? - NACIONALE

10 vila rrafsh me tokë në të bukurin Theth: Çka duhet të dini për temën më të diskutueshme në Shqipëri?

1 vit më parë

nga Dafina Demaku

Rrënimi i disa vilave ilegale të drurit në fshatin pitoresk shqiptar, në Theth, është tema më e diskutueshme prej disa ditësh në Shqipëri. Opozita shqiptare dhe një pjesë e shoqërisë civile si – përfshirë edhe një pjesë të mediave, akuzojnë Edi Ramën se ‘ka lejuar vetë ndërtimin e këtyre vilave’ në një zonë turistike siç është Thethi dhe që tani po i rrënon. Çka duhet të dini?

Më 7 korrik, kryeministri shqiptar Edi Rama, publikoi pamje ku shiheshin eskavatorët duke rrënuar disa vila druri në fshatin turistik shqiptar, në Theth.

Arsyeja e rrënimit të tyre sipas qeverisë shqiptare, është se ato janë pa leje dhe se pronarët e tyre, ‘kanë mbushur Thethin me këso lloj vilash gjithandej zonës turistike’.

Duke qenë se në Prokurorinë e qarkut të Shkodrës, kishin shkuar një seri denoncimesh për këto vila ilegale, vendimi i prokurores Elsa Gjeli për të mos u marrë fare me rastin, do të shkakonte zemratë të madhe sidomos në kampin qeveritar.

Një nga arsyet pse prokurorja Gjeli nuk u mor me hetimet pas rasteve të denoncuara, siç citonin mediat shqiptare reagimin e saj, ishte se “kur është referuar rasti, është konstatuar se 10 kabinat ishin vendosur mbi gur dhe rasti llogaritjen si shkelje administrative’.

(Screenshot nga dokumenti, publikuar nga gazetarja e njohur hulumtuese në Shqipëri, znj. Klodiana Lala)

Kritika të ashpra ndaj prokurores, pati e gjithë qeveria shqiptare – në krye me kryeministrin Edi Rama.

Madje, ministri i Drejtësisë në Shqipëri Ulsi Manja, më 11 korrik 2025, përmes një konference për shtyp, njoftoi se kanë këruar fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurores, znj.Gjeli.

“Kam kërkuar zyrtarisht nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit, që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit”, tha ministri Manja.

Në këtë konferencë, ai sqaroi edhe procedurën qysh kishte ndodhur ky rast.

Prokurorja Elsa Gjeli, më 30.05.2025, brenda 48 orëve, nga momenti i referimit, të një materiali kallëzues në lidhje me ndërtimin e paligjshëm të këtij parku turistik në zemër të Thethit, pa kryer asnjë veprim sic detyrohet me procedurën penale, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Në këndvështrimin tonë, duke analizuar mosfillimin e hetimeve, ne mendojmë që ky vendim mos-fillimi bie ndesh me parimin e ligjshmërisë”, tha Manja.

Prokurorja Gjeli, në reagimin e saj ndaj akuzave të ministrit Manja por edhe të kryeministrit Edi Rama, kishte kërkuar reagimin e Këshillit të Lartë Prokurorial, me arsyen se ‘i është cënuar dinjiteti dhe pavarësia profesionale’.

Ndërkohë, në një deklaratë të gjatë sot për këtë çështje, kryeministri shqiptar Edi Rama i është përgjigjur të gjithëve, mes tyre, edhe ato që ai i quan ‘teori të habitshme’.

“Së pari, kam vënë re që ka një teori shumë sipas meje, për të ardhur keq, lidhur me përgjegjësinë, lidhur me fajin, kush e ka fajin dhe duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë, përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit.

Pra, nga njëra anë kemi disa njerëz të shkretë të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa dhe nga ana tjetër kemi një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë me shkelje të ligjit dhe është kujtuar pastaj që t’i godasi” – tha sot Rama.

Ai tha se në Theth, individët që kanë ndërtuar këto vila, i kanë edhe nga dy a tri sosh.

Dua të sqaroj që nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, bëhet fjalë për disa individë që janë ngjitur atje, në një pjesë të konsiderueshme të rasteve nuk janë banorë të atij vendi, madje në rastin flagrant që u bë edhe shkak i këtij procesi, bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë dhe policia e shtetit po merret me hetimin e, si ka ndodhur dhe kush është prapa pushtimit criminal të qendrës, të zemrës së Thethit – që është kartolina e njohur e Thethit dhe bëhet fjalë për ndërtime që nuk janë për të futur kookën, por janë për qëllime fitimi”, tha Rama.

Rama tha se ‘nuk kanë prerë në besë askënd’ – një akuzë që i shkon më së shumti nga opozita shqiptare, dhe shton se nuk kanë premtuar ‘se do të lejojnë ndërtimet pa leje’.

“Në Theth janë goditur 40 subjekte, që në një seri rastesh kanë pasur nga dy e nga tre ngrehina. Policia e shtetit, ka një numër të madh denoncimesh në Prokurori lidhur me këto subjekte dhe prokuroria nuk ka marrë asnjë veprim.

Nuk kemi prerë në besë askënd, ne kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë, me Agjencinë e Kadastrës dhe qysh kemi premtuar legalizimin e gjithë shtëpive të vjetra, që ishte problem i gjithë banorëve autoktonë atje, ne e kemi përmbyll atë proces me 300 legalizime”, tha sot Edi Rama.

Premtimi ynë kanë qenë legalizimet. Ne nuk kemi thënë kurrë, na jepni votën dhe ndërtoni pa leje, të gjitha ndërtimet që janë rrënuar, janë bërë në muajt e fundit. Ka pasur një turra-vrap të madh në Theth, jo vetëm nga banorët por edhe individë që nuk kanë të bëjnë fare me Thethin”, tha ai.

Berisha i jep kosës: Edi Rama si serb, si malazez, si Mehmet Shehu

Me famkeqin Mehmet Shehu, ‘me serbët, turqit e malazezët’ e krahasoi Edi Ramën sot Sali Berisha, për veprimet në Theth.

“Edi Rama është sjell në Theth njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu, është sjell në Theth si një pushtues i egër.

Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit, tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre”, tha Sali Berisha sot në një konferencë për media.

Ai tha se ‘projekti për rrënimin e vilave, është anti-shqiptar’.

Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, paftyryrësinë dhe pabesinë më të madhe, për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një project anti-shqiptar, një project hakmarrës primitiv.

Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth, absolutisht, nuk ekziston një pëllëmbë tokë e nxanun. Jo në Theth po as në veri kurrkund”, thotë Berisha

Reagimi ose Rebelimi i thethasve

Për qeverinë shqiptare, një seri denoncimesh të deponuara në Prokurori rreth këtyre vilave, që qëndrojnë fare pranë një Kishe panoramike në Theth, janë arsye e mjaftueshme që janë ndezur eskavatorët për rrënimin e tyre.

Por, procedura e rrënimit, regjistroi edhe një akt të rëndë, ku shihej se si një eskavatori iu hodh koktej molotovi dhe se si forcat e rendit në Shqipëri, largoheshin me vrap.

Lajme të ngjashme