A është gati Turqia t’i thotë lamtumirë Erdoganit? - NACIONALE

A është gati Turqia t’i thotë lamtumirë Erdoganit?

11 muaj më parë

nga Mirlind Behluli

Të dielën e 14 majit, mbi 64 milionë turq do të votojnë në zgjedhjet presidenciale. Janë zgjedhjet më interesante në Turqinë e shekullit XXI dhe gjithçka është e hapur - nga rizgjedhja e Erdoganit, te fitorja e opozitës. Natyrisht, ekziston mundësia që fituesi të vendoset në rundin e dytë, derisa dy koalicionet e mëdha po e vazhdojnë fushatën e tyre të ashpër nëpër rajonet e ndryshme të Turqisë. Pas 14 majit, një Turqi e re mund të lindë, vend që do të karakterizohet nga një shoqëri e polarizuar dhe shtet me ekonomi në rënie të lirë. Lajmi i keq është se pranvera s’do të vijë në Turqi, edhe nëse fiton opozita.

Rexhep Tajip Erdogani, udhëheqësi me pushtetin më të gjatë në historinë e Turqisë republikane, po kërkon edhe një mandat tjetër. Pas 6.000 ditëve në pushtet, Erdogani i vjetër më nuk ekziston. Nga liberali plot me energji e reformatori, ai është shndërruar në autokrat të moshuar e populist, që jeton në një pallat përrallor, i shkëputur nga realiteti. Sfidat e tij për një mandat të ri janë të shumta, nga biologjia - Erdogan është 69 vjeçar -, te ekonomia, e cila ka disa vjet që nuk po funksionon.

Në fakt, turqit nuk kanë jetuar kurrë më keq nën pushtetin e Erdoganit. Të ardhurat për kokë banori janë tkurrur në dy vitet e fundit, përderisa inflacioni i lirës turke i ka varfëruar tej mase turqit e rëndomtë. Tërmeti në zonat jugore të Turqisë i ka shpërfaqur mangësitë në organizimin shtetëror, të cilat tashmë po i faturohen “regjimit të një njeriu”, siç i referohet sistemit presidencial opozita turke. Megjithatë, përkundër krizës së madhe ekonomike, Erdogani vazhdon që të jetë mjaft popullor, me një bazë të konsiderueshme elektorale në zonat kryesisht rurale e konservatore.

E quajtur “Aleanca e Popullit”, koalicioni i Erdoganit është i gjerë, po aq sa edhe ideologjikisht i larmishëm. Në bllokun e Erdoganit përfshihen grupe nacionaliste ekstreme, si “Ülkücü”, të lidhura me MHP-në, përkrahës të sheriatit, si “Hüda Par”, pasardhëse politike e Hizbullahut Turk, dhe grupe konservatore si BPB-ja e islamiste si Yeniden Refah-ut, partia e djalit biologjik të ish-kryeministrit Nexhmedin Erbakan, mentorit politik të Erdoganit.

Koalicion i Erdoganit karakterizohet nga një retorikë e ashpër ndaj opozitës, të cilën e ka akuzuar për lidhje me terrorizmin e PKK-së, e gjuhë denigruese dhe homofobike ndaj grupeve të margjinalizuara. Koalicioni i Erdoganit është një “martesë” e çuditshme mes islamizmit, nacionalizmit ekstrem turk e fashizmit retorik.

Për shkak të një ekonomie të dobësuar, Erdogan e ka qendërzuar fushatën e tij në projektet gjigante të industrisë së mbrojtjes, të cilat duket se janë të vetmet gjëra politikisht të tregtueshme e joshëse për elektoratin e tij. “Njëriu i duhur në kohën e duhur” – është sllogani i tij elektoral, që tregon personalizimin e politikës, një veçori e liderëve populistë. Duke qenë ende lideri më i popullarizuar, Erdogan dëshiron një garë të drejtpërdrejtë mes tij e liderit opozitar Kiliçdaroglu, i cili është një "humbës me përvojë" në garën kundër Erdoganit.

