Rrëfimi i Rrahim Ramës: “Vetë nata e ka frikën që terri ta krijon, e le ma edhe torturat” - NACIONALE

Rrëfimi i Rrahim Ramës: “Vetë nata e ka frikën që terri ta krijon, e le ma edhe torturat”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrahim Rama u arrestua për herë të parë më 1979, si njëri nga nismëtarët e njërës nga organizatat e lëvizjes ilegale të asaj kohe. Rrëfimi i tij shpalos kompleksitetin e funksionimit të organizatave ilegale. Në fjalët e tij, ai dhe i vëllai ishin të dy pjesëtarë të dy organizatave të ndryshme dhe këtë gjë nuk ju lejohej t’ia tregonin njëri-tjetrit. Të dy u arrestuan në të njëjtën ditë, në të njëjtën dhomë. Njëri për aksionet e njërës organizatë, tjetri për aksionet e tjetrës. Para se të dërgohej në Goli Otok, Rrahim Rama kaloi rreth 34 muaj në burgjet hetuese të Kosovës: në atë të Prishtinës; Mitrovicës dhe Gjilanit. Për të, burgu hetues është vdekje e njeriut për së gjalli! Në Goli Otok e dërguan në vjeshtën e vonë të vitit 1984. Brenga e tij më e madhe gjatë kohës në burg ishte se kur të dilte, nuk do ta gjente të gjallë nënën e tij.

Unë jam Rrahim Rama, jam i lindur në komunën e Skënderajt në 1963. Në vitet e 70-ta, familja ime është shpërngulë nga Skënderaji dhe jetojmë në Prishtinë, me sa më kujtohet në ‘72-tën jemi të shpërngulun prej Skënderajit, katër klasë të shkollës fillore i kam kry në Skënderaj, pastaj shkollimin e kam vazhdu prej klasës së pestë në Prishtinë... Kam fillu shkollën fillore në shkollën “Gjergj Fishta”, është te Taukbahçja.

Pastaj jam regjistru në shkollën që është qujtë normalja. Kom kry aty shkollën e mesme. Gjatë shkollës së mesme ne kemi fillu me aktivitete ilegale dhe pastaj jemi arrestu në ‘79-tën tek shkolla e mesme ish-normale. Edhe pasi që unë vi nga një familje e Drenicës, edhe bisedat më së shumti kanë ndiku në përgatitjen, përjetimin tim... Baza ka qenë aty në familje... Kur jemi shpërngulë ne në Prishtinë.

Prishtina dihet është kryeqytet edhe ka pasë tjera vlera, tjetër kulturë... tjera aktivitete ka pasë në kryeqytet, qendër universitare, qendër e kulturës edhe të gjitha aktivitetet në atë kohë kryesisht kanë buru prej Prishtinës. Edhe ne si nxënësa të shkollës së mesme kemi fillu, jemi organizu... Kemi themelu grup ilegal në fund të ‘78-tës, dikun... vendimi është marrë në ‘79-tën në konviktin e gjimnazit matematikor... Kemi pasë themelu grupin ilegal edhe sidomos ka qenë një shtytje se në vitin 1978 ka qenë 100 vjetori i festimit të Lidhjes së Prizrenit, edhe Lidhja e Prizrenit në atë kohë ka pasë...

Festimi i saj ka pasë ba shumë jehonë, sepse janë mbajtë shumë konferenca, simpoziume. Ngjarja kryesore është organizu në Prishtinë, kanë ardhë studiues nga Shqipëria në Kosovë ku është mbajtë edhe kjo ka pasë elektrizu shumë, shumë Kosovën... festimi i 100 vjetorit sepse qëllimi i Lidhjes së Prizrenit ka qenë, ne e dimë çka ka qenë... edhe ‘78- tën kjo ka pasë dhanë një shtytje grupeve, organizimeve ilegale se të gjitha grupet dhe organizimet ilegale në atë kohë qëllim parësor kanë pasë bashkimin e trojeve shqiptare, çlirimin nga Jugosollavia dhe bashkimin e trojeve shqiptare edhe këto kanë qenë ato rrethanat që mu më kujtohet që kanë pasë ndiku ma së shumti që ne me u organizu.

