Gjakovë, Pejë e Shtime: Dyshime për ‘tren bullgar’ nga Vetëvendosje, çka po pretendohet?
Gishtat janë drejtuar te Vetëvendosja me akuza e pretendime për të ashtuquajturin ‘tren bullgar’ – ku, siç raportoi gazeta Nacionale, tashmë prokuroria veçse ka shtënë në duar një fletvotim fals në një qendër votimi në Gjakovë, nga i cili dyshohet të ketë nisur rrjedhë e votimit në varg të manipuluar.
Përvçe Gjakovës, të njëjtat dyshime janë ngritur edhe në Pejë e Shtime drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje, ku komisionarë zgjedhorë të PDK-së dhe LDK-së kanë raportuar të kenë identifikuar fletvotime pa vulë, çka çojnë në dyshime për aplikim të të ashtuquajturit ‘tren bulgar’.
PDK për ‘rastin’ në Shtime.
“Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega Shtime, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me gjetjen e disa fletëvotimeve të pavulosura e që mbajnë numrin e subjektit të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Numërimit në Shtime”, thanë ata në një raportim për media.
“Kjo ngre dyshime serioze për kepërdorimin e vullnetit të qytetarëve të Shtimes gjatë procesit të votimit andaj i bëjmë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje, për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor. Çdo përpjekje për të manipuluar vullnetin e qytetarëve është e papranueshme dhe cenon rëndë demokracinë tonë”, thonë nga PDK në Shtime.
LDK për një ‘rast’ në Pejë
Në një raport që ka siguruar gazeta Nacionale nga një qendër vendvotimi në Pejë, një komisionare e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet të ketë identifikuar tre fletvotime pa vulë, kësisoji duke ngritur dyshime për të ashtuquajturin ‘tren bullgar’.
“Raport për Qendrën e Votimit në Nabergjan (Komuna e Pejës) me numër 1724/03. Gjatë procesit të numërimit të votave në Qendrën e numërimit 1724, në klasën 03, janë identifikuar tri (3) fletë votime të pa vulosura nga Komiaionerja e LDK-së Genesa Bërbati.Pas numërimit të votave ajo ka raportuar se në klasën 03 të kësaj Qendre kanë hasur në 3 (tri) fletëvotime të pavulosura si dhe 27 fletëvotime të pavlefshme të cilat ani pse ishin të shenjëzuara anash emrit të partisë LDK nuk i ka lejuar që të numërohen si të vlefshme”, thuhet në raport.
“Shqetësimi ynë është tek 3 fletëvotimet e pa vulosura të cilat kanë mundur të shpërndahen jashtë Qendrës së votimit dhe të deformohet / demtohet procesi zgjedhor) Vlenë të cekët se gjatë menaxhimit të këtij procesi në klasën 03 të kësaj Qendre, administrator i vulës ishte Istref Iberdemaj Komisioner i partisë Vetëvendosja”.
Rasti në Gjakovë
Dy fletvotime të kopjuara çka dyshohet fort të jenë evidencë për atë që njihet si “treni bullgar” veçse i ka në duar prokuroria e Kosovës, ka marrë vesh gazeta Nacionale nga burime përbrenda prokurorisë.
Rasti, siç marrim vesh, ka ndodhur në Qendrën e Votimit në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë.
Që të dy fletvotimet në fjalë, që dyshohet të kenë nisur rrjedhën pasuese të “trenit bullgar” që tashmë prokuroria po i heton, janë ‘votë’ për Vetëvendosjen dhe kandidatët e kësaj partie nga Gjakova.
Dyshimet e para ndaj këtij fenomeni manipulimi zgjedhor i pati dhënë nga Hajdar Beqa nga Partia Demokratike e Kosovës.
Nacionale merr vesh që dje në shkollën “Zekeria Rexha” shkuan policia hetuese dhe prokuroria për të verifikuar dyshimet e mëdha për këtë fenomen.
Aty u rastisën dy të tilla ‘fletvotime’ me votë për VV-në.
Megjithatë, burime të tjera thonë edhe se “interesante” është që prokuroria ka nxjerr dy fletvotimet por se kutia ku janë gjetur nuk është hequr si e tillë.
Si nisën dyshimet?
Hajdar Beqa nga PDK të hënën, një ditë pas zgjedhjeve, tha se vëzhguesit e partisë kanë raportuar se ka dyshim të bazuar për fenomenim në fjalë.
Kjo ngase, sipas tyre, Vetëvendosja rezultonte të ishte e mbivoztuar.
“Ftojmë organet e Drejtësisë që të merren me trajtimin e këtij rasti dhe presim që shkelësit e Ligjit Zgjedhor të ballafaqohen me sanksionin penal që parasheh Kodi”, shkroi deputeti Beqa.
Media “Klan Kosova” dje publikoi pamje nga momenti i nisjes së hetimeve për dyshimet e të ashtuquajturit “tren bullgar” ku edhe kishte zbarkuar prokuroria, por nuk raportoi të ishin esktraktuar prova mbështetëse.
Bilanci aktual i votimeve në shkollën “Zekeria Rexha” del të jetë kështu:
Vetëvendosja: 1 mijë e 744 vota (58.37%)
AAK: 420 vota (13.82%)
LDK: 405 vota (13.33%)
PDK: 205 vota (6.75%)
Çka është treni bullgar?
Ky fenomen manipulimi zgjedhor nis me një fletvotim të kopjuar – falco – që futet brenda nga një votues i paracaktuar, e i cili brenda merr një fletvotim origjinal të thatë kinse për të votuar por e merr me vete dhe nxjerr jasht, ndersa ne kuti votimi e vendos atë falcon.
Ajo origjinale që nxjerret jashtë mëpastaj mbushet nga dikush tjetër i radhës, e ky i fundit sërish merr një origjinale të thatë, ndërsa origjinalen paraprake të mbushur jashtë e vendose në kuti të votimit – duke u përsëritur në varg kësisoji.