Një pjesë e madhe po e sheh gabim videon e rrahjes së të moshuarës në Pejë - NACIONALE

Një pjesë e madhe po e sheh gabim videon e rrahjes së të moshuarës në Pejë

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Videoja e një gruaje të moshuar në Pejë që rrahej nga një infermiere derisa të paktën dy të tjera shkriheshin së qeshuri tashmë është bërë virale. Por, kjo vëmendje e madhe për rastin po provokon interpretime – ose mendermethënë belbëzime interpretimesh – të rrezikshme ndaj të cilave duhet reaguar menjëherë. Bash këto reagime na tregojnë qysh një pjesë e madhe në shoqërinë tonë, ndoshta më e madhja pjesë, po e sheh videon e dhunës ndaj të moshuarës krejt gabimisht!

“Ku janë feministët?” – po çirren shumë e shumë vetë, veç pse në këtë rast dhunueset janë vajza. Ndoshta edhe duke menduar se po e zbulonin një të vërtetë të ndrydhur e të shtypur për shumë e shumë kohë që thotë se edhe gratë e vajzat ushtrojnë dhunë. Po i thonë këto fjalë, pa e kuptuar se në fakt ajo çka po zbulojnë janë thjesht do fragmente të monologjeve seksiste që i bëjnë brenda mendjeve të tyre të vogla.

Askush nuk ka pretenduar ndonjëherë se gratë dhe vajzat nuk ushtrojnë dhunë. Në Kosovë nuk ka misandrizëm, ka misogjinizëm. Pohimi se dhuna ndodhet e trupëzuar te burrat e padhuna ndodhet e trupëzuar te gratë nuk ka ekzistuar e nuk ekziston. Ajo që ka ekzistuar e ekziston është denoncimi i drejtë dhe i vazhdueshëm i kulturës patriarkale, një prej veçorive të së cilës është edhe dhuna fizike.

Këtu le të merremi specifikisht me gratë e dhunshme.

Edhe unë kam parë shumë gra të dhunshme në shoqërinë tonë. Nëna që rrahnin me grushte fëmijët. E kam parë një nënë para disa vitesh që e kishte lidhur fëmijën e saj me konop si të ishte qen, midis parkut të qytetit. Pastaj, e kam parë një grua që i gjuante me ujë nga banesa disa romë të mbledhur poshtë banesës së saj te shtatorja e Zahir Pajazitit. I kam parë edhe rastet e tjera mediale të edukatoreve që rrahnin nxënësit.

Këto gra të dhunshme janë mes shumë e shumë grave tjera të mbrujtura me vlera patriarkale në vendin tonë. Sepse duhet thënë troç: edhe dhuna e grave është patriarkale. Dhuna është mjeti që krijon nënshtrim trupor, e i cili pastaj çon drejt raportit të dominancës dhe gjithë fryteve që ia sjell kjo nënshtruesit. Nënshtrimi trupor është sjellje e brendashkruar në vlerat patriarkale. Është mënyra e zakontë (por jo e vetme) qysh ushtrohet pushteti patriarkal.

Ajo që ndodhi në Pejë nuk na e zbulon ‘natyrën’ e vajzave dhe grave. Nuk na e zbulon as ndonjë veçori të caktuar të vajzave apo grave kosovare. Nuk na thotë - siç mund të na çojë logjika e atyre që po kërkojnë ta dinë ku janë feministët - që edhe vajzat dhe gratë kryejnë akte dhune kur e ku të munden si burrat. Na zbulon thjesht tri infermiere derisa e rrahin/qeshin-me-rrahjen e një gruaje të moshuar e të sëmurë dhe na thotë se jetojmë në një kulturë tmerruese dhune.

Ka tepër shumë burra dhunues, dhe ka shumë gra dhunuese!

Në anën tjetër, ajo çka na thonë reagimet e tipit “ku janë feministet?” është se ka një përpjekje të rrezikshme për ta relativizuar dhunën e burrave ndaj grave. Pra, ka një përpjekje për ta relativizuar një prej problemeve më serioze e më urgjente në vendin tonë.

Lajme të ngjashme