Kryesisht grupi jonë me përjashtim të disave ka qenë një grup... gati përqind kanë qenë nxanës nga gjimnazi matematikor, e në gjimnazin matematikor kanë ardhë nga të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi, kanë pasë të drejtë me qenë nxënës edhe kanë pasë të sigurum konviktin, për ata domethanë aty kanë ardhë edhe nga Ulqini, edhe nga Presheva, edhe nga Maqedonia, Ohri, Struga... Në ‘79-tën kam qenë 15 vjeçar, domethanë krejt kemi qenë një gjeneratë, po dikush ka qenë një vit ma i ri, dikush... por kemi qenë një gjeneratë. Ne si gjeneratë shumë e kemi dëgju Radio Tiranën, ka qenë një emision për bashkatdhetarët, po edhe Radio Kukësin e kemi dëgju.

Në atë kohë ka qenë e ndalume shprehja e lirë e fjalës, do të thotë ka qenë sistemi një partiak ku ka qenë i ndalum kundërshtimi, edhe në mënyrë verbale... ka qenë çdo gjë e ndalume. I vetmi burim për radhët patriotike ka qenë shtypi ilegal, literatura ilegale ose përmes Radio Tiranës. Radio Tirana ka qenë në atë kohë një burim për ne... dhe informacionet, ka qenë shumë ta themi diçka sikur ta kërkojmë diellin, a mundemi pa diell? Në atë kohë ne kemi pasë Radio Tiranën, ose Shqipërinë e kemi pasë, i vetmi burim për neve ka qenë... sepse në atë kohë kanë qenë dy rrugë, o’ m’u drejtu nga Beogradi, o’ nga Tirana, e ne jemi orientu nga Tirana.

Edhe sidomos në atë kohë ka qenë një bashkëpunim i Kosovës me Shqipërinë edhe kanë depërtu shumë kuadra nga Shqipëria, kanë ardhë këtu në Universitetin e Prishtinës për me dhanë mësim, shumë kuadra, mirëpo kanë ardhë shumë grupe, ansamble nga Shqipëria kanë mbajtë koncerte prej ‘79-tës. Sidomos, unë që i kujtoj prej ‘78-tës deri në ‘81-tën kanë ardhë shumë grupe edhe ato grupe që kanë ardhë, ato ansamble të këngëve dhe valleve, përveç që na kanë dhuru muzikë të pastër shqiptare që ne kemi qenë në atë kohë shumë të etur të them të drejtën për ta dëgju folklorin tonë, muzikën tonë autoktone shqiptare, këta edhe shumë kanë pru edhe materiale propaganduese, kështu që ne kemi marrë edhe shumë materiale prej tyre...

Ata në formate të ndryshme ua kanë dhanë studentave, nxënësit kanë dhanë materiale që kanë pru, se sigurisht e kanë pasë edhe detyrë, kshtu që nuk kanë ardhë vetëm për të dhanë një koncert, po kanë ardhë edhe kanë pru edhe materiale, mirëpo në atë kohë ka qarkullu shumë edhe shtypi ilegal edhe ka qarkullu materiali... Ne jemi organizu në 1979-tën në, tash janë ba diku 40 vjet prej aksionit tonë të parë... Kemi pasë ndërmarrë në Mitrovicë shpërndarjen e pamfletave, i kemi organizu edhe më kujtohet parulla kryesore është që ka pasë ba shumë jehonë ka qenë, “Trepça punon, Beogradi ndërton”.

Ne kemi shpërnda... kemi ble hamera, edhe i kemi pasë shkru me shkronja teknike... Hamerat kanë qenë të formatit të madh, si të studentave për mos me u dallu... Kur i kemi përgatitë, i kemi përgatitë në gjimnazin matematikor. Parulla e dytë që ka dominu ka qenë, “Profesorë të nderuar, tregojuani nxënësve të vërtetën!” Domethënë ideja ishte që ne jemi të pushtuar dhe, “Tregojuani nxënësve të vërtetën!” Ka qenë një parullë e treta që ka bërë jehonë, “Fol Enver le të tundet deti, tash shqiptarët i ki me veti!” Ishte ideja që, “Fol, çliro Kosovën!” Se na e pritshim… në atë kohë, shumë e kishim idenë që Shqipëria domosdo do të involvohet në çlirimin e Kosovës. Unë jam arrestu me 12 nëntor të 1979-tës, mesa më kujtohet. Jam arrestu në shtëpi, tre vëllezër na kanë arrestu të njëjtën natë. Është interesant se vëllau që është arrestu, që është më i rritur se unë, ka qenë student i Fakultetit Teknik...