Kiliçdaroglu, lideri 75-vjeçar i CHP-së, nuk ishte zgjedhja e parë dhe madje as e dyta e opozitës. Ekrem Imamoglu, kryetar i Stambollit dhe Mansur Javash, kryetar i Ankarasë, dy liderë karizmatikë që e mposhtën AKP-në e Erdoganit në zgjedhje lokale të 2018-ës, kanë qenë emrat më të lakuar për të udhëhequr frontin opozitar në zgjedhjet e 14 majit.

Koalicioni i opozitës është absolutisht i çuditshëm. Nga këndvështrimi im, koalicioni i quajtur “Aleanca e Kombit” është një bashkim i dëshpërimit. Blloku opozitar përbëhet nga gjashtë parti që vijnë nga një spektër i gjerë ideologjish, përfshirë socialdemokratë, nacionalistë ekstremë, islamistë, konservatorë e parti të dyshuara për lidhje me terrorizmin.

Dy gjërat e vetme, që duket se i bashkojnë këto parti, janë neveria ndaj Erdoganit dhe dëshira për ta mposhtur pushtetin aktual në Turqi. Përtej fitores në zgjedhjet e 14 majit, ato nuk kanë ofruar ndonjë siguri të madhe për qeverisjen e Turqisë dhe u mungon një vizion i qartë për epokën e pas Erdoganit.

Diskursi i opozitës ka edhe elemente ksenofobike. Ndër premtimet kryesore të opozitës, krahas rikthimit të sistemit parlamentar të shkërmoqur nga Erdogani, është largimi i imigrantëve nga Turqia dhe rikthimi i sirianëve në Siri, nismë e rrezikshme dhe kundërnjerëzore. Siç shkroi Steven A. Cook-u, kolumnist në “Foreign Policy”, nuk do të ishte aspak befasi, nëse udhëtimi i parë jashtë Turqisë i Kiliçdaroglut si president të ishte në Sirinë e diktatorit Bashar Al-Asad.

Për më shumë, kandidati i saj, Kemal Kiliçdaroglu, nuk ka dhënë shumë shpresë se demokratizimi i Turqisë e përfshin edhe hapjen ndaj kurdëve, ndonëse në koalicion e ka HDP-në kurde. Afërsia e CHP-së së Ataturkut me HDP-në kurde sigurisht se ka trazuar elektoratin nacionalist të opozitës, të cilët e akuzojnë Selatin Demirtashin, liderin e burgosur kurd, për lidhje me PKK-në. Një aleancë e tillë, mund t’i kushtojë opozitës në garën kundër pushtetit, i cili ka një kohë që po luan kartën e madhështisë kombëtare të Turqisë.

Turqia është në udhëkryqin më të rëndësishëm në shekullin XXI dhe qytetarët turq para vetes kanë një sfidë të madhe. Këto zgjedhje nuk janë zgjedhje të zakonshme mes dy blloqeve kundërshtare, të cilat garojnë për ta drejtuar Turqinë në pesë vitet e ardhshme. Votuesit në Turqi janë para një zgjedhjeje të vështirë: ta votojnë regjimin e një njeriu, mrekullia ekonomike e të cilit më nuk ekziston, apo, në anën tjetër, të votojnë një opozitë pa kohezion të brendshëm, e cila nuk ofron shumë shpresë për të ardhmen.

Në fakt, është edhe një garë për të ardhmen e shpirtit të Turqisë si komb. Rruga që Turqia do ta ndjekë pas 14 majit do të vendosë nëse shoqëria turke do të mbijetojë si shoqëri demokratike e multietnike apo do t’i rikthehet dhunës politike, që dikur dukej si fati i saj i parashkruar që nga përjetësia. Një gjë është e sigurt: her şey güzel olmayacak.

Lajme të ngjashme