Pesë opinionet më të lexuara të vitit 2022 në gazetën Nacionale
Viti 2022 kishte aq shumë ngjarje dramatike sa opinionet u bënë po ashtu të rëndësishme në ofrimin e një perspektive personale mbi to. Opinionistët e Nacionales e thanë fjalën e tyre gjatë gjithë vitit... e edhe lexuesit e thanë ‘fjalën’ e tyre për to. Më poshtë i keni top-5 më të lexuarat.
Matja e lexueshmërisë për këto opinione është bërë prej muajit mars kur gazeta Nacionale erdhi në ekzistencë e deri në ditën e fundit të vitit 2022, 31 dhjetorin. Dhe renditja ishte... befasuese!
5. Parandjenja nga Greqia – Jetlir Buja
Jetlir Buja do të shkruante për disa fjalë të kryeministrit gjatë vizitës së tij – ose siç e quante ai pushimeve verore të tij – në Greqi.
Kurti do të fliste aty për një parandjenjë se lufta mund të kriste në Kosovë si “episod numër tre”.
“Deri më tani kemi pasur episodin numër një në Ukrainë, parandjenja më thotë që ne me siguri do të jemi episodi numër tre.” – kishte thënë Kurti.
Por, ja çka thoshte Buja: “...kryeministri i Kosovës bën formulime fjalish politike mbi parandjenja. Për më tepër, parandjenja që nuk shtrihen mbi situata të dhëna, por mbi situata hipotetike. Pra, ekziston një ‘nëse’ dhe një ‘atëherë’, dhe merreni me mend ky ‘atëherë’ shtrihet mbi parandjenjë. Ta thjeshtojmë: ka parandjenjë mbi atë që as nuk e parashikon se do të ndodhë!”
Shkrimi i plotë: “Parandjenja nga Greqia: ‘Dorëheqja’ e kryeministrit është dhënë”
4. Djali i varfër që u bë reper i njohur – Mirlind Behluli
Mirlind Behluli do të shkruante për një personazh të emisionit argëtues Big Brother të quajtur Getinjo.
Sipas tij, mu ky personazh meritonte ta fitonte Big Brotherin për shkak të rrënjëve të tij.
“Getinjo është konkurrent tipik për shou të tillë. I zjarrtë në diskutime, këmbëngulës, rebel, joshës për ta ndjekur, i dashur nga publiku. E mbi të gjitha, tepër human dhe empatik sa herë e kërkon nevoja.” – shkruante mes tjerash Behluli.
Shkrimi i plotë: Djali i varfër që u bë reper i njohur: Pse Getinjo meriton ta fitojë BBVK-në?
3. Kjo është hera e dytë që Edi Rama... – Berat Buzhala
Të rikthehemi te politika. Berat Buzhala do të shkruante një opinion të ashpër ndaj kryeministrit shqiptar Edi Rama, mu në kohën kur ai ndoshta kishte mbërrirë popullaritetin më të madh. Kishte folur gjerë e gjatë në Këshillin e Evropës kundër Raportit të Dick Martyt.
“Fjalimet e bukura dhe të forta kur dalin prej gojës së liderëve të shteteve të korruptuara dhe të kapura dalin qesharake. Madje dalin qesharake kur dalin prej gojës së kryeministrave të shteteve të vogla. Pikë. Nuk ka nevojë që të jenë të korruptuara. Prandaj, krejt çfarë kemi mësuar dhe kemi lexuar në histori janë ato fjalimet e fuqishme të Churchillit, Kennedit, Villi Brandit, De Gaulle, e nuk kemi lexuar a mësuar për ndonjë fjalim që e dridhi botën që ka dalur prej gojës së kryeministrit të Sllovakisë, Moldavisë, Estonisë a Finlandës.” – argumentonte mes tjerash Buzhala.
Shkrimi i plotë: Kjo është hera e dytë që Edi Rama i manipulon shqiptarët e Kosovës
2. Një pjesë e madhe po e sheh gabim... – Jetlir Buja
Ky opinion e tregon më së miri se sa false është shpesh drama që përcjell ngjarjet e rëndësishme në Kosovë. Nëse nuk shkruan derisa ajo ndodh, apo qysh në orët e para pas ndodhisë, atëherë rrezikon të mos lexohesh.
Por, Buja e ka shkruar këtë shkrim mu në kohën kur të gjithë po merreshin me dhunën që ushtrohej nga disa infermiere ndaj një gruaje të moshuar në një klinikë private.
Shumë njerëz në atë kohë kishin nisur të kërkonin “feministet” pasi dhuna në atë rast po kryhej nga disa gra. Opinionisti tregon se pse kjo ishte logjikë e gabuar dhe e dëmshme.
“Ajo që ndodhi në Pejë nuk na e zbulon ‘natyrën’ e vajzave dhe grave. Nuk na e zbulon as ndonjë veçori të caktuar të vajzave apo grave kosovare. Nuk na thotë - siç mund të na çojë logjika e atyre që po kërkojnë ta dinë ku janë feministët - që edhe vajzat dhe gratë kryejnë akte dhune kur e ku të munden si burrat. Na zbulon thjesht tri infermiere derisa e rrahin/qeshin-me-rrahjen e një gruaje të moshuar e të sëmurë dhe na thotë se jetojmë në një kulturë tmerruese dhune.” – shkruante mes tjerash ai.
Shkrimi i plotë: Një pjesë e madhe po e sheh gabim videon e rrahjes së të moshuarës në Pejë
1. Rrena që prodhoi vrasjen... Jetlir Buja
I njëjti rast është edhe me opinionin mbi një vrasje që kishte tronditur Kosovën gjatë muajit maj të vitit të kaluar e që doli si më i lexuari i vitit 2022. Ishte në pyetje industria e hip-hopit. Ishte në pyetje një reper i njohur. Dhe ishte në pyetje drejtësia që dukej e shtrembër. Buja kishte shkruar mu në kohën kur tema ishte shumë e nxehtë në debatin publik.
“Mos-bindja civile ndaj autoriteteve – sado false që është – as nuk mund të krahasohet me problematikën e objektifikimit të grave dhe himnizimin e primitiviteteve tjera. Efektivisht, këta njerëz po zgjerojnë hendekun që veçse ekziston mes njerëzve që duan të emancipohen e të jetojnë në një shoqëri më të hapur e më të drejtë dhe njerëzve që për shkak të sistemit arsimor nuk mund të emancipohen e nuk mund ta kuptojnë shoqërinë e hapur dhe të drejtë. Emancipimi, fatkeqësisht, zbret në shoqëri ngjashëm si kapitali. Njerëzit e varfër e të diskriminuar qasjen në emancipim e në arsim cilësor e kanë e do ta kenë dukshëm më të vështirë se sa njerëzit e pasur.” – shkruante mes tjerash Buja.
Shkrimi i plotë: Rrena që prodhoi vrasjen në Ferizaj
Nacionale shpreh falenderim të përzemërt edhe për të gjithë opinionistët tjerë jashtë redaksisë që kanë kontribuar përgjatë vitit 2022 me opinionet e tyre!