Du me ua tregu një detaj, unë e kom ditë që ai ka qenë i organizum, mirëpo ne e kemi pasë të ndalume edhe vëllau-vëllaut nuk i kemi tregu që jemi të organizum. Unë kam qenë i organizum tjetër grup, ai ka qenë tjetër grup i organizum. Materialet unë i kam përdorë, i kam marrë materialet ilegale, i kam shpërnda te grupi, po kurrë njëherë s’ma ka pranu edhe nuk më ka thanë që është i organizum. Unë e kam ditë që është i organizum...

Në një dhomë kemi banu, kemi qenë ai student, unë kam qenë nxënës i shkollës së mesme, natyrisht që nuk i kemi pasë kushtet, lluksin sikur sot ta kemi dhomën, po e kemi nda një dhomë bashkë edhe nuk e kemi ditë... Domethanë arrestimi u ba në të njëjtën ditë, ai u arrestu për grupin e vet, unë jam arrestu për timin. Prej grupit tonë në ’79-tën janë dënu tetë veta. Gjykimi është ba në 1980-tën, janë dënu prej tetë viteve deri në tre vite. E neve pasi kemi qenë shumë të rinj, na kanë liru, ishim 15 vjeç, mirëpo edhe dy-tri herë tjera na kanë pasë arrestu në 1980- tën... mu më patën fotografu, më patën marrë shenjat e gishtave, të gjitha sepse ata e zbulun që kam qenë kryetar i grupit edhe më patën trajtu...

Dikun dy javë ditë më patën mbajtë në burg! Shoktë m’i patën lëshu mbrenda dy-tri ditëve, mu më patën mbajtë dy javë. Pastaj ne kur kemi dalë prapë kemi vazhdu aktivitetin, kemi ra në kontakt me grupet tjera ilegale. Në vitin 1980 ka fillu botimi i gazetës “Liria”. Ma vonë ka ardhë shpërthimi i demonstratave të vitit 1981.

Shpërthimi ka qenë gjithëpopullor. Krejt ajo punë, ai angazhimi i grupeve ilegale, pastaj ka shpërthy në ‘81-tën. Njësia speciale në ‘81-tën ka qenë e stacionume në Gërmi. Atje ka qenë nji kompleks i policisë, për atë ma vonë kemi dëgju se në atë kohë nuk e kemi ditë, po ka pasë edhe përgjime që i kanë ba, i kanë pasë centralet e telefonit... Është një nga objektet e para që e ka gju NATO në ’99- tën. Ne pasi që kemi qenë nxënës, maturantë në ‘81-tën dy shokë vunë një sajle [shufër metali] në dy anët e rrugës për Gërmi, edhe ka ardhë kompanjolla... Kompanjolla janë këto veturat që i ka pasë njësia speciale, janë sikur mjete ushtarake edhe sajlla ka qenë shumë e trashë edhe janë aksidentu edhe në atë kohë është folë që ka pasë shumë të lëndumë, në spital i kanë dërgu!

Mirëpo ështe zbulu aksioni edhe i kanë dënu shokët. Pas një përvoje të gjatë nëpër burgje Kadri Osmani, Rexhep Mala vendosën me themelu... do të thotë me pasë krahun ushtarak lëvizja. Në atë kohë kryesisht u marrshim me aktivitete propogandistike me shpërndarjen e literaturës ilegale, me vetëdijësimin e masave, mirëpo këta pas një përvoje shumë të gjatë nëpër burgje, kishin ardhë në përfundim që duhet aksione luftarake, sepse nuk mjafton vetëm propaganda verbale për çlirim. Edhe dikun në dhjetor është themelu Partia e Luftës e Kosovës, themelues kanë qenë Rexhep Mala, Kadri Osmani dhe Nuhi Berisha. Natyrisht që ne u patëm gëzu se lufta jonë kalojke në një fazë tjetër, mirëpo tu marrë për bazë qysh ka qenë sistemi Jugosllav, UDB-a ka qenë shumë e fuqishme, natyrisht që ata i kanë përcjellë, i kanë sulmu...

