Sa kushtojnë 'rrobat' e reja të kryeministrit
Ishte viti 2015. Visar Ymeri ishte zgjedhur kryetar i Vetëvendosjes. Albin Kurti, njeriu më i pushtetshëm brenda asaj partie, mbeti vullnetshëm vetëm aktivist i thjeshtë. Mënyra e zgjedhjes së Ymerit kryetar – siç paragjykohej atëherë, por edhe siç kallëzuan protagonistët – nuk ishte aspak demokratike sepse prapa saj qëndronte Albini si regjisor. Por, të paktën Albinit i bënte aq sa të regjisoronte një shfaqje ndryshe. Të paktën po luhej një shfaqje që s’e kishim parë kurrë në demokracinë tonë: partia po e zgjidhte një kryetar të ri partie, pa e pritur vdekjen e të vjetrit.
Deri atëherë, për mua ishte e qartë se Albin Kurti i besonte demokracisë. I besonte, bash ashtu siç i besoja unë: thelbi i demokracisë qëndronte edhe te formaliteti i saj, respektimi i saj. Në një pikë të statutit të VV-së, kërkohej nga kryetari që të jepte dorëheqje nëse zgjidhej kryeministër. Ideja e asaj pike ishte që kryeministri të ishte shërbëtor i të gjithëve, e jo veç i bashkëpartiakëve apo larg qoftë veç i vetes së tij. Dhe më e rëndësishmja, ajo pikë synonte që partia të mos rrudhej në një vegël tjetër pushteti për kryeministrin e ri/ish kryetarin, por të mbetej parti e të ruante funksionin e një mekanizmi të përhershëm llogaridhënës. Pra, besohej që demokracia s’kishte thjesht vullnet njerëzor por një set rregullash e formalitetesh që duheshin respektuar. Besohej te ideja, e jo te njeriu.
Por, ky besim është përmbysur plotësisht. Tashmë mjafton thjesht njeriu. Albin Kurtit nuk i bën më as aq sa ta luajë një shfaqje të re mbi demokracinë. Pikën e statutit që i kërkonte dorëheqje e hoqi më 2019 kur i mori votat për kryeministër. Jo që nuk zgjodhi ndonjë kryetar kukull atëherë, por nuk e zgjodhi as një kundërkandidat kukull as atëherë e as tash. Dhe, me diktat prej lart i zgjodhi vetë një nga një kryetarët e qendrave të partisë duke i eliminuar kundër-kandidatët e tyre.
Ai gjatë ‘fushatës’ zgjedhore për kryetar partie s’e mori asnjë kritikë të vetme. Përkundrazi, ai vetë kritikoi aktivistët për gjëra banale edhe pse zyrtarisht po ‘e kërkonte’ votën e tyre. E këta, i duartrokitën si gjynahqarë që s’e shihnin veten të denjë as për duartrokitës. Prandaj, edhe struktura e re partiake do të përzgjidhet – folur figurshëm – në bazë të decibelit që do të prodhojnë duartrokitjet dhe jo në bazë të ndonjë platforme serioze e koherente. Përmendet “drejtimi progresist” duke i lënë nënkuptueshëm fajin disa myslimanëve në parti për dredhimet e deritashme. Por, vetë ligjërimi i Albin Kurtit – jashtë disa fjalive frymëzuese të thëna rrallë, e tash edhe jashtë gjuhës së stërburokratizuar prej pushtetari – ishte krejt religjioz e i prapambetur që i mungonin veç do fjalë arabçe për të mos dalluar asgjë prej atij të një hoxhe. Janë personaliteti i një njeriu dhe një vullnet i mbinatyrshëm (shih programin e Qeverisë, veçanërisht pjesën e diasporës) ato që mund të çojnë drejt përparimit, sipas Albinit të vitit 2022 dhe jo idetë, vizioni apo rregullat mbi të cilat vihen në veprim ato.
Natyrisht, nëse ekziston një përpjekje serioze për profilizim ideologjik– si e majtë progresiste – do të tregohesha hipokrit po të mos e mbështesja. Por, e majta progresiste nuk mund të bëhet me metoda të prapambetura antidemokratike. Kjo është kontradiktë themelore. Nuk mund të mbivendosësh kurrfarë bindje të së majtës progresive prej lart poshtë, duke e shkëputur nga çfarëdo lidhjeje me rrënjët.
Prandaj, s’e besoj – edhe pse nuk mund ta mohojë krejtësisht – që kemi të bëjmë me përpjekje serioze për profilizim ideologjik. Kemi me shumë gjasë një regjisorim të radhës. Meqë, ësht i lodhur për të luajtur farsën e demokracisë, dhe e cila edhe si farsë e jep një farë rreziku, atëherë ndërtohet shfaqja e ideologjisë. Por, a s’ishte e deklaruar e njëjta ideologji edhe më herët, dhe a s’operohej me të njëjtin ligjërim religjioz? Për më tepër, a s’do të operohet me të njëjtit njerëz marrë parasysh që nuk po shohim kurrfarë afrimi të njerëzve tjerë?
Albin Kurti i sotëm ka në dorë krejt pushtetin ekzekutiv, diçka që as nuk mund të ëndërrohej prej kryeministrave paraprakë. Por, përtej pushtetit që i takon, atij ‘rastësisht’ në dorë i kanë rënë edhe Kuvendi me Presidencën. ‘Rastësisht’ po kërkohet neutralizimi i pushtetit të katërt(mediave) përmes sulmesh të pabaza, neutralizimi i sindikatave përmes luftërash të pabaza dhe neutralizimi i forcës së çfarëdo organizimi tjetër shoqëror. Çka i duhet gjithë ky pushtet, lind natyrshëm pyetja? Mos vallë po frikësohet që e shohim cullak, mos vallë s’ka asgjë jashta shfaqjeve/rrobave të tij? Dhe nëse po, sa do të na kushtojnë këto rroba?

