Veronika e Tiranës dhe Veronika e Prishtinës
Col Mehmeti
Ka një paradoks që zgërdhihet sa herë përmendet aspirata e bashkimit të shqiptarëve.
Edhe në kohë okupimesh e administratash militare, ndarjet me kufij janë shfuqizuar nga disa rrethana të jashtme.
Këta kufij arbitrarë janë zhbërë pa luftë, pa zahmet të madh e pa sakrifica irredentistësh.
A thua si ndodhi kjo?
Bie llafi, nëse shihet një hartë e kontinentit nga vitet ‘30 del që një skaj jugperëndimor i Ballkanit, që përkon me hapësirat shqiptare, është tejet kompakt, i bashkuar dhe monolit madje.
Megjithëse bëhet fjalë për botën post-versajane kur Evropa tashmë ishte ravijëzuar me kufij që duheshin respektuar nga secili dhe nga të gjithë, megjithëse Jugosllavisë e Greqisë i diheshin cok kufijtë, seç kishte diçka që i shlyente kufijtë mes tyre, një si gomë e madhe që nuk pyeste për sovranitete.
Por, harta në fjalë është vetëm aso që pasqyron shpërndarjen e analfabetizmit në Evropë.
Njerëzit e vetëm në Evropë që nuk dinin ABC-në ishin shqiptarë qoftë në shtetin e pavarur, qoftë në Jugosllavi a Greqi.
Njësoj e bashkuar dhe pa kufi shfaqet hapësira shqiptare në një hartë tjetër të Evropës ku paraqiten me ngjyra rajonet e pazhvilluara.
Shqiptarët janë të bashkuar edhe në një hartë tjetër që paraqet shkallën e ulët kulturore e arsimore.
Eh, në këso raste kufijtë për një çast suspendohen dhe hapësira shqiptare frymon e njësishme në totalitetin e saj.
Pra, shqiptarët edhe pa e kuptuar e kanë jetuar bashkimin.
Porse, ky ishte bashkim rekordesh të zeza e aspak të lakmueshme.
A do të ishte arsye krenarie nëse në një raport intern të policive evropiane për punën e narkotikëve, shqiptarët do të paraqiteshin si të bashkuar pa e përmendur nëse janë nga andej apo këndej Drinit?
Shqipní, Kosovë, e deri-diku edhe Maqedoni, edhe në këto momente, shfaqen të bashkuara për nga nivelet e vajtueshme të arsimit, depresionit kolektiv dhe psikologjisë për të ikur kudo.
Ky lloj bashkimi, që u bë pa ceremonira e dekrete, është karikatura e atij bashkimi eterik me të cilin ëndërrimtarët shihnin shqiptarë më të zhvilluar, më të hajrit, më të ndritur e më të lumtur.
Por, gara në botën e sotme më nuk bëhet për krenarinë e fisit.
Kombi e tërheq këmbëzen e vetëvrasjes sapo braktis inovacionin dhe start up-et.
E mira është se një gjysmë e jona andej Drinit ka nisur të naltohet e ta kapërcejë stadin e izolacionizmit.
Në një kohë kur në Kosovë një parti e prek pesëdhjetëpërqindëshin me ura të betonit në Ibër, me performanca koti për gjoja sovranitet, me ulurima populizmi, Shqipníja është më afër se kurrë për ta jetuar ëndrrën e madhe të të qenit pjesë e BE-së.
Sigurisht, puna e meritave për Shqipnín e Malin e Zi ha debat – tekembrama, portat e anëtarësimit i hap ose i mbyll zori gjeopolitik.
Megjithatë, askush nuk e pikëpyetëson që këto shtete do të jenë miset e reja të familjes evropiane.
Derisa ne do të vazhdojmë me gverret tona provinciale, për nder sovranësie a kufiri, për fantazma të një Serbie që nuk kthehet më, në krahun perëndimor të getosë sonë do të ketë një botë krejt tjetërfare.