Qëllimi i Rexhep Malës, Kadriut dhe Nuhi Berishës ka qenë për m’i shkri të gjitha grupet në një forcë, sepse edhe jashtë ishte ba shkrirja e grupeve dhe për atë arsye ka ndodh ekzekutimi i Jusuf Gërvallës, sepse pushteti Jugosllav, UDB-a, nuk ka deshtë që ne ta kemi një zë, po të jemi të shpërndamë në shumë grupe, në shumë ideologji... edhe pse të them të drejtën në atë kohë qëllimi parësor për neve ka qenë çlirimi kombëtar i Kosovës. Pavarësisht çfarë emrash kanë pasë, të gjitha grupet ilegale kanë qenë për çlirimin e Kosovës edhe bashkimin e trojeve shqiptare. Në atë kohë në ‘81-tën, për herë të parë ka dalë parulla “Kosova Republikë”.

Me 11 janar ka ndodh vrasja e Nuhi Berishës dhe Rexhep Malës, Kadriu është arrestu, pastaj ne jemi arrestu dikun mas katër-pesë ditëve, jemi arrestu grupi edhe në qershor të ‘84-tës jemi dënu prej nji viti deri në 15 vite. Kadri Osmani ka marrë 15 vite, Enver Topalla që është ekzekutu në masakrën e Dubravës, është dënu me 14 vite, Raifi me 12 vite, rëndë jemi dënu... Unë jam dënu me pesë vite. Në atë kohë kur jemi dënu, ne jemi arrestu në Prishtinë edhe unë kam qëndru në burgun e Prishtinës një muj, në dhomën numër 13 të burgut! Ka pasë arrestime në ‘84-tën, shumë ka qenë, një dimër shumë, shumë i ashpër...

Ka qenë kështu borë dikun nji metër a dy borë, e kujtoj sepse kanë qenë kushtet shumë të këqija në burg. Shëtitorja ka qenë e pa imagjinueshme, vetëm nëpër filma të Luftës së Dytë Botnore ke mujtë me pa. Karakolla ka qenë në midis domethanë ajo kulla e vrojtimit, ka qenë shetitorja shumë e vocërr, shumë e vogël... Nuk ki burg ma famëkeq në Kosovë se sa burgu i Prishtinës... shumë, shumë i ranë, i zymtë, i ranë, është kështu veç kur ta pash’ të shkakton vujtje, le ma me qenë aty i burgosun. Ne të burgosunit jemi detyru... ka qenë janar, jemi detyru në borë m’u zhveshë, teshat m’i lanë në oborr e me hy m’u pastru... Banjo ka qenë aty edhe ti ke hy në banjo direkt prej oborrit, domethanë banjo ka qenë në fund e kulla e vrojtimit lart.

Qëllimisht është ba ajo se ka mujtë me kanë banjo mrena objektit e jo në oborr... Unë kam qëndru shumë nepër burgje në Kosovë, diku 33-34 muaj kam qëndru nëpër burgje hetuese, prej burgut të Prishtinës më kanë çu në burg të Mitrovicës, pastaj më kanë çu në burgun e Gjilanit, e atje kam qëndru shumë gjatë, domethanë dikun... se nuk është normale pas dënimit, unë jam dënu në qershor, normalisht që është duftë sidomos pas... Kanë qenë dy shkallë, kur ka marrë vendim gjykata supreme formën e prerë të dënimit, i plotëfuqishëm që quhet, u duftë me shku në vujtje dënimit në burgje që kanë qenë, u quajtë në atë kohë, për shembull që ka qenë burgu i Istogut, domethanë nuk është duftë me qëndru në burg hetues, se burgu dallon, burgu ku mbahet dënimi edhe burgu hetues.

Burgu hetues është burgu ma i ranë, sepse në burg hetues je i privum, aty s’ki drejtë as një laps të thjeshtë ta kesh për me mbajtë një shënim kur të vjen ndonjë inspirim a diçka, e ki të ndalume. Edhe letër kur i ki dërgu familjes e ke pasë një herë në javë ose dy herë ta ka pru gardiani një letër dhe një stilolaps për m’i shkru familjes edhe pastaj ta ka marrë ata. Gati tri vjet kam qëndru në burgje hetuese, gjë që nuk është dashtë! Kushtet në burgun e Gjilanit kanë qenë ma të mira se në burgun e Mitrovicës. Burgu i Gjilanit ka qenë në të njejtin oborr me zyrën e sigurimit shtetëror të UDB-së. Aty janë torturu të burgosunit politikë edhe janë dëgju... ka qenë shumë torturuese për neve, se ne i kemi dëgju kur i kanë torturu të burgosurit.

