Philomena jonë, shpëtimi nga çmenduria
Col Mehmeti
Emri i Diane Morganit eklipsohet nga ai i Philomena Cunkit.
Kjo e fundit është në të vërtetë karakteri i saj gaztor e loçkaman si gazetare zhbiruese.
Me një prekje qesharakisht absurde, ajo vë në siklet historianë, akademikë, kritikë arti e turlifarë profili shkencor.
Pyetjet e saj absurde i bën me maksimumin e seriozitetit dhe shpesh kjo tingullzohet si protestë simpatike ndaj akademizmit të fildishtë.
Për shembull, historianin britanik Ashley Jackson ajo e pyet “What was the Soviet Onion?”
Këtu rrengu lojcak është vetëm ngjashmëria mes fjalëve Union dhe Onion (Qepë), ndaj Philomena, pa dhënë hiç çehre, i kërkon profesorit që t’i përgjigjet pyetjes së saj për ‘Qepën Sovjetike’.
E tillë Philomena është edhe kur e ka mysafir teoricienin e fizikës, Jim Al-Khalili.
Atij, madje, i bën pyetjen nëse ka dëgjuar për ADN-në. “Do we all have DNA or do some of us have D or A, but not both?”
Paksa i shastisur e paksa i zënë në befasi, profesori nga Universiteti i Surreyt përpiqet t’ia shpjegojë se “it’s not D and A, it’s three letters: DNA”.

Pyetjeve të saj absurde nuk i shpëton askush.
Astrofizikantin, Brian Cox e pyet edhe për multiverset, madje i thotë se ekzistojnë vetën dy sosh: ky i yni dhe një tjetër në pasqyrë.
I kurreshtuar, Briani e pyet se kush e thotë një gjë të tillë, kurse Philomena i përgjigjjet se këtë e ka dëgjuar nga miku i saj, Pauli.
— What does Paul do? e pyet astrofizikanti disi i skandalizuar.
— Well, he worked in a tennis ball factory, where he had to catch the tennis balls, but he was fired from that, përgjigjet Philomena me një grimasë pikëllimi në fytyrë për mikun e saj ‘shkencëtar’.
Ky është niveli i epërm i humorit inteligjent, atij që më së shumti ka gjasë t’i kapërcejë me një hop kufijtë e kontekstet lokale për të qenë një humor me përpjestime universaliste.
Humoret e botës së tretë, ku e qeshura dhe hilariteti ngallmohet me situata ku robi rrëzohet ose merr në thua, janë të tilla ku dhënësi dhe marrësi i përmbajtjes humoristike përbëjnë një audiencë tepër lokale, tepër parake.
Dikur G. K. Chestertoni i madh pati thënë se njerëzit qeshin me gojën vesh më vesh kur robi fatkeq rrëzohet për një arsye fort të thjeshtë.
Kur një kokërr molle këputet prej peme e bie në tokë, kjo është e pritshme, njësoj si edhe kur një copë guri shkëputet prej faqes së malit e theqafet në greminë.
Por, prej robit nuk pritet rrëzimi, ndaj thyerja e këtij rregulli formal ngacmon të qeshurën.
Humori tjetër primitiv, për fat të keq tejet i kudondodhur në nënqiellin tonë, është ai që prej Platonit te Aristoteli kallëpizohej si humor që ndërkall njëfarë sipranie të atij që tall në kurriz të të tallurit.
Ai është skualifikues në thelbin e vet për sa kohë merr si vjegëz të hajgares behanet dhe karakteristikat e tjera të jashtme të njeriut (τὸ γὰρ γελοῖόν ἐστιν ἁμάρτημά τι καὶ αἶσχος ἀνώδυνον καὶ οὐ φθαρτικόν…).
Aristoteli thotë se një humor i kësofarshëm nuk bën zarar (ou fthartikon), por sot nuk është shekulli i katërt para erës sonë dhe as njerëzit që filozofi grek i njohu nuk janë të njëjtë.
Humori skualifikues, që fishektoren e vet e ka hala me ofendime dhe përqeshje fizike, shpesh i brendashkruhet projektit të një grupi mbizotërues politik a ideologjik që sulmin e kryen dhelpnisht me shpërfytyrimin e tjetrit.
I tillë ishte edhe humori i një partie me dy V-ja ku kundërshtarët i fuste në qelinë e talljes, fyerjeve dhe urrejtjes, dhe më në fund të një poshtërimi kolektiv.
‘Hahaha’-të e ‘hihihi’-të e saj kishin pamje njerëzish, shqiptim të të folmeve ose thjesht këtë ose atë krahinë.
Në këtë vend më shumë sesa njerëzit kanë mërguar gjetkë logjika, rezonimi e esëllia.
Edhe një kauzë e mirëndërtuar opozitare nuk arrin të çarmatosë bindjet e njerëzve dhe panteonet e krijuara në kryet e tyre.
Një gazetar zhbirues që e ka shkërmoqur me fakte e hulumtime pushtetin del i humbur përballë njeriut të rrugës që rrëmben kusitë e feston me to si i harbuar fitoren e pushtetit albinkurtist.
Mbase opozitëbërja e vërtetë do të mund të fillonte me një Philomena Cunk, me një replikim të saj në kushtet tona.
Fantazia kolektive e një Albini të përkryer e të pakorruptuar do të thyhej copash nëse asaj do t'i kundërvihej një fantazi konkuruese me banorë të rinj nga e jashtërealshmja.
Ashtu siç bëri, ta zëmë, Fantazma e Prishtinës, njeriu i sajuar nga inteligjenca artificiale, që shkaktoi më shumë vramendje sesa çfarëdo kushtrimi opozitar.
Philomena jonë në bashkëbisedime me Albinin ose albinët e vocërr nuk do të duhej të përvijonte me pyetje ku do të kërkohej llogari për këtë e atë gjë.
Ajo nuk do të duhej të pyeste as për ekonomi, negociata me Serbinë apo premtime të papërmbushura.
Do të duhej ta pyeste diçka kuturu, hajt për shembull: “A ka në minierat e Trepçës arinj ekzotikë?”
Përpjekjes së bashkëfolësit për ta përmirësuar ‘arinj’ me ‘ari’, Philomena nuk do t’ia vinte veshin. Ajo do të ngulmonte me pyetjen “A ka arinj?”
Marrëzia kolektive me sovranitet, me Albin mbinjerëzor që nuk dorëzohet para Perëndimit, mbase do të kundërpeshohej pikërisht duke injektuar brenda marrëzisë figura jashtëreale.
Fantazma domethënë…