Ë-ja e madhe, ç-ja e vogël: kush i dizajnoi shkronjat e para të gjuhës shqipe?
Njëri nga filmat më të njohur shqiptarë të kohës së "Kino Rinia" në kohën e Shqipërisë komuniste, është ai i titulluar “Udha e shkronjave”, që flet për përpjekjen e parë shqiptare për ta krijuar shtypshkronjën e parë shqipe. Sidoqoftë, përtej këtij rrëfimi kinematografik me shumë mite brenda tij, nuk ka pasur ndonjë hulumtim që është marrë më tipografinë shqiptare.
Yll Rugova, dizajner me përvojë, gjatë dy viteve të karantimit dhe pandemisë, i kishte hyrë këtij misioni. Pas dy viteve hulumtim nëpër disa prej arkivave më të njohura në botë, gjithçka ka rezultuar në një libër që merret me historinë e dizajnimit të shkronjave shqipe. Titullohet “Tipografia shqiptare 1555–1912”, që nis me tipografinë e shkronjave të librit të parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, dhe përfundon te shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ku edhe lulëzon një epokë tjetër e shtypit të shqipes.
“Prej 1912 ndodh një ndryshim drastik, shtypet më shumë, në forma më të ndryshme dhe meriton një trajtim tjetër”, thotë Yll Rugova, autor i librit.
Në Podcast Nacionale, Rugova i rrëfen të gjeturat e hulumtimit të tij për gdhendjen e shkronjave të para shqipe. Kush i dizajnoi shkronjat e alfabetit të sotëm shqip? Pse ekzistojnë shkronjat e vogla e të mëdha? Cili është funksioni i tyre? Si u dizajnuan disa prej shkronjave më specifike që ka gjuha shqipe, si ë-ja e ç-ja? A ka alfabeti shqip një dizajn të veçantë apo u kopjua nga alfabetet e tjera? Yll Rugova në këtë "podcast" tregon të gjetura interesante si ajo për gdhendjen në çelik të alfabetit të Stambollit nga vetë Sami Frashëri e për shtypshkronjën prodhimtare të Kristo Luarasit.