Mirëpo kushtet si në burg kanë qenë ma të mira me përjashtu këtë që ka qenë torturë për neve, sepse zakonisht torturat janë zhvillu natën, vetë nata kështu e ka atë frikën që terri ta krijon, e le ma edhe torturat. Zakonisht mas orës 22:00 kanë fillu torturat edhe ato maltretimet që i kanë ba punëtorët e sigurimit. Në Gjilan përveç që kanë qenë kushtet ma të mira, aty kam pasë fat se kemi mbajtë dikun pesë ish të burgosun kemi qenë... Se të them të drejtën burgun e vështirësojnë shumë edhe të burgosunit në dhomë.

Nëse je në burg hetues nuk i ke bashkëvuajtësit të nivelit, po kriminela të natyrave të ndryshme, është shumë problem, përveç vuajteve që i ke si i burgosun, ta vështirësojnë edhe t’i dyfishojnë vuajtet nëse nuk i ke shokët e dhomës të nivelit se me tulifarë krimineli me qenë një dhomë me nda... Se në burg hetues ne s’kemi pasë të drejtë edhe nevojat fiziologjike... një herë ta ka hapë derën, maksimumi dy herë në 24 orë, pastaj s’i ka interesu ti a ki nevojë për me i kry nevojat, kështu që shpesh jemi detyru në dhomë i kemi pasë disa mjete, i kemi quajtë kibla në atë kohë... shpesh shokët e dhomës ta kanë mbajtë qebën, aty në qoshe, i kanë kry njerëzit nevojat fiziologjike!

Domethanë je detyru në një dhomë që është shumë, shumë e vocërr hapësira, je gjashtë-shtatë veta edhe merre me mend ti tash, nuk ta ka hapë derën aty, edhe nëse ka kalu qaty edhe ke trokitë, nuk ta ka hapë! Kështu që, është duftë me programu dy herë në ditje ose një herë në 24 orë! E keqja ka qenë që nuk i kanë nda, i kanë shti bashkë edhe të burgosurit politikë edhe për veprat ordinere, e në Gjilan fatmirësisht kemi qenë pesë të burgosun politikë, e kemi organizu jetën tepër mirë! E patëm organizu deri në drekë, kur na vike dreka ne vetëm lexim, domethanë e kemi pasë kështu të ndalume me bisdeu, po kemi pasë me lexu, mos me pengu... Burgu hetues ka qenë i tmerrshëm, është vdekje për së gjalli!

Njeriu është i vdekur për së gjalli! Përndryshe, të them të drejtën, ne kemi pasë aq ideal, aq vullnet saqë s’kemi ni që kemi qenë të arrestum, se e kemi ditë, kemi pasë ideal, e kemi ditë për çka jemi... Pjesa dërmuese ne kemi ra me vetëdije, nuk kemi qenë viktima që na kanë arrestu në rrugë, domethanë kemi qenë të organizum, s’jemi burgosë në protesta, në demonstrata aty për aty që kemi ba ndonjë shkelje, po ne kemi qenë të organizum, kemi ra me vetëdije, kemi ra me betim! Unë kam qenë shumë i ri, por kam qenë pak i burgosun rebel. Kam pasë shumë konflikte me personelin e burgut, nuk jam pajtu me kushtet edhe gjithmonë kam kërku kushte ma të mira. edhe në një vizitë që na ka ba Sekretari Krahinor për Jurisprudencë, ajo ka qenë pozitë e barazvlefshme sot me pozitën e Ministrit të Drejtësisë, aty unë kam kundërshtu shumë ashpër, edhe pastaj mu aty më kanë keqtrajtu shumë keq, ma kanë ça faqen. Komandanti i burgut më ka shty shumë edhe kjo dera ka qenë e hapur edhe unë kam ra në vi të derës. Pastaj më kanë çu në spital edhe prej spitalit më kanë çu në Mitrovicë, në bodrum... Pas dy jave mu më kanë internu dikun me 52 shokë për Goli Otok.

Edhe jemi internu për Goli Otok, me të thanë të drejtën prapë jemi taku me disa shokë. Na kanë lidhë për autobusi mrena në autobus, na kanë lidhë ka dy shokë. Ne nuk e kemi ditë ku po na internojnë, ku po na dërgojnë, mirëpo kur e kemi kalu Serbinë e kemi ditë që s’po nalemi në Serbi, domethanë si e kalojshim, e kemi ditë që s’po nalëm në Bosnje edhe kështu na kanë dërgu në Zagreb, na kanë dërgu në burgun hetues të Zagrebit.

