Si plasi radikalizmi në Podujevë, qytetin që s'dërgoi asnjë “xhihadist” në Siri e Irak
Radikalizmi i “përgjumur” fetar në Kosovë tashmë është zgjuar. Viktima e parë e tij është një imam 60-vjeç nga Podujeva, i cili po vazhdon të trajtohet në QKUK për plagët që mori nga dhuna brutale.
Të arrestuarit, tre vëllezërit Murturi, sipas informacioneve ishin të indoktrinuar nga doktrina fetare vehabiste, e dënuar gjërësisht si interpretim ekstremist i islamit.
Kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, është i alarmuar pas ndodhisë, teksa njohësit e sigurisë, e cilësojnë sulmin si të motivuar fetarisht.
Në qytetin, që dikur vlerësohej si vatër e islamit tradicional, tani po dëgjohen këmbanat e alarmit mbi radikalizmin e dhunshëm.