Sovranitet pllaq-plluq
Col Mehmeti
Thuajse asnjë vend në veri nuk është i denjë për të bërë numra prestidigjitatorësh sa liqeni i Ujmanit.
Të zëna pisk nga vargmalet e Rogoznës në perëndim dhe Kopaonikut në lindje, të katër komunat në veri të Ibrit kanë një gjeografi malore, një vend anë-e-përtej bokërimë.
Në këtë peizazh të fjetur kufitar, liqeni disakilometërsh i Ujmanit ka njëfarë apeli vizual siç e kanë pak pjesë në Kosovën e vocërr.

Duke llogaritur në efektet e garantuara fotogjenike, të rrallë janë ata që do t’i thoshin jo një fotoshkrepje a filmimi qoftë edhe në brekë, qoftë edhe me trupat e shformësuar nga dhjami i modernitetit.
Mu për këto arsye, fotoshkrepjet e filmimet propagandistike të regjimit albinkurtist kujdesoheshin që mesazhet e tyre politike të jepeshin duke pasur si prapavijë Ujmanin ujëkaltër të strofulluar mes kodrinash.

Për dy vite rradhazi, partia-shtet organizoi gjatë verës ture kuazi-turistike me militantë e bjerrakohës të saj.
Me harxhet e hequra prej shpís e me autobusë falas, turistët partiakë bënin plazh shpatijeve të Ujmanit anipse ca ligje të vdekura në letër e ndalojnë këtë.
Nga këtu shkëputeshin pamje filmike që bënin kërdi në atë platformë sociale ku VV-ja gëzon hegjemoni vetmitare, pra TikTok-u dhe personazhet e tij vulgare.
Kaq mjaftonte që të kontrabandohej hajdutçe rrëfimi triumfalist i partisë-shtet, d.m.th vendet më parë të ndaluara, no-go zones, po bëheshin të qasshme nën flamujt e sovranitetit të pakontestueshëm të Prishtinës.

Në teorinë albinkurtiste të shtetit, brekët e larjes u bënë aset strategjik njësoj si armët, predhat e dronët.
Sipas kësaj logjike për faqe të zezë, zdeshja e pantollave slim dhe veshja e brekëve ishin baraz me një akt patriotik ku njeriu nga statusi i qytetarit kalonte në atë të ‘ushtarit’ që flijohet për interesat dhe krenarinë e shtetit. Ha ha ha!
Megjithatë, fotoshkrepjeve e filmimeve të tilla u mungonte një kënd tjetër, si të thuash njerëzit behind the scenes.
Militantët nuk e çanin me not Ujmanin e thellë se ai ishte veçse një pjesë e sapoçliruar e Kosovës dhe e njejtë me të tjerat. Jo, jo, jo…
Qesharakisht, asnjëri nuk vinte aty pse kishte këllqe, por pse sipër ure ose nën të, me diellin që piqte si saç, rrinin makina të tëra të Policisë së Kosovës që vigjilonin për mbarëvajtjen e spektaklit me not.

Lexo edhe: Sovraniteti me brekë
Por çdo lojë e lirë fiket shpejt dhe po kështu edhe turet verore të Vetëvendosjes zunë të rralloheshin.
Dje, kolegët gazetarë nga VOX-i sollën pamje ku qindra serbë u mblodhën, sipas ritualit tradicional, për ta zënë kryqin e hedhur në ujë.
Duket sikur rolet ishin këmbyer.
Militantët e VV-së i bëjnë pllaquritjet e tyre gjatë verës, kurse ata serbë i bëjnë pllaq-plluqet e tyre gjatë dimrit.

Liqeni i Ujmanit nga një pellg jetik i ujit për qindra-mijëra njerëz shndërrohet në një pellg ku fuqizohen me radhë herë VV-ja, herë Lista Srpska.
Një ekonomi e spektaklit të lirë që punon verë e dimër!
Aty ku mungojnë dijet e vizionet mbi të nesërmen, po aty me siguri piedestalizohen simbolizmat e kauzat ditëshkurta.
Të dyja palët kanë energji qençe për ta armëzuar një liqen, një grumbullim uji, e për ta naltësuar çdo prani të tyren aty si njëfarë reconquista, çlirim i gjësë tënde nga duart e tjetrit.

Kur të shihen nga largesa e së ardhmes këto spektakle në formë pllaquritjesh, brezat e palindur me shumë gjasë do ta kenë shumë të qartë budallepsjen e prindërve a gjyshërve të tyre.
Ata nuk kishin ide se një ditë agon e ardhmja, por përdornin gjithçka për t’u zhytur në të tashmen e mjeruar të tyre ku edhe gjërat më të kota bartnin kuptime.
Në këtë pellg ishte fitorja pllaq-plluq VV-së, por edhe humbja e saj pllaq-plluq.