Edhe aty pastaj na kanë shpërnda, nja pesë veta që kemi qenë në moshë ma të re na kanë dërgu për Goli Otok, të tjerët i kanë dërgu disa në Stara Gradishka, ka qenë burgu ku ka qenë tu e vuajtë dënimin baca Adem, aty ka dalë nga ai burgu, është burg shumë famëkeq. Edhe kemi shku në Goli Otok. Prej Zagrebit ne jemi detyru me gardianët e burgut hetues të Zagrebit domethanë kemi qëndru nja tri-katër ditë.

Edhe pesë veta na kanë hypë në nji kompanjollë që ka qenë tmerr dhe vujtje shumë ato katër-pesë orë për neve sepse pesë veta në një kompanjollë pa dritare. Ajo është veturë e policisë për bartjen e të burgosurve, mirëpo ato janë zakonisht nëpër qytet me i bartë, jo për udhëtime të gjata sepse është pa dritare edhe pa ulëse, vetëm ajri hyn aty pak. Rruga shumë gjarpërore, është rrugë që domethanë duhet me zbrit poshtë në deti edhe është rrugë shumë e mundimshme!

Ajo rrugë është e mundimshme edhe nëse shkon me kerr shumë të mirë, e le ma me hypë me një... Aty ka qenë e tmerrshme sepse shumë na ka mundu domethanë me të vjellne, ka pasë alivanosje edhe çka është ma e keqja më kujtohet, me shoferin edhe me gardianët kemi pasë vetëm një dritare që dritarja ka qenë shumë pak edhe i paralajmërojshim, i goditshim atë që, “Nalne!” edhe nuk e nalshin! Goli Otoku është një ishull, është i rrethekum me ujë në tana antë edhe kur kemi shku atje ka qenë ajri... për neve ka qenë befasi kështu që kurrë nuk e harroj, ajri ka qenë diçka fenomenal, prej atyne vuajtjeve, prej atyne ne kur kemi dalë prej tragetit, trageti ka qenë një traget, nuk ka qenë...ka qenë traget që ka bajtë ujë, se Goli Otoku nuk ka pasë burime të ujit edhe kështu që kanë bartë...

E atje domethanë më kujtohet ajri ka qenë diçka shumë, kontakti i parë që kemi dalë ka qenë ajri shumë i mirë edhe gjelbërimi, çfarë kënaqësie! Jemi ulë deri sa ka ardhë autobusi se prej atyhit deri në... ka pasë do mini autobusa, ka qenë disa kilometra aty ku kanë qenë objektet e burgut edhe na kanë dërgu në karantinë, është një objekt i veçantë ka qenë ku i kanë mbajtë të burgosurit e rinj që kanë shku, një muaj ditë i kanë mbajtë në karantinë.

Aty bahen vizitat mjekësore, po për neve ka qenë edhe psikologu që e kanë quajtë psikolog, po ai ka qenë punëtori i sigurimit që na ka marrë në pyetje edhe na ka provoku se a ka ndiku burgu, a jemi risocializu sipas tyne edhe a do përsëritim veprën, a jemi pendu.

Ç’është e vërteta të paktën ne që patëm ardhë prej një shokut, aty kemi... unë vetë kam deklaru po edhe shokët tjerë, kemi deklaru që, “Ne nuk jemi pendu dhe kemi me vazhdu rrugën edhe kur dalim!” Edhe një incidient na pat’ ndodh aty, gjatë asaj kohe me gardiana edhe kështu që na patën dërgu në izolim, jo ku quhet atje vendi ku është te telat, zhica që quhet, është një farë vendi ku të burgosurit kanë pasë të drejtë me dalë në oborr… Zhica, është vendi bash në breg të detit, zakonisht në internet e qet’, është njëfarë lumi, i qet’ ato objektet, e këtë e kanë quajtë Stodva 102...është objekti që ka qenë prej kohës së....vetmia, çeliat kanë qenë dikun gjashtë metra nër dhe, izolimi ka qenë shumë i tmerrshëm, ka qenë pa dritare, në dhomën ku na kemi qëndru në izolim nuk ka pasë dritare, ka pasë vetëm grilla kështu që nxemje nuk ka pasë, kështu që prej korridori ka depërtu ajri i ftohtë dimrit, ka qenë shumë ftohtë. Më kujtohet kemi pasë shok që më 17 batanije është mbulu edhe ka pasë ftohtë se ke qenë direkt pa ngrohje edhe pa dritare... e aty kemi qëndru nëse s’gaboj 12 muaj në izolim!

