Protesta më e kotë në histori: Studentët pro-VV protestojnë kundër Asociacionit - NACIONALE

Protesta më e kotë në histori: Studentët pro-VV protestojnë kundër Asociacionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një protestë do të mbahet sot kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Prishtinë. Ora 16:00, protestuesit do të bashkohen në “Marshin kundër Asociacionit”, e që organizohet nga Parlamenti Studentor. Deri tash, në thirrjen në Facebook të Parlamentit Studentor, ku pjesë është edhe organizata e afërt me VV-në, “Studim, Kritikë, Veprim”, janë përgjigjur 1 mijë e 800 persona.

Ndërsa disa personalitete të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë përkrahur atë publikihst, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestë kundër Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka pranuar me gjashtë kushte. Në fakt, kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që në Prishtinë do të protestohet kundër Asociacionit, ndonëse nuk dihet saktësisht kujt i drejtohet protesta: Qeverisë Kurti, ndërkombëtarëve apo ndonjë pale tjetër.

Por çka dihet deri tash për protestën?

Përveç orës së protestës e organizatorit, dihet se “Marshi kundër Asociacionit” do të nis nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe organizohet në përvjetorin e 53 të Universitetit të Prishtinës. Në ftesën e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, është treguar edhe arsyeja e kësaj proteste, duke shkruar se sot flitet vetëm për Asociacionin njëetnik, që dëmton stabilitetin e vendit.

“Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.” – shkruan Parlamenti Studentor.

Strumbullar të këtij marshi kundër Asociacionit është organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim”, e cila së bashku me “Reformën” udhëheq me Parlamentin Studentor. SKV-ja njihet botërisht si e afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë në pushtet që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Andaj, edhe gjuha e përdorur në ftesën e tyre për protestë kundër Asociacionit është e ngjashme me partinë në pushtet. Madje edhe argumentet janë të përafërta.

Në ftesën e PS-së, përmendet nevoja për mobilizim të domosdoshëm për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet në Kosovë. Tutje, Parlamenti Studentor ka shfrytëzuar narrativën e LVV-së e të Kurtit, se Asociacioni është njëetnik, duke e theksuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

“Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.” shkruhet në ftesën e PS-së.

Përkrahje për këtë organizim kanë dhënë disa figura të Lëvizjes Vetëvendosje. I pari që e përkrahu atë ishte Sadri Ramabaja, aktivist i VV-së, që frekuenton televizionet si analist politik. “Profesor” Ramabaja ka ftuar të gjithë qytetarët të dalin në protestë, duke e shkruar edhe thurrjen (hashtag-un) #bashkëkundërAsociacionit.

Edhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, ka treguar publikisht përkrahjen e tij për protesten e sotit në Prishtinë. Aktivisti i njohur i VV-së nga Tirana e ka shpërndarë ftesën për protestë, duke shkruar se “S’ka Zajednicë, pikë.”

“Kosova Republikë

S’ka Zajednicë, pikë.” – shkroi z. Hoxha.

Ftesës së Parlamentit Studentor i është përgjigjur, së paku virtualisht, edhe Rron Gjinovci, dikur aktivist i VV-së e sot analist që është i afërt me partinë në pushtet. Nuk dihet nëse Gjinovci do të jetë pjesë edhe në botën reale.

Kujtojmë që një protestë kundër Asociacionit është mbajtur edhe në Berlin para Parlamentit të Gjermanisë, e cila po ashtu ishte përkrahur nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Ndryshe, ditë më parë, Kurti e ka bërë publike pranimin e tij të Asociacionit, duke listuar edhe gjashtë kushte.

Lajme të ngjashme