Qytetari me problemet, politikani vetë problemi
Politikani edhe pse rrjedhë nga qytetari, sërish ai ka krijuar botën e vetë dhe tashmë është botë më vete, kurse problemet me të cilat ballafaqohet qytetari, edhe pse duhet të jenë të politikanit, ai sërish vetë duhet të përballet e të zgjidhë sa më shumë probleme, ani pse nuk paguhet për një gjë të tillë, paçka se politikani paguhet për një gjë të tillë, sërish qytetari dhe politikani vazhdojnë të jetojnë në universe paralele, përpos përgjatë fushatës zgjedhore, ku edhe pse qytetari e di se politikani po gënjen, ai sërish i duartroket, kurse edhe pse politikani e di se duartrokitja është vardisje e shprehur në formë të ndryshme, sërish politikani u dhuron buzëqeshje të shtirur.
Shkruan: Iljasa Salihu
Kësodore, krijohet përshtypja se politikanët i dinë të gjitha çështjet që qytetarët nuk i dinë, ngaqë ata janë brenda, ata e zhvillojnë lojën, kurse qytetarët janë jashtë loje, edhe pse ndonjëherë mjet të lojëse, me dhe pavetëdijen e tyre. Në realitetin tonë, qytetarët janë brenda, ata përballen me problemet, ata i dinë punët shumë më mirë se cilido politikan, ku të vetmen kauzë e ka si t’i fitojë zgjedhjet. Politikanët tanë jetojnë jashtë realitetit. Më shumë gjasa ka që një qytetar të takohet me ndonjë jashtëtokësor, sesa një politikan të takohet me realitetin, edhe pse gjithmonë ka përjeshtime, por gjithnjë e më tepër përjashtimet kanë filluar të ngushtohen. Ata hiqen se dinë diçka të madhe, por kurrë nuk e dëshmuan një gjë të tillë, vetëm se e mbajtën gjallë kureshtjen e qytetarit për diçka të tillë që doli të jetë krejtësisht lajthitje. Atyre pushteti jua lehtëson çdo punë. Ata nuk presin radhë askund. Rrallë shqetësohet për diçka. Kur sëmuren, mjekohen nëpër spitale të shtrenjta private. Fëmijët e tyre shkollohen ose jashtë shtetit, ose nëpër shkolla të shtrenjta private. Ata nuk paguajnë nëpër pika rrugore. Ata kur të takohen me qytetarët, në vend se të frikësohen prej qytetarëve, vetë qytetarët tuten prej tyre, ngaqë të gjorët kanë dertin e ashtit që ia hedhin politikanët pasi t’ia gërryejnë mirë mishin. Gjithmonë për gjithçka e kanë një njëri “të njofshëm”. Ata jetojnë në një univers tjetër për dallim nga qytetari i zakonshëm që vetë jeta e tij është mbijetesë, sfilitje e shkërmoqje.
Mendimi kritikë në gjendje të rëndë kritike
Edhe mendimi kritikë tashmë është në gjendje kritike për arsye të pafytyrësive të shumta. Nuk lanë të zezë pa thënë për njëri-tjetrin, hasmëruan njerëzit për çështje partiake, madje kishim të plagosur e të vrarë përgjatë fushatave dhe në ditë votimi, kurse tani ç’të shohim? Tani i shohim bashkë, të buzëqeshur e me fjalë miradie për njëri-tjetrin, ata që as në ëndërr nuk mund t’i shihnim bashkë. Pavarësisht kësaj maskarade dhe këtyre pafytyrësive, sërish njerëzit gjithnjë e më pak kritikojnë. Mbase ky ishte edhe synimi dhe strategjia e këtyre politikanëve; ta shkelin besën aq shpesh dhe t’i zhgënjejnë aq shumë qytetarët, saqë ata një ditë për asgjë të mos habiten dhe të mos kërkojnë llogari dhe pastaj këta të vazhdojnë t’i grahin edhe më keq se më herët, mu sikurse laviri që përmes shkeljeve të shpeshta të fjalëve për ndershmëri, me kalimin e kohës arrin t’ia vret ndjenjat gruas dhe ajo një ditë duke qenë në një gjendje të lodhur e të rrënuar, thotë se s’kam më forcë të merrem me pandershmëritë e burrit, ndaj nuk më bëhet vonë për asgjë, unë do të merrem me fëmijët e mi e puna e tij nuk më intereson më. Pikërisht këtë e synonte laviri! Saktësisht kështu po vepron politikani me qytetarin!