Protesta e VV-së kundër Asociacionit, e kotë si lufta e Don Kishotit
Në orën 16:00, një protestë do të mbahet në Prishtinë. E organizuar nga Parlamenti Studentor, që udhëhiqet nga organizata studentore e afërt me VV-në, protesta e ka kauzë kundërshtimin e Asociacionit. Përtej kauzës, protestuesit, çuditërisht, nuk dihet se kundër kujt do të protestojnë. Kundër Albin Kurtit, që e pranoi Asociacionin me gjashtë kushte? Kundër ndërkombëtarëve, të cilit po insistojnë në themelimin e Asociacionit apo kundër vetë Zotit, kësaj fuqie që arbitrarisht zgjodhi t’i krijojë shqiptarët e serbët në një kufi?
Çudia më e madhe në këtë mes nuk është mungesa autoritetit që po kundërshtohet përmes protestës. Në fakt, protesta e sotme, që vetëm zyrtarisht organizohet nga Parlamenti Studentor i UP-së, është një përpëlitje e ethshme e Vetëvendosjes për ta kontrolluar të kaluarën e saj. Duke qenë në pushtet që nga marsi i 2021-shit, VV-ja po përballet vazhdimisht me historinë e saj. Më saktësisht, me interpretimet mbi marrëveshjet e nënshkruara vite më parë. Është një luftë e brendshme e VV-së, një përballje mes të dikurshmes, që u rri mbi kokë si shpata e Domekleut, dhe aktuales, që nuk zhduket vetëm pse ke vendosur t’i mbyllësh sytë para saj. Andaj, partia e Kurtit, që vazhdon të operojë ende me gjuhë prej opozitareje, i është kthyer sërish rrugës, protestës e kundërshtimit. Sikur këtë shkrim do ta lexonte ndonjë jashtëtokësor (kuptohet, nëse të tillët ekzistojnë), atë do ta kaplonte një habi e thellë, e mbështjellë me një nënqeshje sarkastike. Pak a shumë, ky do të duhej të ishte reagimi i shoqërisë ndaj protestës së sotme kundër Asociacionit.
Por ka edhe një shpjegim tjetër për protestimin kundër Asociacionit në Prishtinë nga njerëz të partisë në pushtet. Sa herë që VV-ja apo Kurti i ndryshojnë qëndrimet - dorën në zemër, tashmë janë bërë ekspertë për ndryshim qëndrimesh-, partia në pushtet i kthehet historisë, duke fajësuar të gjithë. Gjithëfajësimi është një tendencë për të fshehur një të dukshme omniprezente: VV-ja e vjetër më nuk ekziston. Ajo është e dikurshmja që nuk kthehet më. Prandaj Kurti flet me nostalgji për protestat kundër Zajednicës, për kundërshtimet e VV-së ndaj ish-elitës politike e shkatërrimit 20-vjeçar. Kurtit i pëlqen e kaluara, historia, sepse nostalgjia është hapësira ku habitojnë njerëzit e pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin. Dhe vetëm aty, kuptohet, në një botë të romantizuar të së kaluarës, i arratisuri Kurti është shembullor e pa të metat prej qeveritari.
Në këtë kontekst, protesta e kësaj të mërkureje e aktivistëve të VV-së nuk është vetëm marshim kundër “Zajednicës”, por edhe një kapërcim politik. Përmes protestës, nuk po kundërshtohet Asociacioni, por vetëm Zajednica një etnike. Natyrisht, protesta është një buçitje kundër “regjimit të vjetër”, këtij fajtori kujdestar që e bëri mëkatin fillestar të Zajednicës. Por, mbi të gjitha, është një përballje e VV-së me historinë e saj. Marshi i sotëm nga Biblioteka Kombëtare është kumti, jo i lavdishëm, sigurisht, se VV-ja e Kurti e pranojnë Asociacionin. Pra protesta e sotit e VV-së është një luftë e pazakontë, që i ngjan përpjekjes së Don Kishotit me mullinjtë e erës. Është edhe shpërfaqje e një realiteti tejkohor se idealizmi jopraktik në opozitë nuk është modus operandi në botën e politikës reale. Misioni i sotëm i SKV-së e VV-së në kundërshtinë e Asociacionit është anakronik, pasi Kurti tashmë e ka pranuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.
Edhe pas protestës, tema e Asociacionit, dikush do të thoshte edhe presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, nuk do të zhduket. Sërish nga Gabriel Escobar e Derek Chollet, te Miroslav Lajçak e Joseph Borrel, ata do ta ritheksojnë nevojën urgjente për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. VV-ja mund të organizojë edhe dhjetra protesta, marshime e fushata kundër Asociacionit, të cilat mund t’i shfrytëzojë për mirëmbajtjen e një imazhi të puritanizmit politik te aktivistët e saj. Por në terren asgjë s’do të ndryshojë.
Sigurisht, VV-ja e ka të drejtën e botës të vazhdojë që ta përdorë gjuhën e opozitës, siç mund të vendosë që mbyllja e syve para realitetit është zgjidhje e duhur për problemet me të cilat përballet. Por pyetjet thelbësore që duhet shtruar janë të thjeshta: A ka guxim VV-ja që të protestojë kundër Kurtit? A është e mundur që VV-ja ta tejkalojë historinë e saj, duke u kthyer në një parti që dëshiron të qeverisë e jo të jetojë në nostalgji?