Në Goli Otok ne kemi shku në ‘86-tën do të thotë unë kam ra [në burg] në ‘84-tën, 33 muaj në Kosovë i kam të përfundume edhe unë jam ra në janar të vitit ‘84 në Kosovë, 85-tën në Kosovë, 86-tën në vjeshtë unë kam shku për Goli Otok, domethanë 3 muaj pa i ba 3 vite në burg hetues, unë kam shku në vjeshtë të vonshme për Goli Otok. Na kanë internu prej këtuhit edhe atje kemi qëndru deri dikun...

Kemi qëndru 15 muaj-16 muaj në Goli Otok. Prej Goli Otokut na kanë transferu, pastaj se murr vendim qeveria kroate, murr vendim për me mbyllë, sepse Goli Otoku ishte një pikë shumë e zezë për Kroacinë, se ishte një nga burgjet më famëkeqe. Kur kam qenë në izolim ka qenë paketa e parë kur më ka ardhë, ne kemi pasë drejtë me kërku paketa, libra edhe kur më kanë ardhë gardianët edhe më kanë njoftu që e kam një paketë edhe u duftë domethanë prej izolimit ku kam qenë, atje për me ra... u duftë në këmbë me shku dikun nja dhjetë minuta, sepse izolimi ka qenë në pjesën e epërme, kshtu që u duftë me shku me ra në nivelin e detit poshtë ku kanë qenë ndërtesa, burgu i të burgosurve, që ka qenë shumë në kushte ma të mira.

Tu shku teposhtë edhe si lug shkon teposhtë, p’e dëgjoj një zhurmë, po vjen tu u afru p’e dëgjoj, shqip, po e dëgjoj edhe natyrisht thojnë mbreti i botës është rastësia, p’e dëgjoj kangën e Haxhi Maqallarit thojke, “Më ka marrë malli për nanën time o ju shoktë e mi!” Edhe mu kjo, m’u lidh sikur qëllimisht... tu shku, tu u afru, tu e dëgju ma mirë. Nji herë nuk i besojsha veshve, mendova që ndoshta shumë izolimi i ranë, mendova që diçka nuk... E aty, aty më kanë shpëtu lotët! Ma vonë kam marrë vesh, Basriu ka qenë përgjegjës i bibliotekës atje 99 edhe në kuadër të bibliotekës atje poshtë ka pasë të drejtë edhe muzikën edhe Basriu e kish pasë lëshu!

Ne kemi kalu shumë keq në Goli Otok, sidomos ne shokët që na çun në izolim. Vetë Goli Otoku si emër ka qenë trishtim. Kur kemi dëgju që po shkojmë në Goli Otok për neve ka qenë trishtuese e dyta, tregimet që tregohen që i kanë vra, domethanë jo të gjeneratës tonë por ma herët i kanë gjujtë peshkaqenëve të burgosnit. Ja u kanë gjujtë për s’gjalli... I kanë torturu të burgosurit me punu, i kanë detyru.

Njerëzit i kanë pre qëllimisht gishtat, e kanë pre krahun qëllimisht për mos me... janë detyru me i pre për mos me shku në punë. Vizita ka qenë e tmerrshme se janë detyru familjet me ardhë, me ardhë 1000 kilometra prej Kosovës. Mu nana ime ma kurrë nuk ka mujtë me ardhë me më pa, as baba jem s’ka mujtë me ardhë me më pa, po fatmirësisht e kam pasë një vëlla që ka regjistru shkallën e tretë të Ndërtimtarisë në Universitet të Zagrebit, ai një herë në muaj ka ardhë më ka vizitu, po ka pasë familje që s’kanë pasë mundësinë me ardhë. Unë kam dalë prej burgut në ‘89-tën. Kam dalë shumë në kohë të keqe sepse kanë qenë meniherë këto...

Kam dalë prej burgu edhe prapë kam fillu, natyrisht erdha në shtëpi, fatmirësisht domethanë frikën që e kisha se nana ka me më dekë...Domethanë erdha, ishte e smutë po kështu mirë...

*Ky rrëfim është pjesë e projektit “Hije të shtrembëruara: Libër kujtimi me rrëfimet e ish të burgosurve politikë në burgun e Goli Otokut” i implementuar nga Integra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Rockefeller Brothers Fund.

Lajme të ngjashme