‘Sa paguhesh prej Serbisë’ - NACIONALE

‘Sa paguhesh prej Serbisë’

2 vjet më parë

nga Dafina Demaku

Për ta thjeshtëzuar edhe pak, ta zëmë, qe për çështjen e dinarit. Nëse si opinionist, deklaron se ‘ka qenë mirë me u dëgju këshillat e aleatëve tonë’, fjalia që hynte në veshët e përkrahësve të pushtetit e madje edhe vetë pushtetit, ishte vetëm ‘ka qenë mirë me u dëgju këshillat’ dhe pjesa ‘...e aleatëve tonë’ – në trurin e tyre, zëvendësohej automatikisht me Vuçiqin. “Kjo ndodh sepse ngjitja fillestare e demagogut drejt pushtetit ka prirjen të polarizojë shoqërinë, duke krijuar një klimë paniku, armiqësore dhe mosbesimi të ndërsjellë”.

***

Kosova ka rënë në fund të pusit sa i përket lirisë së medias, duke u renditur e 75-ta në botë ose më keq se çdo herë tjetër në dhjetë vitet e fundit.

Cila është pjesa më shqetësuese – për mua – në këtë raport?

“Mediat e pavaruara dhe gazetarët hulumtues janë target i sulmeve dhe lajmeve të rreme në rrjete sociale. Ata janë akuzuar padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, një retorikë e përdorur nga politika dhe grupet fetare’.

Në Kosovë, si kurrë më parë, në tri -katër vitet e fundit gazetarët i janë nënshtruar sulmeve dhe linçimeve online, që buronin nga lartë – poshtë, në kontekstin e togfjalëshit ‘bashkëpunëtorë të armikut’.

Si funksionon kjo skemë linçi?

Skema ishte kështu: në çdo rast kur krijohej një rrethanë specifike – sidomos në veriun e vendit – kushdo prej gazetarëve ose kritikëve të qeverisë që merrte guximin të komentonte në të kundërtën e vijës qeveritare, po atë ditë, duhej të ishte i përgatitur (mundësisht, sipas mundësive), që ta ‘përballonte’ edhe linçin masiv në rrjete sociale me mbishkrime si: “argat të Vuçiqit”, “Sa paguhesh nga Serbia” , ‘bashkëpunëtorë të BIA-s serbe’, etj.

Për ta thjeshtëzuar edhe pak, ta zëmë, qe për çështjen e dinarit. Nëse si opinionist, deklaron se ‘ka qenë mirë me u dëgju këshillat e aleatëve tonë’, fjalia që hynte në veshët e përkrahësve të pushtetit, ishte vetëm ‘ka qenë mirë me u dëgju këshillat’ dhe pjesa ‘...e aleatëve tonë’ – në trurin e tyre, zëvendësohej automatikisht me Vuçiqin.

Është shumë e qartë dhe nuk lyp ndonjë hulumtim. Në mëngjes, Qeveria cyt publikun që ‘të informohet për çkado rreth veriut vetëm nëpërmjet adresave të institucioneve qeveritare’, në mesditë, dikush prej figurave të pushtetit – kryesisht deputetë të partisë në pushtet shkruan ndonjë status në Facebook ku shpallë tradhtarët dhe ‘të paguarit e Vuçiqit’ dhe në mbrëmje, nëpër debatet televizive, mbështetësit e Qeverisë etablojnë gjithë këtë diskurs me po të njëjtat fjali dhe po të njëjtat sulme.

Shumicën prej tyre, i kam përjetuar në lëkurën time: që nga fushata kur në një mëngjes të hershëm të majit 2023, isha shpallur ‘gazetare e dyshuar si agjente serbe’ e deri te përballja nëpër studio televizive me mbështetës të qeverisë që bartin ‘diskursin e organizuar’ i cili përmbledhet me fjalinë: “Sa paguhesh prej Vuçiqit”.

Demokracia punë rraskapitëse, më lehtë me qenë autoritar, a po?

Demokracia është punë rraskapitëse, thonë Steven Levitsky dhe Daniel Ziblatt, në librin e tyre ‘Si vdesin demokracitë’.

Shumë prej autoritarëve (e më vonë pse jo edhe diktatorëve), kanë zgjedhur të qeverisin me vendin nëpërmjet dekreteve.

Në kontekstin tonë, shumë më e thjeshtë ta shpallësh dikë ‘argat të Serbisë’ – ose le të themi, më dekretive, sesa ta ballafaqosh me çfarëdo mjeti demokratik.

Shembuj ku liria e mesias, është e cunguar, duke i luftuar mediat madje edhe me arsyetimin ‘ligjor’, janë të njohur mirë. Për keq, këta shembuj i gjejmë në vende si Hungaria e Orbanit, Rusia e Putinit dhe Turqia e Erdoganit.

Një prej viktimavë më të mëdha në Turqi, është Dogan Yayin, pronari i rrjetit të mediave pjesë e të cilave ishte edhe Hurryiat.

Në vitin 2009, qeveria turke e kishte goditur atë me arsyetimin e evazionit fiskal – shumë që tejkalonte edhe krejt vlerën e rrjetit mediatik.

Hakmarrja në emër të ligjit ndaj Yayin, ishte për arsyen se ai ishte kritik i qeverisë. Ai u detyrua t’i shesë mediat në pronësi dhe ato u blenë nga një person pro-qeveritar.

Vladimir Gusinski, pronar i NTV-së ruse, ishte arrestuar ‘për keqpërdorim të financave’ dhe liria e tij do të vendosej ‘në pazar’ të qeverisë, dhe ajo ishte: ta dorëzonte mediumin.

Studiuesit Levitsky dhe Ziblatt, e përmbledhin në një citat tepër të rëndësishëm se cili është ndikimi i sulmeve të tilla, edhe në kontekstin e Kosovës – pa dyshim – duke qenë që Reporterët pa Kufij na bënë dhe, dhe si e minojnë ato për më tepër, besimin e publikut ndaj medias.

Dhe për më tepër, ‘justifikojnë’ mandej pushtetet përballë medias.

“Këso sulme shoqërohen me pasoja: nëse publiku mësohet me idenë se kundërshtarët janë të lidhur me terrorizmin dhe media është burim gënjeshtrash, atëherë është shumë më i thjeshtë justifikimi i veprimit kundër tyre”, thonë ata.

Lajme të ngjashme