Pas problemeve shëndetësore, Erdogan i rikthehet fuqishëm fushatës elektorale
Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan të shtunën i është rikthyer fushatës zgjedhore, pas disa komplikimeve shëndetësore të përjetuara gjatë javës.
Ai ka vizituar qytetin port të Izmirit që është një bastion i opozitës, duke u pritur nga një turmë e madhe.
Sipas raportimeve të mediave, presidenti turk dukej mire pa ndonjë shenjë që tregonte se ishte i sëmurë, dhe ka folur për gati 40 minuta, me zë të fortë e duke u tallur me opozitën, ndërsa ka ngritur sërish spektrin e “terrorizmit”.
Paraqitja e tij e sotme po konsiderohet si luftarake për t’i bindur mbështetësit e tij që është mirë, pas thashethemeve të shumta se mund të ketë pasur atak kardiak.
Rikujtojmë se të martën, lideri turk 69-vjeçar befasoi shikuesit e një televizioni, kur u sëmurë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë. Lidhur me shqetësimin, u raportua se ai ka pasur probleme me stomak.
Ndërkohë, të dielën rivali i tij kryesor për presidencën, Kemal Kilicdaroglu - një kandidat laik i mbështetur nga një aleancë prej gjashtë partish - do të mbajë një tubim në të njëjtin qytet. Dihet se sondazhet e opinionit i japin një epërsi të vogël Kilicdaroglu-t.
Zgjedhjet e 14 majit - për presidencën dhe parlamentin - do të jenë sfida e tij më e vështirë deri më tani, pas njëzet vjetësh në pushtet.