Kosova, më së afërti më 2027 ose më së largu më 2030, do të ketë një kufi prej 191 kilometrash me dy shtete anëtare të BE-së.
Përtej laurave të pikëkalimeve kufitare në Vërmicë e Kullë do të shfaqet një qytetërim politik që shërbehet me rregulla, standarde e mentalitete tjetërfare.
Kurse Kosova pas dy vitesh do të jetë në përhënjen e vet nën regjimin albinkurtist.
Megjithëse bota ka ecur përpara, njerëzit këndejpari do të jetojnë e rijetojnë gjendje që kanë kaluar prej kohësh, por që jetojnë si xhehnem i gjallë në kryet e njerëzve të deluzionuar.
Getoja jonë, që kufirin me BE-në do ta ketë të gjatë 191 kilometra nga Restelica deri në Rozhajë, do të vazhdojë ecjen së prapthi në kohë duke kuvenduar hala për decentralizim, thika mbi harta, copëtim tokash e krenari province. Ç’neveri!
Do të ketë, pra, një diferencim brendashqiptar në Ballkan: një pjesë që jeton BE-në me hajret e johajret e saj, dhe një pjesë tjetër që jeton duke e mallkuar BE-në, duke u fundosur edhe më shumë në albinkurtizëm e depresion.
Do të jetë një jetë e dyfishtë e Veronikës nëse do të shërbeheshim me kryeveprën kineaste të Krzysztof Kieślowskit “La double vie de Véronique” (në polonisht Podwójne życie Weroniki).
Pa e shkopsitur filmin me shpjegime të mërzitshme, le ta shkëpusim vetëm një copë prej tij si parabolë për Shqipnín dhe Kosovën që po i ndan…albinkurtizmi.
Filmi i Kieślowskit vë në qendër rrëfimet paralele për një femër franceze me emrin Véronique dhe një tjetër polake me emrin Weronika.
I thurur me një cergë misteri, filmi shpaloset me historitë ndryshe-ndryshe të dy femrave që janë identike njëra me tjetrën.
Véronique franceze është mësuese e muzikës, kurse ‘binakja’ e saj polake, Weronika, është soprano.
Ato janë të ndara dhe nuk e kanë idenë për njëra-tjetrën, përveç një ndjesie të pakuptueshme të paplotësisë ose të të qenit në dy vende njëkohësisht.
Një ditë derisa ishte në skenë duke interpretuar, Weronika polake vdes në lule të moshës nga sulmi në zemër.
Ndërkaq, Véronique franceze vazhdon jetën e saj anipse nga ai moment diçka brenda saj vdirret e tretet.
Alegoria e Kieślowskit vret larg.
Ajo mund të interpretohet fare mirë si një kritikë ndaj komunizmit njerishkatërrues që Evropën e ndau me mure.
Dy femra të njejta, me vokacion e me pamje, janë kaq të ndryshme e kaq të ngjyrosura me realitetet në të dyja anët e Perdes së Hekurt.
Véronique franceze është e lirë, lozonjare, e shpenguar dhe bën një jetë mondane në Francën që nuk mpaket nga dara e komunizmit.
‘Binakja’ e saj polake, Weronika, vritet çdo ditë nga varfëria, nga një sistem që po i hante së gjalli njerëzit me ideologji varfëruese.
Diçka e tillë me sa duket po bën vend edhe si dramë ndërshqiptare.
Një Veronikë tironse, me të mirat e xanxat e saj, do të aktualizohet si pjesë e një tërësie që quhet BE.
‘Binakja’ e saj, Veronika prishtinalike, do të jetojë nën një regjim që ndan për fundvit sadakë sociale e që shtetasit e vet i indoktrinon me ethet e një lufte iminente, me krenarinë e fisit e me flamujt e sovranitetit.
Noli dikur e vargëzoi një dhembje kushedi për çfarë, por e cila kuptimësohet edhe sot: “Atje sa bukur/ këtu sa zi, o Moisi/ Këtej ka dimrin, andej pranverën/ kërkon parajsën, vdes në Skëterrën”.